Bedri Tahiri - ZHGËNJIMI (tregim)

Bedri Tahiri - ZHGËNJIMI (tregim)
            ZHGËNJIMI
 
         Xha Sadiku, i lodhur e i mërzitur sa s’ka, nga mosha e nga marrëzitë e kohës, që moti po e priste vdekjen. Ishte bërë gati  me të gjitha çka i duhej një meiti të mirë. Edhe ritet fetare i kishte të kryera që nga  Lufta e Dytë Botërore, si ballist i Brigadës së Shaban Polluzhës.
Ama, kot. Ajo nuk dukej andej pari se nuk dukej. Sa e çuditshme është e shkreta, shkon aty ku nuk duhet e nuk vjen këtu ku duhet, mërmëriste me vete sa herë binte për të fjetur e sa herë zgjohej në mëngjes.
Kjo ngjiste sidomos kohëve të fundit, kur po errej e po ngrysej fillikat, pasi edhe djalin e vetëm që i kishte mbetur e që ishte epror në TMK ia kishin burgosur, dhe kur gjërat i dukeshin krejt të mbrapshta. Jo që i dukeshin atij, por ashtu ishin vërtet, shkonin lëmsh. Çdo gjë qe bërë lesheli, sa qeni nuk e njihte të zonë. Andaj edhe vdekjen po e thërriste dhe po e kërkonte me qiri e me pishë në dorë, siç i thonë një fjale.
        -Sa i mbushe, o xha Sadik?- e lodhnin, si për inat, të gjithë kur e shihnin në rrugë, ashtu gërmuq mbi kërrutën e trashë që vetë e kishte bërë prej dëllinje shtrembaluqe.
        -Ç’ju duhet juve, a mos ua kam zënë rrugën?!- ua kthente ai, fët e fët, me zërin pushkë, sidomos atyre që këtë e bënin me qesëndi e sa për tallje.
        Thënë të drejtën as vetë nuk e dinte saktë sa vjet i kishte. Tek e fundit ajo edhe nuk ishte aq e rëndësishme. Bah, një fjalë goje. Për të qenë, kishte mjaft, ore të keqen.
Sipas fjalëve të babait, dritë pastë, kur ky kishte ardhur në këtë botë, mbi trojet tona kishte pllakosur  një zezonë e madhe. Ishte koha e nemcit, që, në mos tjetër, mbahej mend për zinë e bukës. Sa kishte hequr populli i shkretë ato vite, me lena lisi, bungu  duke mbledhur nëpër male e kishin mbajtur shpirtin gjallë. Kohë  më të ligë s’kishin përjetuar kurrë këto troje, një arë e bukës  shkonte për një buçuk drithë.
Edhe e ëma shpesh i tregonte se si e kishte gjetur në vapën e madhe    të korrave, në  Arën e Shpatit, andej nga Lugu i Arushës. Ndoshta, mu për atë edhe nuk qenë gëzuar si herëve të tjera, kur fisit i shtohej një pushkë.
Sidoqoftë ishte diku aty në të  rrumbullakuar të  shekullit, por me gjithë të hequrat dhe të zezat e përjetuara ato bënin edhe më shumë.
Nejse, kush po të pyet sot për vuajtjet?!
Jo, ore vëlla, jo. Askush, hiç. Çudi, kaq shpejt të gjitha i harruam! Të mirat e të këqijat. Të mira patëm më pak e të këqija sa të duash, toka mezi i ka mbajtur. Medet, medet! Sa keq! Mu për këtë edhe kemi ngelur kështu siç jemi,- i thoshte vetës kur mërzitej shumë dhe nuk i zihej vendi vend.
