Sandrine Davin – Poezi (Shqipëroi Irma Kurti)

Sandrine Davin – Poezi (Shqipëroi Irma Kurti)
SANDRINE DAVIN
 
Sandrine Davin ka lindur më 15 dhjetor 1975 në Grenoble (FRANCE), ku ajo ende banon. Është autore e poezisë bashkëkohore të frymëzuar nga tankas dhe ka botuar 18 përmbledhje me poezi; më e fundit ajo me titull "A nos ouvriers" botuar nga TheBookEdition. Krijimet e saj studiohen nga klasat e shkollave fillore dhe të mesme ku ajo vetë punon. Sandrine ka tendencën që ta ndajë poezinë me të rinjtë dhe t’i nxisë ata që të shkruajnë... Është e vlerësuar gjithashtu nga Société des Poètes Français për poezinë e saj: "Letër nga një ushtar".
 
LETËR NGA NJË USHTAR
 
Në këtë tokë djerrë
Po të shkruaj pak fjalë
Jam mirë, mos u shqetëso
Oh, sa dua të pushoj!
Dielli lind gjithmonë
Por unë atë kurrë s’e shoh
Në ëndrrat e mia e zeza mbizotëron
Por unë jam mirë, mos u shqetëso ...
 
Yjet nuk shkëlqejnë më
Ata janë strukur në një qoshe,
Erën, që dikur ishte mikja ime
Unë sot e mallkoj.
Por unë jam mirë, mos u shqetëso ...
 
Gjaku më rrjedh në faqe
Një lot nga të gjithë ne
Është shumë ftohtë mbi dysheme
Jam vetëm, po iki tani.
Por mos u shqetëso, unë jam mirë ...
 
Qepallat po më rëndohen
Njeriu i rërës do të mbërrijë
Të shurdhër janë veshët e mi
Unë të kaluarën e kam fshirë,
Por mos u shqetëso, unë jam mirë ...
 
Në një tokë djerrë
I shkrova këto pak fjalë
Unë e di se ato do të vijnë te ti
Për të të njoftuar pushimin tim.
Por mos u shqetëso, unë jam mirë ...