Fjolla Muhaxhiri Agusholli - Pjesë romani
“TË DUA JETA IME...”
Ditët që po i jetoj me Shpëtimin kanë ndryshuar shumëçka në mua, këto ditë kalojnë shumë bukur, por edhe shumë shpejt si me vrap leopardi. Shpëtimi mi hapi të gjitha dyert, që një furtunë e egër m’i kishte mbyllur, ai m’i liroi rrugët që ishin shembur, qarë e ndarë nga një stuhi shkatërrimtare dhe e pamëshirshme. E unë çfarë mund të bëja tjetër, përveçse ta çmoja, ta ndieja e ta dashuroja atë çdo ditë e më shumë, nganjëherë si e çmendur? Shpëtimi ma ktheu forcën për ta jetuar jetën, pa frikë, në hapësirën time dhe rrethin tim social, sikur një luaneshë në mbretërinë e saj, tanimë ai ishte shndërruar si një flakadan i pashuar, që më sillte dritë në çdo moment. Çdo ditë, që po kalonte, unë ndihesha e njëjtë me të tjerët, edhe pse shëndeti im më kishte privuar nga shumëçka, për shkak të verbërisë, por ardhja e Shpëtimit në jetën time, në çastin më të duhur më bëri që unë të jem e përmbushur nga të gjitha anët. Tek unë nuk kishte më net pa gjumë dhe sy të përlotur nga zhgënjimi, aty në fronin tim që ishte shtrati im, tani netët kalonin me biseda në telefon me orë të tëra dhe shumë herë na agonte mëngjesi i artë, duke biseduar të pangopur nga njëri-tjetri dhe fjala që i jepte fund telefonatës për atë natë, që sapo e linim pas, ishte njëzëri: “TË DUA JETA IME”. Shumë herë ia përqafoja zërin e tij, nga dëgjuesja e telefonit dhe asnjëherë nuk ngopesha me të, me pëllumbin tim të bardhë të rilindjes dhe jetës sime. Ato ditë të prillit i dhanë kuptim jetës sime, sikur blerimi që i jep bukuri natyrës, që e vesh gjithë atë hapësirë me gjelbërimin e tij. Njësoj edhe mua, Shpëtimi më veshi me ngjyrën më të bukur, me atë ngjyrë të kuqe, që i përket dhe e simbolizon dashurinë dhe që i ngjaja trëndafilit me aromë dehëse. Me Shpëtimin përjetova edhe puthjen e parë në një natë të bukur maji, atë natë e shijova edhe mjaltin më të ëmbël që m’i njomi këto buzë fëmijërore, që dikur ishin vetëm të vogëlushes Fjolla. Tani po më digjeshin flakë nga dashuria dhe që m’u shigjetuan gjithë damarët e zemrës, nga reflektimi i dashurisë dhe dëshirës së flaktë, që të jem e tija deri në vdekje dhe ai i imi tërësisht. Atë natë, kur e mora atë puthje nga Shpëtimi, më erdhi një ndjenjë si vetëtimë zjarri dhe atëherë kuptova që kjo që po më rrëmben aq shpejt, ashtu njëjtë siç vijnë edhe dallëndyshet po me atë shpejtësi, por edhe zëri im, fuqishëm, më fliste brenda shpirtit tim nga lumturia e që ma drithëronte trupin tim, nga dëshira dhe joshja e asaj puthje. Atë natë kuptova menjëherë se ajo puthje ishte vetëm copëza e parë e përmbushur në mozaikun e dashurisë sonë. O Zot thosha me vete Shpëtimi më puthi, por nga ana tjetër Shpëtimi ishte ai, i cili ishte duke m’i shikuar sytë dhe që me shumë ndrojtje, se mos ndoshta kishte bërë gabim që ma dhuroi atë puthje? - Fjolla ime çfarë ke kështu? - më pyeti me gjysmë zëri derisa m’i kapi duart. - A mos të bëra që të ndihesh keq? Më thuaj të lutëm mos gabova që të putha? Më fol diçka Fjolla, çfarë ndieje dhe çfarë po ndien tani? Por çfarë t’i them unë… nisa t’i buzëqeshë me këto buzë, që veç pak çaste më parë ato morën atë puthje, që tash e sa ditë e prisnin me padurim, sepse e kishin më se të nevojshme që të njomen me atë nektar të ëmbël, por edhe më se shërues, këto buzë, që jeta jo rrallëherë m’i kishte njelmësuar me lotët e kripura. Unë në trupin e tij çdoherë qetohesha dhe mezi e prisja çastin që të jemi së bashku. Tanimë Shpëtimi për mua ishte bërë shpëtimtari trim i shpirtit tim, sepse ashtu dëshiroja unë, por edhe zemra këtë e dëshironte, e doja zërin e tij, ia mbroja atë zë të ëmbël me shumë xhelozi, e doja aromën e tij dhe bëja çmos që ajo aromë të qëndronte sa më gjatë në mua, sepse në këtë mënyrë atë e ndieja afër vetës edhe në netët e argjendta, por shumë të gjata, kur më mungonte prezenca fizike e