       - O vdekje, ku je? Pse mori tutkune sorollatesh poshtë e lart e nuk vjen këndej nga kjo shtëpi rrënojë e mbetur shkretë, ku qyqja është ber gati të zë vend në kulmin e saj të rrëzbitur?! Pse më lë mua të shoh e të vuaj edhe më! Pse, pak pashë e pak hoqa unë i ziu deri sot?! Si duket ende nuk je ngopur më mua! As hasmi mos kaloftë rrugës sime. A e mban mend vitin 1945, kur për ditë të tëra gjalluam bashkë. Jo, thua. Hë, hë, sa hileqare dhe e pabesë që je! Mos u shtir marroçe se nuk të ka hije, nuk harrohen kurrë ato ditë të përgjakura, kur Kosova që bërë katrahurë fare. Lufta katërvjeçare e kishte vënë buzë varrit.
Dhe, në fund, kur me mund, me gjak e me sakrifica i hoqëm qafe nazifashistët, ia mbërritën ujqërit e stapeve, veshur me lëkura qengji, dhe bënë kërdinë. Na gjetën të gatshëm, të dërrmuar e të sfilitur. Ah, të mallkuarit! Topi i madh, si përherë, u zbraz mbi Drenicën e sakatosur. Kreshniku i maleve, Shaban Polluzha, u përballë me të keqen fytas dhe qëndroi deri në fishekun e fundit. Më vonë, haj medet e haj! Çdo gjë u bë shkrumb e hi. Burrat, sidomos të rinjtë, u bënë pikë e pesë. Ca andej, ca këndej. Një grup, prej mbi katër mijë vetash, na nisen për në Tivar. Sa rrugë e gjatë dhe e mundimshme qe ajo nëpër Alpet e egra shqiptare. Haj, haj. Si nëpër urë të siriatit. Një pikë ujë e shihnim ëndërr. Aq më keq e më rëndë na vinte nga Brigadat shqiptare. O Zot, sa ishin mashtruar e ishin pirë pas tyre, një fjalë e ligë për ndonjë „vëlla“ serb të kushtonte shtrenjtë, me një plumb në lule të ballit!
Dhe, ecnim e ecnim, ashtu në heshtje, pa bërë zë. Shkonim si cjapi të kasapi. Ata që lodheshin e nuk u bënin këmbët, dihej çka i priste...
Unë isha i ri, shtatëmbëdhjetëvjeçar, dhe përballoja. Në Tivar arrimë me gjysmë shpirti. Monopoli i duhanit kishte vend për të gjithë fatzinjtë. U gëzuam shumë, menduam se do të pushonim.
Hajde kokë, hajde, aty e kishim pas të përgatitur varrin e madhe, varrin e thellë, varrin e pafund!
            Shpejt krisi hataja. Qielli e deti u trazuan nga kataklizmi. Nuk merrej vesh ç’po ngjiste. Në fillim s’kuptonim gjë prej gjëje. Sikur shkrepi reja për së kthjellëti...Nga çdo anë britma… krisma...sharje...tmerr…lemeri…ferr...kacafytje...ofshama... gjak…përpëlitje...mbijetesë...
            Sakaq, edhe deti ndërroi ngjyrën. U bë kuq nga gjaku e u zbardhë nga plisat që notonin si nositë të zymtuar. Poshtë, peshkaqenët qëndronin gojëhapur dhe pritnin ushqimin  e gatshëm…
            Dhe, ti, o vdekje vello zezë u tregove e mëshirshme,  më fale, po, po, më fale.
            Edhe në luftën e fundit çlirimtare, njësoj veprove, më mëshirove dhe sërish  më fale...
Ani, ndoshta mirë bëre. Edhe vetë pata qejf ta prisja lirinë e ëndërruar. Tre djemtë dhe vajzën sugareshë ia fala atdheut, ia fala Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia fala lirisë.
Pse vetë, mos u kënaqa duke bërë sehir nga larg?!
 Jo, xhanëm, unë nuk isha gatuar i tillë. Të tjerë ishin ata që vepronin ashtu. Ku mund të rrija unë i qetë, kur malet oshtinin nga çetat e lirisë! Djemtë dhe vashat më të bukura i kishin shtrënguar armët dhe i kishin dalë bishës përpara e unë plaku, veç asht e lëkurë, që as plumbi s’kishte ku të më zinte, e që i kisha dalë livadhit në fund, të ruhesha e të fshihesha qosheve?!
