Fali Ndreka – Poezi (përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
Profesor Fali Ndreka ka lindur në Dibër të Shqipërisë. Ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës, dhe ka punuar profesor në degën Gjuhë - Letërsi shqipe. Ai ka marrë pjesë në seminarin: Teologji - Filozofi. Aktualisht Fali Ndreka jeton në Itali. Ai është poet, publicist dhe Ambasador i Paqes në vende të ndryshme të botës si dhe fitues i shumë çmimeve të para për poezi.
Fali Ndreka ka shkruar një libër me fraza filozofike dhe është autor i mbi 150 poezive.
Ai është gjithashtu Drejtor i revistës “Albanopuli” si dhe autor i artikujve të shumtë të publikuara në shtypin shqiptar.
ZINXHIRËT E JETËS
Ne sodisim çdo ditë
Si malet me bukurinë e tyre
në horizont treten,
Si degët e pemëve harlisen,
Si pema gjethet kur i lëshon,
me to ushqen vetveten.
Gjelbëron e përsëri gjallon.
Por ne a nuk mundemi?
Apo nuk kuptojmë,
Që veten ta ushqejmë
më dashuri,
një dashuri të pa sosur,
Që opingat të mos na ngelen në baltën e moçalit,
E pastaj të ndjehemi, të varfër,
të mjerë e të marrosun.
Nga fjalët e shumta ne mbytemi,
Në fjalët lajkatare ne notojmë,
Intrigë, luftë, shkreptimë e gjëmim,
Plot mëkate mbushur jeta jonë.
Po paqen pse se kërkojmë
Për të freskuar shpirtin,
Për të çliruar këmbët e nxëna,
duart e lidhura,
e mendjen e burgosur,
e të skllavëruar nga interesi.
Që t'i shkrijmë zemrat e ngurta.
Sytë na i ka nxënë një trung i vjetër,
Me rrënjë që përthith,
ujin nga mëkati i botës.
Ku i ligu si urith e bën luftën
në tunelin e errët e plot dredha poshtë tokës.
Llumi që gjendet aty poshtë,
na ka zënë filtrat e mendimit.
E s'na lë të ecim në rrugën e paqes,
Por na shtyn në varfërinë e shpirtit,
E në përuljen e përpara mjerimit e keqdashjes.
Zinxhirët e injorancës në qafë na janë mbështjellë.
Shkëlqimi i rremë s'na lë të ecim përpara,
E farën e paqes nuk na lënë për të mbjellë.
Viktimë e politikava që vijnë nga ferri,
bojrave të dala.
Unë dhe ti, le të ecim në horizonte të sigurta,
Atje ku hapen dhe mbylllen malet,
Atje ku me qumështin e paqes si zogjtë
të ushqehemi çdo ditë,
Atje ku dielli i jetës djeg çdo të keqe.
Atje ku hëna është hënë dhe dita eshtë ditë.
MËNGJESET TONA
Dielli lindi në sytë tanë,
Dhe i mbushi ato me ëndrra jete,
Ne vraponim e këndonim përherë
Dhe luteshim e përuleshim para cdo të drejte.
Rriteshim me vullnetin e mirë mbushur,
Në përballje me erërat e furishme e çdo të keqe,
Që mund të vinin papritmas e pa u dukur,
Këto mëngjeze në zemër do të na mbeten.
Agimet e bardha të Tetorit
Me peisazhe të bukura të çdo llojë ngjyre,
Në to ne shkumboheshim nga mendimet,
E digjeshim si në prush mes tyre.
Shpresat tona si një tufë pulbardhash,
Vallëzonin e fluturonin mbi krahët tanë,
E ne ngazëllonim si qëngjat në pranverë,
Dhe rriteshim mëngjeseve të bardha me radhë.