Syhejl Havolli - PESË SHEKUJ

Syhejl Havolli - PESË SHEKUJ
PESË SHEKUJ
 
Në kurbet jetoj qe pesë shekuj
Qiellin e vendlindjes e shoh në ëndërr
Edhe diellin edhe hënën edhe bukën
Edhe sofrën edhe malet edhe odën me burra
 
Në shtratin e zemrës kam etje
Kur blerimi lind në syrin e blertë
Koha ecën tinëz nëpër detin e lotëve
 
Këtu zogjtë nuk e njohin pikëllimin tim
As lulet që bulëzojnë para kohe mallëngjimin
As Liridona me Liridonin tim lirinë
 
Në sofër rri shtruar kafshata e qullur
Me lotët që pikojnë për Kosovën
 
Heshtja më vret për mikun plagosur n’errësirë
Me plagët e Gjergj Elez Alisë
 
Me Flamurin flas për Kthimin kur frymoj
Shqiponja qëndis Kurorën e amshuar
Liridona shkruan rrëfimin:
Durim Dardani, mungon
 
Durimi më bart në katërt anët e jetës
 
Qe pesë shekuj luftoj alfabetin e mërgimit
Zemra më rri në sytë e dritares së hapur
Dielli lind – në zemrën e Abetares lexoj
Kosovë, si nuk të njoha m’u verbofshin sytë.