Mos e dhëntë Zoti! Me takatin tim të lig, bëra aq sa munda. Ndihmova në forma të ndryshme. Barta bukë e ilaçe, barta armatim e municion. Për fat, më qëlloi edhe një kalë i lodhur e një qerre e gazepit. E mbushja plot e përplot dhe  kaloja nga zona në zonë. Nuk më ndalonte kush, se nuk dyshonin në mua!
            Megjithatë, kësaj here fati më rëndoi tepër sa mezi  përballova. Besoj, nuk e meritoja një gjë të tillë. Por, nuk është thënë kot, njeriu është më i fortë se guri e se druri. Dhe, ia dola mbanë. Madje faqebardhë, sa edhe të tjerët më lakmonin.
Kur mu vra djali i madh, Besniku, atje të Rrasa e Zogut, nuk u ligështova, por thashë “ Hallall Drenicës heroike”!
Kur mu vra i dyti, Fitimi, në Grykë të Llapushnikut, prapë u mbajta dhe thashë “Hallall Kosovës dardane”!
Kur mu vra i treti, Besimi, që kishte mbërritur nga Anglia dhe ra në Koshare, sërish bëra gajret si burrat e motit dhe thashë “Hallall Shqipërisë Etnike”!
Ndërsa kur mu vra vajza e vetme, sugarja e babait, Teuta, një copë herë u  kujtova e u kujtova dhe në fund mblodha veten e thashë me gjithë zemër “Hallall LIRISË”!
             -O vdekje e bekuar, eja, ore, eja  se më nuk mund të duroj as edhe një ditë!!!
              -Ore, është në vete ky plakush mjekërbardhë apo ka lajthitur fare?!- mund të thotë sot secili, po e dëgjoi një lutje të tillë.
              -Mbase edhe vetë vdekja çuditet dhe po tallet me mua të shkretin. Me siguri që po. Nuk më beson që e kam përnjëmend. Lanetja e përdalë, kujton se jam sikur ai plaku i lodhur, që kur i vajti afër, u frikësua e i tha: të kam thirrur të më ndihmosh për t’i  bartur këto dru deri lart. E di që nuk më beson, por unë e kam me gjithë mend. 
-Pse më thërret, o plak i mirë, kur të gjithë mezi e kanë pritur ditën e bardhë dhe sa më shohin i kap frika, sa bëhen copë e grimë duke ikur si djalli nga temjani...
            Aman, aman, ç’më dërdëllisni sikur pulat kllukë. More, unë jam në vete, fort mirë bile, po ju nuk e di se si u ka marrë koka erë ! O jeni qorruar, o keni luajtur mendsh. Vallë, a nuk më thoni ku po vemi kështu?! Ç’rrugë kemi marrë, o të mjerë?! Pse po ecim si gaforrja, së prapthi?! Ç’është gjithë kjo përçarje në sojin tonë, që dikur na lakmonin të gjithë?! Ç’është kjo xhelozi e kjo hasmëri ndërmjet veti?! Pse gjithë këto mosmarrëveshje e ndërskamca?! O Perëndi, mos ia falëm shpirtin të paudhit! Apo mos na i piu sorra e larme mendtë! Harruam atë porosinë e moçme: Bashkimi bën fuqinë! E harruam edhe përrallëzën: Dy qetë dhe ujku?! Me siguri po. Çka ngjau me ne, që edhe bota po çuditet!
Lëri ore, këta nuk qenkan për asgjë. Këta, mbase, nuk po e merituakan as lirinë!!! Kush nuk është për vete, nuk është as për  gjetiu,- gjykojnë ata që kanë ardhur këtu nga anë e botës. Pse, mos ndonjëherë ia pamë hairin Evropës?! Kurrë. As dje, as sot, as nesër. Këtë ua them nga përvoja. Unë i kam sytë te Amerika, se përndryshe...
