Nikollë Loka - ME FLAKËN JAM PREKUR (poezi)

Nikollë Loka - ME FLAKËN JAM PREKUR (poezi)
ME FLAKËN JAM PREKUR
 
Me flakën jam prekur pas një vetëtime të beftë,
pas ankthit që djeg kam pritur bubullimën,
a thua qenka thënë të digjem pa e dijtë,
a thua djegia të jetë ilaç për zemrën!
 
Me flakën jam prekur në një ditë të epshme,
në një ditë kur trupi humb në shpirt,
shatërvani prej syve të një femre,
në vend që të më ftohte më ka djegë!
 
Me flakën jam prekur te një lule zoje,
që si nuse harlisej në livadh,
e shkela padashje dhe me pafajësi fëmije,
guxova e i thashë: Më fal!
 
Dhe nga lule e shkelur flakë dilte,
flakë e ndezur gabimisht,
zjarr i saj te unë nuk po arrinte,
po shpirtin po ma digjte dhembshurisht!
 
Flakë në shpirtin tim nuk ndjeva kurrë,
i endur ndër ylberë e vetëtima,
më ishte djegur shpirti që me flakën e parë,
e tash pa flakë po më digjej vetëm hiri.