tij. Kështu fillova të dashuroj unë, e doja çmendurisht tingullin e shpirtit tim, ai tanimë është melodia më e bukur që e dëgjoi dhe përjetoi jeta ime, ai është preludi im. Edhe këtë vit stina e verës kishte arritur, por kësaj radhe nuk do flas për ardhjen e dallëndysheve, madje, as për lulet që çelnin prore e as për këtë fole e as për atë dallëndyshe. Tani Fjolla ndryshoi dhe ndjenjat e saj janë më të forta, më me vlerë dhe shumë më ndryshe, do të thosha me më shumë kuptim. Gëzimin për zogjtë e lulet, mendoj që e kam treguar mjaftueshëm në kapitujt e tjerë, tani po e ndiej të nevojshme të shkruaj dhe të flas për atë që m’i dhuroi kuptim jetës përsëri, m’i solli prapë ngjyrat në horizont, më bëri ta ndiej sërish melodinë e zemrës kur ndihet e dashuruar. Në këtë verë të vitit 2006 bënte shumë vapë, sepse këtë herë edhe dielli i gëzohej dashurisë sonë dhe buzëqeshte i lumtur, duke reflektuar me anë të rrezeve të tij përvëluese e që na bëri që unë dhe Shpëtimi të marrim një vendim më të shpejtë, sesa që e kishim menduar. Atë vit edhe netëve të vona bënte shumë vapë dhe flladi veror me kohë na kishte harruar e rrallëherë na ledhatonte trupat tanë. Disa mendje flisnin që ky vit do të mbahet në mend, sepse do ta kemi një verë me nxehtësi afrikane, por në një të diel të qershorit, derisa po bënim një gjiro me makinë, unë dhe Shpëtimi nga vapa e madhe ishim paksa të molisur dhe si në mendime. Duke e dëgjuar një këngë në radion e makinës, ku ajo këngë fliste për dy të dashuruar dhe për detin me ngjyrë blu të mbylltë, por që të verbonte me shkëlqimin e tij e që i ngjanin në thellësi me atë ngjyrë të syve të vajzës që flitet në atë këngë. Për një çast Shpëtimi e ndaloi makinën. - Fjolla, si thua, a dëshiron që ne të dy këtë verë të shkojmë në ndonjë vend bregdetar? - nisi të më thoshte ai. - Çfarë mendon më thuaj të lutem? - më pyeti Shpëtimi, - O i dashur me shumë dëshirë, por si të shkojmë? Pastaj ku të shkojmë? Kjo është ëndrra ime më e madhe, por çfarë thua a mundemi të shkojmë ne të dy? Të vetëm? A është e mundur kjo që po më thua? Sepse unë do të doja shumë, - i thashë unë. Shpëtimi me buzë në gazë nisi të më flasë dhe të më tregojë për një vend të bukur, ku ai e vizitonte prej dy vitesh dhe që për vetë atë ai vend e kishte bërë për vete qysh nga hera e parë që kishte vajtur aty. - Fjolla, zemër më dëgjo,- më tha Shpëtimi. - Kur unë shkova atje në atë ishull në vitin 2004 nuk e di as sot e kësaj dite që po të flas ty, por ai ishull më bëri që të dashurohem në të. Si me magji ai më bëri që shpirti im ta dojë atë vend dhe sikur dëshironte të më thoshte, që aty, po aty do të fillojë një kapitull i ri për mua. Çuditërisht në verën e atij viti asgjë nuk më ngjau, edhe pse ai çdo ditë ma sillte me anë të erës verore që frynte herë-herë një aromë në frymëmarrjen time. Atë aromë me shije të vaniljes dhe që asnjëherë, as edhe për një çast nuk e kisha pranë askënd, sa e çuditshme apo jo? Por pikërisht unë atë natë, kur ne u takuam për herë të parë, atë aromë vanilje unë e nuhata në ty, në trupin tënd, njëjtë krejtësisht të njëjtë si kjo aroma jote që më dehu. Herë pas here e shikoja vetën time, por çuditërisht e shikoja atë pamje së bashku me ty në brendësinë e brishtë të atij ishulli, si të ishte një përrallë. Ashtu njëjtë edhe sonte ndiej habi, sepse ne nuk ishim së bashku asnjëherë aty, sa çudi apo jo? Por mos ndoshta ai ishull do të mund të ishte shkruesi i fatit për të ardhmen tonë? Përderisa unë e dëgjoja, teksa fliste Shpëtimin me shumë vëmendje dhe kujdes, më vajti mendja në vitin 2004 kur unë bëra shëtitjen me shoqërinë time të shkollës, si maturante dhe m’u kujtua Ishulli Blu që ne menduam që ta vizitonim, por që nuk arritëm ta bënim dot. Në atë çast m’u kujtua, sesi ma rrethoi të gjithë shpirtin tim pikëllimi, saqë edhe lotët që më rrodhën nga sytë më shkëlqenin si të ishin copëza