Angela Kosta - RRËNJA E ÇUDITSHME DHE ARKA ME AR

Angela Kosta - RRËNJA E ÇUDITSHME DHE ARKA ME AR

Angela Kosta ka lindur në Elbasan në vitin 1973. Ajo është shkrimtare, përkthyese, publiciste dhe Zv. Kryeredaktore në Gazetën Ndërkombëtare Albania Press. Ajo jeton në Itali që nga viti 1995 ku ka publikuar disa romane dhe libra me poezi e fabula.

 

"RRËNJA E ÇUDITSHME DHE ARKA ME AR"

 

Tregojnë se shumë e shumë vite më parë, një herë e një kohë, lart në një kodër, ndodhej një fshat i bukur. Rrethinat e tij ishin me vreshta dhe ullinj të shumtë, ndaj çdo fund viti, të ardhurat ishin të bollshme sikurse vera e bardhë apo e kuqe, vaji i mirë si edhe prodhime bujqësore me cilësi të lartë. Fshatarët shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin; çdo mbrëmje, pas një dite pune të lodhshme dhe të vështirë, të gjithë mblidheshin në shesh. Burrat luanin me letra, ndërsa gratë kërcenin dhe argëtoheshin me fëmijët e tyre. Buzëqeshjet ndriçoni sytë dhe fytyrat e tyre deri në mbrëmje vonë. Të gjithë banorët e fshatrave përreth, pyesnin veten se cili ishte sekreti i vëllazërisë së tyre. Kryeplaku i fshatit ishte burrë i moshuar dhe i mençur; ai ishte mëse i kënaqur nga dashamirësia dhe mirëqenia që fshatarët u jepnin çdo ditë familjeve dhe fshatit të tyre. Një ditë vere, herët në mëngjes, sapo këndoi gjeli, fshati u mbush me zërat dhe këngët e fshatarëve të gëzuar. Ata mbërritën në arat e tyre dhe filluan të punonin tokën. Pas disa orësh, pak para dreke, kryeplaku i fshatit shkoi të pushonte nën hijen e një ulliri. Mbështeti shpinën në trungun e lashtë dhe me sytë e mbushur me admirim, vëzhgoi fshatin e tij të bukur në kodër. I gëzuar, buzëqeshi me vete teksa pa dhe ndjeu paqen që mbretëronte kudo. Për një moment, sytë e tij ndaluan pak përtej vendit ku ishte ulur. Një rrënjë e çuditshme i tërhoqi vëmendjen... filloi të shatonte por dukej sikur rrënja nuk donte të shkëputej nga toka. Megjithatë, kryeplaku nuk u dorëzua; ai vazhdoi të shatonte dhe, për një çast, duke tërhequr rrënjën e çuditshme, vështroi i habitur tokën teksa hapej thellë. Një gropë e madhe u shfaq para syve të tij. Ai u largua të hidhte tej rrënjën, por vuri re se brenda gropës gjendej edhe diçka tjetër. Filloi të gërmonte përsëri me ngulmim, derisa nxori nga gropa, një arkë të mbuluar me rrënjë të çuditshme dhe të ngjashme me atë që sapo kishte hedhur tej. Kryeplaku i fshatit mori frymë thellë teksa pyeti veten çfarë përmbante arka brenda? Ndjeu një parandjenjë të keqe, ndaj mendoi ta groposte arkën në vendin e mëparshëm. Nuk i mbeti kohë ta bënte këtë sepse fshatarët tashmë ishin afruar dhe kishin rrethuar arkën. Të gjithë flisnin me zë të lartë duke pyetur kryeplakun se çfarë kishte brenda asaj arke? Duke parë lakminë në sytë e tyre, kryetari i fshatit u frikësua paksa ndaj filloi të thoshte diçka që ti qetësonte, por nuk pati kohë t'i ndalonte. Monedha ari të shpërndara në tokë i verbuan sytë. Mosbesimi midis fshatarëve zgjati vetëm një sekondë ndaj sërish, si çakej sulmuan njëri-tjetrin. Çdokush prej tyre lakmonte dhe luftonte që të merrte sa më shumë ar. Madje arritën deri në atë pikë saqë filluan të vrisnin njëri-tjetrin, duke harruar se vetëm pak çaste më parë, ata shkonin dakord sikur të ishin vëllezër. Ata u bënë armiq të njëri-tjetrit. Kush  mundi të shpëtonte u kthye në shtëpi i gjakosur. Me arin e fituar me gjak e keqdashje, ndërtuan vila të bukura me mure të larta, pa folur më me asnjë fqinj. U vetë burgosën nga pasuria dhe zilia e tyre, duke mos kënduar më, duke mos kërcyer dhe duke mos parë më dritën e agimit. Thonë se në atë fshat dielli nuk lind më, thonë se mjegulla errëson gjithçka. Thonë madje se as gjeli nuk këndon më herët në mëngjes. Tregojnë gjithashtu se ulliri vazhdon të derdhë lot, sepse toka nuk sheh më asnjeri. Në fakt, që nga dita që kryeplaku lëvizi rrënjën e çuditshme dhe gjeti arkën me ar, askush nuk pa më këmbë njeriu në atë fshat dikur të bukur.

Në këtë shkrim del fare qartë kuptimi thelbësor i tij. Njeriu jeton në paqe vetëm atëherë kur mirësia në shpirt është virtyti më i lartë i tij. Zilia nuk duhet të mbretërojë aspak në mendjen e tij, sepse paraja nuk është gjithçka. Pikërisht, në këtë rast “rrënja”, simbolizon dhe personifikon zilinë dhe maninë për t’u pasuruar sa më shumë se të tjerët. Kur Kryeplaku pa arkën e kuptoi fare mirë çfarë kishte brenda, por atij nuk i mbeti kohë të evitonte atë çka ndodhi më pas. Ari ua verboi sytë fshatarëve, i përçau, i bëri armiq. Ata vërtetë u pasuruan por humbën dy gjërat më të çmuara: paqen dhe vëllazërinë.