Cikël poetik - Luis Cruz-Villalobos (Përktheu dhe redaktoi: Irma Kurti)

Cikël poetik - Luis Cruz-Villalobos (Përktheu dhe redaktoi: Irma Kurti)
LUIS CRUZ-VILLALOBOS
 
Luis Cruz-Villalobos (Santiago, Kili, 1976), është shkrimtar, redaktor dhe psikolog, me një prodhim të gjerë letrar në poezi dhe ese akademike, me më shumë se pesëdhjetë libra të botuar. Ai është specialist dhe është specializuar në psikologjinë klinike, sektor në të cilin ka punuar mbi njëzet vjet. Ai i është përkushtuar studimit të elasticitetit dhe rritjes post-traumatike, si dhe hermeneutikës së aplikuar, tema mbi të cilat bazoi kërkimin e doktoraturës në Vrije Universiteit Amsterdam, ku mori gradën Doktor i Filozofisë. Aktualisht jep mësim në universitet dhe drejton psikoterapi për të rritur dhe çifte.
Luis Cruz-Villalobos është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Kili. Brenda botimeve të tij letrare ka një numër të konsiderueshëm veprash "foto-poezi", me fotografë të shquar ndërkombëtarë si David Gysel (Kili), Rosa Gómez (Spanjë), Julie de Waroquier (Francë). Në 2022, u vlerësua nga Akademia Tomitana e Rumanisë si anëtar i rregullt, për veprën e tij të jashtëzakonshme letrare dhe kulturore, së bashku me Çmimin e Poezisë të dhënë nga ky institucion i rëndësishëm Evropian.
 
MEDITIME PËR JETËN
 
Jeta është një melankoli e ngadaltë për çfarë mungon
dhe për atë që nuk është më dhe s’do të kthehet kurrë.
Është një qetësi e vonuar që na puth sytë përpara
se të zgjohemi dhe përpara se të biem në gjumë.
 
Jeta rrethon të këqijat dhe të mirat tona
dhe si të ishte një shpërthim i papritur
vjen mes reve të pluhurit dhe na qëndron pranë
të na thotë se gjithçka do të kalojë, por asgjë s’kalon.
 
Jeta ecën mbi çelësat e pianos ose mbi
telat e një violinçeli.
Ajo një këngë baroke na këndon për t’na bërë
të besojmë se është e bukur, me nuanca plot.
 
Jeta ecën pranë nesh ose na bën me të vërtetë mirë
në pikën më të saktë, në shpirtin tonë.
S’na lejon të largohemi nga çfarë ka rëndësi
edhe pse zakonisht të humbur përfundojmë.
 
POEZIA PA KUFIJ
 
Nëse poezia do t’i fshinte të gjitha kufijtë
Nëse poezia s’do të linte mur në këmbë
 
Çfarë do të ndodhte në mbarë botën
Nëse poezia do të zbriste në rrugë
 
Dhe ne do të dilnim për të ecur të gjithë
Duke e njohur njëri-tjetrin për atë që jemi me të vërtetë
 
Një poezi pa kufij?
 
TI NUK ERRËSOHESH
 
Edhe pse të gjithë mund ta thonë
Edhe pse të gjithë mund ta këndojnë
 
Ti nuk errësohesh kurrë
 
Është iluzion kur të shoh që largohesh
Është iluzion kur të shoh që vjen
 
Ti nuk errësohesh kurrë
 
Ne nuk mund të të shikojmë
Ne nuk mund të të perceptojmë
 
Edhe nëse gjithçka mbulohet me re
Edhe nëse gjithçka mund të venitet
 
Ti nuk errësohesh kurrë
 
Meqë pa ty gjithçka mbaron
Meqë pa ty asgjë nuk vazhdon
 
Meqë ti nuk errësohesh kurrë
 
Tek Ti gjithësi ne jetojmë
Te ti, në gjirin tënd ne vdesim
 
Ti nuk errësohesh kurrë.
 
TË NDIEJ NË ERË
 
Ndonjëherë ti vishesh si era
Qoftë ajo e butë apo e stuhishme
 
Ti mbulohesh me ajrin e hollë
Ti që nuk ke nevojë as të vishesh
 
Ti vallëzon dhe veten e humbet
Duke u dhuruar si puthje a përqafim
 
Unë bie në shtratin tënd
Që nuk ka as kufij, as trashësi
 
Lotët e mi janë prej drite atje
Mendimi im si xixëllonjë shkrep
 
Dhe zemra ime transformohet
Në strehën tënde një herë e përgjithmonë.
 
LUMI I PËRJETSHËM
 
Lumi më tregon për Ty
Lumi i Madh i Përjetshëm
 
Prekja e tij miqësore në shkëmbinj
E  shndërron në rërë teksa rrjedh
 
Ndërsa jeta ime përparon me ty
E përhershme dhe e dhembshur
 
Ajo zvogëlohet gjithnjë e më shumë
Derisa një ditë të zhduket
 
Dhe ti së fundi je gjithçka
Lumë i pafund që rrjedh
 
Në mitrën oqeanike
Që ti je dhe gjithmonë do të jesh.

Përktheu dhe redaktoi: Irma Kurti