MIRËSJELLJA DHE MËSHIRA
(fragment dhe mendime)
Sjellja e mirë bëhet ndaj çdokujt në bazë të edukimit e kulturës së çdo njeriu si dhe tipareve që ai posedon. Çdokush vendos vet metodat e sjelljes, duke peshuar çdo fjalë të thënë, e gjer në veprimet e ndryshme që i bënë për të mos lënduar askënd e që është virtyt i të mëshirshmit e të njerëzishmëve. Ne nuk do t’i trajtojmë mirësjelljet zyrtare në kuptimin e rregullave, e as rregullave të tjera të mirësjelljes (kodet e mirësjelljes), rregullat e sjelljes e mirësjelljes me persona të caktuar etj., e që pak kanë të bëjnë me mëshirën. Zyrtarët trajnohen për sjellje të duhura varësisht veprimtarisë që e ushtrojnë, por është me rëndësi të veçantë edukata e integriteti i tyre personal. Mirësjellja e një zyrtari ka ndikim të posaçëm në mirëqenien qytetare, dhe paraqet mëshirim gjegjësisht bamirësi. Qytetarët duhet trajtuar si të barabartë si rregull thelbësore njerëzore.
Çdo person zyrtar ka obligim të ketë sjellje të pranushme nga qytetari, dhe nëse e bëjnë në mënyrë të vullnetshme këtë kujdes ndaj tyre, atëherë këto veprime e marrin natyrën e mëshirës, duke zotëruar kujdesi si shtyllë themelore e saj.
Një fjalë e mirë pak kushton, por dhuron kënaqësi, mbush të tjerët me energji pozitive, një fjalë e keqe damkos zemrat e të tjerëve, duke i lënduar ato dhe paraqet pamëshirësi. Çdo lëndim ka peshën e vetë të pamëshirësisë.
Mënyra e sjelljes përcakton zhvillimin kulturor e social njerëzor, dhe është një përcaktues esencial i një civilizimi shoqëror, edhe pse çdo shoqëri ka sjellje të trashëguara. Të gjitha ato që janë në harmoni me mirëqenien dhe trashëgimin, duhet të ruhen me fanatizëm, mirëpo jo që duhet të jemi të mbyllur dhe të mos importojmë e shkëmbejmë sjellje të dobishme të shoqërive të tjera në rrafshin global.
Shoqëritë, ashtu dhe individët veç e veç, kanë të përcaktuara sjelljet e tyre që janë të pranuara për atë rreth shoqëror, andaj mund të ketë përafrim sjelljesh, por jo dhe unifikim total. Ata që duan unifikim total mund të jenë radikal me primesa të tipareve të tiranëve, qenë të vetëdijshëm apo jo në kërkesat e tyre.
Për të siguruar një kontakt të frytshëm, qoftë ajo një bisedë, arritja e ndonjë marrëveshjeje, zgjedhje problemi reciprok është një kusht i thjeshtë: T'i trajtojmë e të sillemi me të tjerët, ashtu si dëshirojmë që ata të sillen me ne. Nëse kështu i qasemi problemit, atëherë marrëveshje sigurisht që do të ketë. Egoizmi është ndër teparët që pjell të këqija, duke na pamundësuar mirëkuptimin palës tjetër, si pasojë që interesat personale zotërojnë padrejtësisht mbi interesat e të tjerëve.
Për të mos lënduar të tjerët, duhet të bëjmë këto veprime: Të jemi tolerantë, nëse nuk pësojmë edhe ndaj atyre që nuk i pëlqejmë për shkak të menduarit ndryshe nga ne. Ne të bëjmë sjellje të mira e t'i respektojmë të tjerët, dhe t’u lëmë të tjerëve në ndërgjegjen e tyre si të reflektojnë ndaj nesh.
MENDIME
1. Mos u tallni me gabimet dhe të metat e të tjerëve, sepse edhe ju nuk jeni të pa gabuar dhe pa të meta.
2. Mos i kurseni buzëqeshjet e as komplimentet, sepse kështu shpërndani pozitivitet, dhe ngjallni edhe te të tjerët këto veprime të ngrohta e miqësore.
3. Mos mashtroni e mos gënjeni sepse herë do kur do zbuloheni, dhe mos u befasoni pastaj me reagime arrogante të palës së mashtruar.
4.Kryelartësia irriton rrethin tuaj ku jetoni e veproni, ajo ju përket të padëshiruarve. Është mëkat të bëni veprime që të tjerët të ndjehen inferior.
5. Mos përfillni sjelljet që ty nuk të pëlqejnë, ndërsa pala tjetër mendon se janë të mira, ato nuk janë të drejtuara nga ti për të lënduar.
6. Mendoni se veprat e mira të juajat ju sjellin vet juve, dhe të tjerëve lumturi, andaj bëni vepra e sjellje të mira, për të qenë të mëshirshëm.
7. Mirësjellja është një gurthemel, për të vazhduar ndërtimin e lidhjeve dashamirëse me të tjerët.
8. Sjelljet duhet të jenë konform çdo njeriu veç e veç dhe rregullave të një vendi varësisht nga qytetërimi i tij.
9. Një sjellje e keqe qoftë sado e vogël, mund të nxis një konflikt të madh!