RIFAT ISMAILI - POET, TREGIMTAR, FABULIST, ROMANCIER DHE NJËRI NGA ESEISTËT MË TË SHQUAR TË SHQIPËRISË
Zekerija Idrizi: nga dorëshkrimi “Portrete shkrimtarësh”
Kritika letrare e ka vlerësuar poetin dhe shkrimtarin durrsak Rifat Ismaili si njërin nga eseistët më të spikatur të letërsisë shqipe. Nisur nga ky fakt, unë shfletova pjesë të konsiderueshme nga krijimtaria e tij eseistike.
I lexova me vëmendje të thellë dhe shijova filozofinë, përkatësisht, mesazhet mjaft sublime logjiko-filozofike në esetë nga libri i tij “Kontributi ndaj artit” me titujt: “Tabutë dhe origjinaliteti i shkrimtarit”, “Arti, ushqimi dhe dashuria”, “Afiniteti midis krijuesit dhe lexuesit”, “Të jesh vetvetja” dhe “Fati i librave dhe i letërsisë”, në të cilin, në hyrje konstaton :
“Fati i pjesës më të madhe i librave është shkruar që të harrohen. Vetëm një pjesë e vogël, shumë e vogël e asaj që shkruhet, i mbijeton kohërave...”
Mandej, krejt në fund të këtij eseu Rifati tregon lidhshmërinë e ngushtë midis krijuesit dhe lexuesit, duke pohuar:
“Krijuesit duhet gjithmonë të jenë të zellshëm për të qenë farëhedhës të denjë, ndërsa lexuesit peshkatarë të zhdervjellët thesarësh. Kjo i jep mundësinë letërsisë të mbijetojë, edhe pse rrojmë në një kohë që përpiqet gjithnjë e më shumë ta mënjanojë e zvetënojë letërsinë”.
Te eseja “ARTI, USHQIMI, DASHURIA”, ndërsa, e shijova thellë atë pjesëzën ku autori vetërrëfehet:
“Shpesh, pasionit tim për të shkruar, nuk iu ka ndarë dhe ai për kuzhinën, ndaj arrita të mësoj diçka edhe nga zanati i kuzhinierit, zanat i lehtë dhe i vështirë njëkohësisht, që sado përparon nuk mbaron kurrë, sepse është si një art në evoluim. Një zanat delikat, imagjinar, pothuaj femëror, eksitues dhe që ndihmon aq shumë në përmirësimin e jetës, shëndetit dhe humorit të njerëzve.
Kënaqësi të tilla si ushqimi, dashuria, arti, nuk njohin moshë, janë në cdo vend e komb me ndryshimet e ritet e nevojshme, nuk njohin as harresë, e as shuarje. Janë gjithnjë forma të përdëllimit njerëzor, askush nuk u mërzitet këtyre gjërave, nuk ka sesi. Të çohesh nga një shtrat dashurie, apo nga një tavolinë ku ke lënë atje lëvozhgën e një gaforreje të freskët, me ca ofshama në të dyja rastet, nga kënaqësia e provuar, më duket se është e njëjta gjë. Të thithësh një ushqim të shijshëm ka në vetvete një lloj erotike të brendshme që s’mund të shpërfillet, as të hidhet poshtë…”
Kurse te eseja tjetër mbresëlënëse “Afiniteti midis krijuesit dhe lexuesit” e “gëlltita” sentencën proverbiale:
“Marrëdhënia midis krijuesit dhe lexuesit është diçka e magjishme, e papërsëritshme. Dy njerëz që në kohë të ndryshme, puqen diku rastësisht, dhe krijohet një afinitet i çuditshëm, por e pafundme për nga vlera dhe rëndësia. Që në moshë të re e gjer më tani kam gëlltitur me sy me mijëra e mijëra faqe librash, i kam futur në sirtarët e kujtesës, kësaj dhurate të paçmuar e hyjnore që na është dhënë ne njerëzve, dhe dalin prej aty vetiu, kur trurin ma ngacmon ndonjë ide, imazh apo kujtim …”
Qershia mbi tortë ishte eseja tjetër e tij me titull “Të jesh vetvetja”, në të cilin i thërret mendjes së krijuesit që të shpërfaq BOTËN E VET - VETVETEN, pra, teksa me plot urtësi konstaton në fund:
“Gjatë udhëtimit njerëzor dhe poetik, do takojmë rrugës mjaft shpirtra binjakë dhe do bëjmë me ta një copëz rruge. Por në çdo udhëkryq, secili rishtas do ndërmarrë pelegrinazhin e tij drejt visesh të panjohura për veten dhe të tjerët , me forcën e kërkimit dhe rizbulimit të universit dhe Vetvetes.
