MUND TË SHEMBEN KALATË POR JO VLERAT
Fëmijëria ime ishte e gëzuar. Rritur mes motrash dhe vëllezërish, nën përkujdesjen e përkushtuar të prindërve të mi, shumë punëtorë, të mbushur plot virtyte atdhetarie, të ndershëm e të respektueshëm. Netët e gjata të dimrit ishin për mua një botë e mbushur me plot hapësira fantazish të pa fundme. Lojërat e shumta mes nesh dhe fëmijëve të xhaxhallarëve, përrallat, tregimet e babait mbi jetën dhe vuajtjet e shumta si partizan dhe ushtarak, më hapnin me qindra dyer të përfytyrimeve të pa fundme fantazish. Ishte kaq bukur sa dhe ëndrrat që shihja, i shihja duke fluturuar në një botë tjetër. Ne ishim aq të lumtur sa nuk dinim se si ishte trishtimi. Nuk dinim se jashtë asaj bote ishim të rrethuar nga një tjetër botë. Shihja fijet e leshit që tirrte ime më, apo thurjen e trikove me shtizat prej duarve të saj mbas darke. Lëvizja e duarve të saj të arta më mahniste aq shumë e më dukeshin si një mrekulli. Me atë naivitetin e një fëmije ëndërroja të bëja si ajo. Fshehurazi saj merrja furkën dhe boshtin për ta imituar. Më dukeshin aq të rënda sa çuditshëm thosha se si mund të mbaheshin aq bukur dhe të endeshin gjithë ato fije. Shihja sytë e saj që qeshnin dhe më përgëzonin me fjalë të ëmbla, por kurrsesi nuk mundesha ta kuptoja se në ato fije që ajo bënte kishte aq shumë mund dhe vuajtje. Nuk e kuptoja atëherë se ato ishin fijet e jetës më të cilat ajo do na siguronte ngrohtësinë. Brenda secilës fije kishte trishtim, mendime, gëzime... Qepte natën e flinte shumë pak. Ditën duhej të punonte në bujqësi në kooperativë. Ajo me babain ishin dy të parët që krijuan kooperativën e fshatit Rov. Nuk dija të kuptoja shumë gjëra nga tregimet e tim eti kur thoshte se kalaja e Skënderbeut pati qenë shumë e bukur por u shemb, apo muret e kishës së Denasit ishin rrënuar fare. E pyeta me naivitet se si mund të ishin prishur, kur gurët janë aq të fortë sa dhe ndonjëherë na thua kokë gur apo kokë shkëmb. E si mundet të shembet vallë një kala? Ai thoshte: Je shumë e vogël. Kur të rritesh do kuptosh se gjithçka shembet. Edhe shtetet shemben. Shemben edhe malet. Gjërat e mëdha shemben me shumë vështirësi dhe duan shumë kohë për t'u rrëzuar. Ato të cilat nuk kanë për t'u shembur, janë emrat e njerëzve të mëdhenj të cilët kanë qenë mbretër të zot dhe kanë lënë kujtime të bukura mbrapa. Unë gëzohesha shumë, sepse më dukej se babai im duhej të ishte i pa shembur ngaqë më tregonte ngjarje tepër të bukura me heronj e dëshmorë ku kishte qenë pjesë e tyre, mes tyre. Kështu, fëmijëria ime ishte e bukur gjer në momentin kur fillova të kuptoj. Gëzohesha kur babai më blinte këpucë të reja. Vrapoja me to rrugëve të pluhurosura dhe pastaj mërzitesha sapo mendoja se ato do vjetërsoheshin dhe babait i duhej të punonte për të më blerë të tjera. E shihja shpesh kur kthehej nga puna me duart të gjakosura të mbuluara nga llaçi dhe pluhuri dhe futesha në mendime. Përse vallë ai mundohej aq shumë? Përse nuk ishte si shokët e tij, fjala vjen Kryetar këshilli apo Sekretar partie, apo në një zyrë shteti? Mos vallë ngaqë ishte i pamposhtur, i fortë? Duke u rritur brenda meje rritej edhe keqardhja. Kisha frikë se mos rrënohej si ato historitë e kalave apo shtëpive ku pati jetuar. Përse vallë duhej t'i ndodhte atij që kishte luftuar e sakrifikuar rininë e tij mes plumbave e maleve me dëborë, dhëmbë për dhëmbë më armikun? Përse ai i cili së bashku me skuadrën e tij të partizanëve përjetoi rrethimin e operacionit të Qershorit për shtatë ditë e netë pa ngrënë e pa pirë në mes malesh ku nuk mund të bënin asnjë shkëndijë zjarri për t'u ngrohur, sepse ishin të rrethuar? Përse po vuante ai i cili drejtoi një brigadë këmbësorësh për të realizuar misionin më delikat dhe më të madh të grumbullimit dhe transportit të armatimit me armët më të rënda dhe ato të lehta për të gjithë divizionin e zonës së Elbasanit dhe një pjesë të Tiranës (nën hundën e forcave gjermane ku dhe ra në përpjekje e luftime me ta)? Përse ai i cili sakrifikoi e luftoi në shumë beteja që prej Oparit në Vithkuq e mëtej, Qef e Martës, Pogradec, Gjonomadh, Voskopojë, Guri i Kamjes, Pogradec, Punëmirë, GjonBabas, Lejkas Denas, Guri i Kamjes, Qafë Plloç, Çermenic, urë e Bushtricës, ura e Zaranikës dhe çlirimi i qyteteve Elbasan, Tiranë, etjer? Për të lufta (edhe pse mbaroi), nuk u ndal asnjëherë. E emëruan post komandant në kufi në tre urat në Leskovik, në Ponçarë, Arzë ku përjetoi dhe luftoi edhe më shumë sa të ishte në luftë. Kur e shihja sesi punonte sesi po na edukonte, nisa të kuptoja dhe më shumë, se gjithçka shembet por vlera e vërtet nuk humbet asnjëherë. Sa mirë do jet sikur vlerat e vërteta të mos shembeshin asnjëherë nga pushtues e tradhtarë të cilët vetëm na kanë përçarë dhe shfrytëzuar. Sot po kuptoj edhe më shumë se vendi im i bukur, i shtrenjtë është duke u shembur, pavarësisht ndërtimit me rrokaqiej dhe rrugë të asfaltuara shoh sesi po gërryet amaneti i prindërve tanë.
(Manushaqe Ramadan Shalsi Në 5 Maj 2024 Durrës)
Redaktoi Ahmet Pllana