        Një mendje cipë krisur më çukit në mendje e më thotë: “Mirë e kanë, mirë. U kënaqen. Po rrojnë për shtatë palë qejfe. Bëjnë ç’ju teket. Po luajnë me ne si maca me miun. Çdo ditë gicën vlerat tona kombëtare dhe matet impulsi ynë. Prekin aty ku dhemb, arrestojnë dhe burgosin çlirimtarët! Ne heshtim. Dhe, ca kukudhë, ashtu në heshtje qeshin e kënaqen. Mozomakeq...
            Prapë po them mirë e kanë. Pse xhanëm ta kapësh gacën me dorë, kur e ke mashën?!
Në ta nuk më mbetet hatri fare.
Faji është gjetkë, është të pyka që po e shqyen lisin e vet...
Edhe më parë, thuajse pas çdo lufte,  përjetuam zhgënjime e mashtrime. Por, atëbotë  ishte më ndryshe... Qebesa, ore burra, shkollë nuk kishim e as përkrahje nga të tjerët. Edhe luftërat që i bëmë ishin tjetër fare, ishin gjysmake, krahinore, të pjesshme.
Kësaj here ishte krejt tjetër këngë. Lufta e UÇK-së qe luftë gjithëkombëtare e ndërkombëtare. Atë e përkrahu  gjithë bota e qytetëruar, e përkrahu edhe NATO-ja. Sa e sa të huaj veshën uniformën tonë dhe u radhitën në front. Shumë edhe ranë dëshmorë. Kjo tregon luftën tonë të drejtë.
Dhe, për çudi, kur e fituam lirinë, sikur na rrodhën mendtë...na humbi kujtesa...u bëmë qepaze dhe sikur na mori lumi...Kjo nuk do shumë mend. Veç budallenjtë dhe të shpirtshiturit nuk donë ta  kuptojnë. Ku të shkosh më tej: i mohuam ata që na e sollën lirinë!!!
Lëre, ore lëre, shkuam edhe më larg, i denoncuam e i dënuam, ore jahu! I shpallëm fajtorë e mëkatnorë! I injoruam ata që  gjakun, gjymtyrët dhe jetën i dhanë për ardhmërinë tonë!!! Pse mallkimi i historisë të mos bjerë mbi ne?! Sa më shpejt bile, sa më shpejt!
       Ha, ha, ha, qeshën sehirxhinjtë dhelparakë. Plëngprishësit dhe lakenjtë u bëjnë temena atyre që erdhën për keq. Cungun për fund, thonë ata me vete. Varret e të parëve e patën rëndë dhe u skuqen. Dreq, o punë. E kobshme! Fatale! E pabesueshme! E paparë! E padëgjuar! Por, e vërtetë. Sërish na përlau sëmundja e vjetër, harresa! Harruam dëshmorët, harruam invalidët e luftës, harruam jetimët, harruam të zhdukurit, harruam skamnorët...
Gjithmonë harruam, gjithmonë pësuam, gjithmonë e përsëritëm historinë...    
            Pa, pa, pa, ç’mynxyrë!!!
             Paraja zu të vete të paraja. Mjerimi dhe skamja rënduan mbi të  përvuajturit, mbi vegjëlinë, mbi opingën e përbaltur e të përgjakur...
              - Eja vdekje, eja, ç’pret më...Eja se më nuk dua të jetoj, - u hakërrua për herë të fundit plaku i mërzitur...
               Dhe, një mëngjes të ftohtë vjeshte, xha Sadikun, e gjetën të pashpirt.
             -I ka plasur zemra të bekuarit, - tha dikush.
            -I shkreti, pas gjithë asaj që dha e që bëri, në atë botë vajti zemërplasur e i zhgënjyer,-.u pajtuan të gjithë, sa ishin mbledhur për t’ia dhënë lamtumirën e fundit njeriut që e kishte mbajtur mbi supe një shekull jetë e vuajtje, një shekull heroizëm e sakrifica...
             Çlirimtarit prapa grilash i rrodhën  pika loti për babanë që nuk pati mundësi t’i gjendej pranë, pikërisht kur i duhej më së shumti, në grahmën e fundit...