Ndaj të jesh Vetvetja, do të thotë , të sjellësh risi dhe origjinalitet, të përcjellësh mendimin tënd të pangjashëm me mendimin e tjerëve, të përcjellësh rrahjet e zemrës tënde dhe ndjesitë turbulluese të shpirtit tënd unik. Njeri apo krijues qofsh, ji Vetvetja!”
Edhe në botën e poetikës ka shkëlqyer Rifati, duke treguar një nivel solid letrar, të cilin e ka vlerësuar shumë kritika letrare. Jeta e këtij krijuesi u plazmua mes një kodre dhe një lumi të vendlindjes së tij, në qytetin e vogël por të dashur të Durrësit, dhe pikërisht këtu, mes rendjeve të para çamarroke ka thithur ajrin dehës, i cili muzën kreatoriale të poetit e bashkon me muzën primordiale të Perëndisë. Asnjë qytet në botë, pavarësisht se ai ka jetur shumë vjet në Firence e Savona të Italisë, por dhe dy vite në Berat, kur ishte në shërbim ushtarak, nuk mund t’i zëvendësojë aromat e qytetit të tij dhe të shtëpisë, të asaj foleje që ia ka ndjerë me aq forcë mallin kur mungonte për një kohë të gjatë. Shpesh herë në mërgim i kujtohen mijera episode të vogla të fëmijërisë që lidhen me shtëpinë dhe Durrësin e tij. Kjo lëndë e gjallë e mpiksur në kujtesë, ka qenë për të si një llavë që kthehet në poezi dhe art sa herë që është ulur dhe ka shkruar. Nuk janë të pakta poezitë që i ka shkruar ai për vendlindjen, por edhe nëpër prozat e tij të shkurtëra, kjo ndjenjë shpesh ka qenë primare dhe pjesë e pandashme e muzës së tij. Mund të përmend këtu tregimet e tij, si: “Unë dhe babai”, “Afërdita, vajza e qytetit tim”, ” Kthimi në shtëpi” e sa e sa të tjera. Por edhe poezitë e tij, si: “Lumi i qytetit tim”, “Atje ku unë jam rritur”, “Malli për vendlindjen”, ” Në qytetin tim si jetohet”, e sa e sa krijime të tjera. Por edhe romani “Një vend burrash” ka nga fillimi gjer në fund në qendër të tij Shijakun, por jo vetëm atë aktual e real, por edhe si qytet imagjinar e metaforik, brenda një proze që mendoj se i perafrohet realizmit magjik.
Mandej edhe poezitë me temën e dashurisë zënë një vend të rëndësishëm në lirikat e tij. Ato shquhen për nga gjetja metaforike dhe vargjet mjaft elegante, ku ndjeshmëria e sharmi përshkon çdo strofë të tij.
Në esenë e tij me titull ”Dashuria në art”, shkruar herët dhe botuar në gazetën “Drita”, para shumë vitesh, Rifati ka trajtuar forma të ndryshme të shfaqjes dhe përndijimit të dashurisë duke i ilustruar me vargjet e disa prej poetëve më të mëdhenj botërorë, si: Verleni, Bodleri, Miltoni etj. e gjer tek Lasgushi ynë i madh. S’do mend kjo, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, që poezia e tij të mos flladitej nga kjo ndjenjë sublime, nga kjo thirrje hyjnore që ngjall gurët dhe bën të flasin dhe muret ….
* * *
BIOGRAFI-RIFAT ISMAILI
Poeti, prozatori dhe eseisti Rifat Ismaili, ka lindur me 24 mars 1968 në Durrës. Pas mbarimit të shkollës së mesme, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak prej dy vjetësh në Berat. Nga viti 1991 e deri më sot jeton në Itali, fillimisht në qytetin e Firences, ndërsa aktualisht në Savona.
I apasionuar pas artit dhe letërsisë, fillon të shkruajë, por dhe të pikturojë që në bangat e shkollës. Që prej vitit 1986 nis edhe të botojë në gazetat dhe revistat e kohës. Krahas punës si autor, është marrë dhe me përkthime.
Nga shtypi periodik, mund të përmendim bashkëpunimet e tij të shumta me gazetën "Adriatiku", Durrës, vitet 1986- 1990, me skica letrare, cikle me poezi, shkrime ,etj.
Shkrime të tjera i botohen më pas në gazetën "Zëri i rinise"," Zëri i popullit" ," Albania", "Korrieri"
" Metropolitan", “Drita" (organ i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë", "Nacional", “Lissalba” etj, revista "Kult", revista kulturore për të rinj "Delfin Durrës", revista kulturore " "Poeteka", revista për fëmijë që botohet në Kosovë "Zog mëngjesi", revista “Metafora" (organ i lidhjes shkrimtarëve të Kosovës), revista "Klubi i fëmijëve", revista "Uji", revista italiane "Le Muse", revista Orfeu, revista Miriade, etj.
