Izet Abdyli - Tregim

Izet Abdyli - Tregim
ATY KU MBIU LIRIA
 
Mendimi krijues sikur e kishte parandier se ata që merrnin jetë kishin përgatitur diçka të kobshme, ndaj vendosi të përcjell çdo detaj të ngjarjes duke shënuar me imtësi në notesin e tij me ngjyrë blu.

Nata si një pelerinë po shtrinte pushtetin në fshatin i cili shtrihej në një fushëgropë  e rrethuar me kodrina të vogla. Ata që merrnin jetë, kishte kohë që i silleshin vërdallë fshatit, por fshatarët përkundër drojës që i shfaqnin njëri tjetrit për pabesitë armike, nuk arritën të mësonin planin ogurzi të armikut. Të pabesët tërë natën kishin krijuar gjysmërrethin e patkoit, duke kryer kështu urdhrin e kryekriminelit që bardhësia borës të skuqet me gjakun e fëmijëve, grave e pleqve në luginën e fshatit që shtrihej në fushëgropë. Mëngjesi i asaj dite janari gdhiu me zhurmën e makinerisë ushtarake, britmat e urdhrat në gjuhën e huaj. Të paktë qenë ata që veshën të gjitha rrobat. Dikujt i mungonte palltoja, dikujt këpuca, dikujt diçka tjetër. Ata u gjenden mes dy stuhive, njërën anë acari që të ngrinte, e në anën tjetër ata që kishin marr rolin e bishave, se vetëm bishat kërkojnë gjak.  Një fëmijë i padjallëzuar po i kërkonte së ëmës lodrën që kishte lënë pranë oxhaku. Një tjetër nga të ftohtit ia krisi me të çara. Urdhri i xhelatit në gjuhën e huaj: brrzhe, brrzhe e bëri një çast fëminë të ndalë vajin apo mbase po parandiente kobin që po u vinte.  Kur kolona e fshatarëve të pambrojtur arriti në qendër të fshatit, i ndanë në dysh, pastaj i numëruan saktësisht, mbase aq kishin planifikuar ti vrisnin. I nisen drejt luginës në heshtje si një kortezh mortor. I ndanë babain me djalë, vëllain me vëlla, burrin me grua, nënën me fëmijë.
Mendimi krijues që po përcillte çdo detaj të kësaj pamje rrëqethëse, nuk arriti të përmbahej. Çurgat e lotëve ia mbuluan fytyrën. Si në mjegull po shihte siluetat e njerëzve që me forcë po i shtynin drejt luginës ata që marrin jetë.
 Pas pak u dëgjua breshërima e rafaleve armike që i dërgoi në përjetësi. U dëgjua pastaj rënkimi i bjeshkës përballë, si duket lisat po krisnin nga acari, apo po jepnin kumtin e një dite që do të hynte në histori. Njerëzit me uniforma të zeza pasi kryen krimin, ashtu si erdhën me bujë e me zhurmë ikën nga kishin ardhur.
Të nesërmen në luginën e vdekjes zbriti njeriu me uniformen blu dhe zbardhi misterin e ditës së kobshme. Sakaq anembanë globit në televizione u shfaqen pamje të trishta të njerëzve të vrarë në luginën e fshatit që shtrihej në një fushëgropë rrethuar me kodra. Njeriu me uniformën blu i tronditur tejmase duke parë njerëz pa kokë, pa duar, pa këmbë u shpreh pa hezitim: ky është krim kundër njerëzimit. Pastaj vetëmeveti pëshpëriti: këtu do të mbijë liria. Dhe një vit më vonë njeriu me uniformen blu mes përqafimeve të njerëzve po vendoste lule në varrezat e martirëve në kodrinën e fshatit të vendosur në fushëgropën e rrethuar me kodra.

Mendimi krijues me durim  kishte pritur një vit për të parë serish njeriun me uniformen blu, duke përmbyllur shënimet në notesin e tij për ngjarjen e dhimbshme në fshatin e vendosur në fushëgropë të rrethuar me kodra.