CIKËL POETIK NGA SAFET SADIKU
NJË ZË I LASHTË
Nëpër degë fryn një zë i lashtë
një ulërimë që vjen nga largësitë
E filtrojnë të gjitha mendjet e zgjuara
si dritë që kalon nëpër gurë të pastër.
Nga zërat e natyrës mësova durimin
nga fortësia e maleve drejtësinë.
Po punohet heshtur për atdheun
që t'i rriten vlerat pa barriera
me logjikën e frymëzimit luftuam
për ta fituar lirinë shtetndërtuese.
Në çdo fëshfërimë gjej një thirrje
që më kujton se rrënjët flasin qetë
ruaji, nderoji dhe mbaji të gjalla
se toka të flet vetëm kur ti e dëgjon.
PAS PORTAVE
Qytetarët rrinë
pas portave të mbyllura
si tinguj që nuk dëgjohen
në orkestrën e shtetit
Ata presin një fjalë të thjeshtë
dhe dëgjojnë vetëm zhurmën e duarve
që numërojnë
vota e monedha…
Filozofia politike pyet
me zë të hollë
që përshkon muret
"Ç'është një qeveri
nëse jo shërbim?
Dhe kush është mbretëror
nëse nuk e njeh
fytyrën e popullit?"
Por përgjigjja humbet
si shigjetë në mjegull
sepse pushteti
kur verbohet
i kthen qytetarët në hije
e cila mbjell heshtjen
dhe heshtja bëhet ligj...
NUK DI MË ASGJË
Fjalët më janë mpirë
në majë të gjuhës
si gjethe të djegura
nga një erë pa mëshirë.
Pushtetarëve më duhet
t’u dal përballë
për bëmat që fshehin
nën kostume
fjala s’kthehet në varg
kur plaga kërkon dritë.
As vargje s’po shkruaj dot
sepse heshtja flet më fort se fjala
dhe e vërteta s’të lë
ta zbukurosh realitetin me rimë.
Por ndoshta pikërisht aty
ku fjala thyhet e vërteta ngrihet
zëri i mbajtur kthehet në varg
që nuk hesht më…