QYTETI NATËN
Dua ta njoh qytetin tim natën,
kur errësira mbulon gjithçka.
Germat e fundit të një dialogu
të mbledh një nga një, gjersa
qepallat të mbyllen me përtim.
Dua ta njoh qytetin tim natën,
të heshtur, me fare pak njerëz
që hapat zvarrisin mbi trotuar,
me lokalet bosh, me drita plot
teksa dridhen si tela kitareje.
Dua ta njoh qytetin tim natën;
në paqe e në rrëmujë t’i flas,
ftohtësinë e tij- si kafshatë
ta gëlltis edhe ndjeshmërinë
time në kosh plehrash ta flak.
E HIDHUR KJO KAFE
Është e hidhur kjo kafe që po pi me ty
në periferi të qytetit, të ulur në një bar,
rrugët e përgjumura seç marrin frymë
me zor dhe zgjohen ngadalë.
Makina të rralla përpara nesh kalojnë
dhe qyteti nga miniatura po del lehtë,
nervozizmi mbizotëron, s’na braktis
ashtu si një re.
Fjalët, zemërimin e një dite më parë
në llumin e kafesë përpiqem t'i mbys,
dua shumë që natën pas krahësh ta lë
e të bëj paqe me ty.
Por është e vështirë. A mundet të jetë
fundi i historisë qetësia që shurdhon,
ndërsa s’shihemi në sy, por fiksojmë
një pikë tej në horizont?
E hidhur kjo kafe me ty dhe... pa ty.