Krijimtaria e tij është botuar edhe në gjuhët: italisht, spanjisht, arabisht, anglisht, uzbeke, etj, në disa prej organeve letrare të atyre vendeve.
Për t'u nënvizuar është edhe përfshirja e tij në dhjetëra botime të ndryshme si redaktor apo recensent.
Gjithashtu përgatiti botimin e përmbledhjes letrare me grup autorësh titulluar "Gjurmë penash" Nr- 1, Gjurmë penash vol 2, ku u përfshinë dhjetëra autorë, vendas dhe të huaj.
Gjithashtu ai është edhe bashkautor në mjaft antologji poetike të ndryshme.
Është anëtar i redaksisë së revistës shkollore "Zog mëngjesi", që botohet në Prishtinë.
Rifat Ismaili është autor i mbi tridhjetë librave:
Prozë:
- “Tregime”, Dea, Tiranë 1997;
- “Një vend burrash” roman,
- “Amfioni e Zeti” , Tiranë 2002;
- “Ikja e dytë e Noes”, tregime e skica, Botimet Meshari, Prishtinë 2022
- “Po ku ishe tërë këto vite”?, tregime e skica Botimet “Lena Grafik”, Prishtinë 2022
- “Kam pasur një vēlla, ndonjëherë”?- Botimet “Fast Print”, Tiranë 2022.
- “Gjurmë penash” (Përmbledhje letrare me grup autorësh), Volumi 1, Fast Print, Tiranë
- “Gjurmë penash” (Përmbledhje letrare me grup autorësh), Vëllimi 2, Fast Print, Tiranë
- “Banor i parehatshëm, roman, Sh. B. “Fast Print”, Tiranë, 2024
- “Dënimi i Luli Kukullngrenësit” - libër i ilustruar me tregime, Fast Print, Tirane, vere 2024
- “Ankesa e shkronjave- Fast Print, Tiranë, 2024
Poezi:
- “S’jam gjithmonë Kolomb”, poezi, ese e perkthime “Dea” Tiranë 1998;
- “Kështu të dua”, poezi, “Adonis” Durrës 2019 –
- “Asgjë s’ta prish bukurinë”, poezi “Adonis” Durrës 2019.
- “Gjurmë dhe zhurmë”, poezi, Lena Grafik, Prishtinë 2022
- “Mirë se vjen dashuri”, Fast Print Tiranë 2022 –
- “Në çdo ishull kam nga një zemër”, Fast Print, Tiranë 2022,
- “Kërkoj të zbuloj një shkëlqim”, poezi, Fast Print, Tiranë 2023.
- “Ti guardo”, poesie, italisht, “Fast Print”, Tiranë, 2023
- “Si erë vjen tek unë"- përmbledhje poetike, Fast Print Tiranë 2024
Eseistikë:
- “Dilemat e lirisë njerëzore”, ese e shkrime “DDS” Durrës 2011;
- “Laboratori i fshehtë krijues – ese, Botimet Meshari, Prishtinë 2022
- “Kurthet e letërsisë” – ese, Botimet Meshari, Prishtinë 2022,
- “Mallkimi i shkrimit dhe shkrimtari i mallkuar” – ese, Fast Print Tiranë.
- “Kontributi ndaj artit”
Libra për fëmijë:
- “Ëndrra e kalorësit" tregime për fëmijë, " Botimet Meshari" ,Prishtinë 2021
- “Shpikësi i vargjeve” - poezi për fëmijë" Fast Print" 2023
- “Breshka me samar"- përralla Fast Print 2023
- “Bretkosa me fustan"- përralla Fast Print" Tiranë 2023
- “Ëndrra e kalorësit- liblr i ilustruar me tregime për fëmijë- Fast Print, Tiranë 2024
- “A ka lule në dimër?- libër i ilustruar me tregime për fëmijë - Fast Print Tiranë 2024
Përkthime:
Nga përkthimet e këtij autori janë;
- “Asnjë këngë dashurie”, tregime nga Carls Bukovski; “Naim Frashëri” Tiranë 2002;
- “Postieri i Nerudës”, roman nga Antonio Skarmeta “Ideart”, Tiranë 2003,
- “Mos më shtini në dhe të gjallë” - poezi nga Maria Teresa Liuzzo, si dhe perkthime të shumta nga poetë italianë të shekullit XX dhe nga poetë bashkëkohorë.
Zekirija Idrizi, shkrimtar, Shkup - Berlin