diamanti. Vetëm tani e kuptova se përse shpirti im dëshironte që të shkoja në atë ishull po në atë vit dhe çfarë force më tërhiqte që me ngulm ta vizitoja atë ishull. Atje në atë ishull, po në atë kohë paska qenë edhe Shpëtimi aty për herë të parë, që do të thotë më kishte tërhequr shpirti i shpirtit tim. Çfarë rastësie, o Zot? Derisa po mendoja dhe po flisja me vete, Shpëtimi tërë kohën më kishte përcjellë dhe nisi të më fliste që të këndellesha nga mendimet e mia. - Fjolla, e dashur çfarë ke kështu? Çfarë po mendoje? Më thuaj të lutem, jam shumë kureshtar që ta di se ku ishe me mendime? Vdiqa nga kureshtja e dashur. Apo mos… të bëra të ndihesh keq? Më thuaj, më trego diçka të lutem! - më thoshte ai. -Jo i dashur aspak, - i thashë unë. Në fakt bëre shumë mirë që më bëre këtë propozim sepse, veç tani pas disa vitesh, unë kuptova arsyen se përse unë u ndjeva keq që ishte pamundësuar vizita në atë ishull. Duke i buzëqeshur ia ledhatova fytyrën përderisa i flisja dhe i thashë se atje paske qenë edhe ti, prandaj mua më paska tërhequr forca e gjysmës së shpirtit tim, aty paska qenë dashuria ime. Duke e ledhatuar e puthja dhe u këndella krejtësisht, pastaj vazhduam prapë udhëtimin me makinë drejt shtëpisë. Të nesërmen të dy vendosëm që të bënim çmendurinë dhe sprovën e radhës në jetën tonë të përbashkët. Vendosëm që të shkonim në po atë ishull dhe unë mezi prisja që të shkonim aty, ashtu edhe vepruam e sikur çdoherë për disa ditë me ndihmën e jashtëzakonshme të shoqërisë i bëmë përgatitjet dhe u nisëm drejt një sfide të re për ne, arritëm aty ku edhe e ëndërronim tash e sa kohë, arritëm aty në bregdetin shqiptar, në Ishullin Blu përrallor. Gjatë rrugës, gjersa po udhëtonim, Shpëtimi jo rrallëherë më fliste dhe m’i shpjegonte disa vende me bukuri natyrore që ne po kalonim pranë tyre, mua më dhuronte shumë kënaqësi ky veprim i tij, sepse në njëfarë mënyre edhe unë e ndieja vetën të plotësuar. Me përshkrimin e bukurive natyrore, nga ana e Shpëtimit, unë nuk ndieja mangësi si arsye e mungesës së shikimit, shumë herë i falënderohesha Zotit që e kisha një njeri sikurse ishte Shpëtimi im. Kështu, derisa mbërritëm në vendin ku dhe po na priste personeli i hotelit, që e kishim bërë rezervimin që të qëndronim për shtatë ditë, Shpëtimi nuk rreshti së foluri, duke m’i përshkruar të gjitha gjërat përreth nesh deri në hollësi. Kur arritëm në rrugën që të dërgonte tek hoteli, Shpëtimi e ngadalësoi shpejtësinë e makinës dhe nisi të më shpjegonte pamjen përrallore, që vetëm Zoti e kishte atë forcë që të krijojë mrekulli të tilla. - Më dëgjo Fjolla, - më thoshte Shpëtimi. - Rruga ku ne po kalojmë është e kalueshme vetëm për një makinë, është e drejtë dhe e gjatë dy kilometra dhe kjo rrugë i takon vetëm Ishullit Blu, është e tija krejtësisht e mrekullia e gjithë kësaj a mund ta imagjinosh se çfarë mund të jetë Fjolla ime e dashur? - Jo Shpëtimi, e si mund ta dija unë i dashur? Unë asnjëherë nuk kam qenë këtu, - i thosha unë që nga emocioni i arritjes në atë ishull, gati sa nuk më doli zemra nga kraharori. - Eja të dalim nga makina Fjolla dhe dëgjo tingujt dhe zhurmat edhe pastaj do t’i shpjegoj të gjitha e dashur, - thoshte Shpëtimi. Posa zbritëm nga makina, çuditërisht e ndieja vetën time, sikur të isha në dy bota dhe veç pas pak çastesh kuptova çdo gjë, sepse nga njëra anë e rrugës unë dëgjoja zhurmën, kur vala rrëmbyese e përqafonte dhunshëm dhe me shumë mall e xhelozi bregun e Ishullit Blu, kurse nga ana tjetër e po asaj rruge aq të ngushtë, dëgjoja tingujt më të bukur të zogjve dhe të kanarinave, që qëndronin në degët e bredhave të gjatë, por që rrënjët e tyre ishin fare pranë një lumi, ku rrjedha e tij e vrullshme dhe e shkumëzuar ngjasonte si kristale. Bënte një kombinim të llahtarshëm dhe tejet hipnotik me tingujt që krijonin zogjtë dhe kanarinat. - O Zot! Shpëtim i dashur këtu vërtet qenka mrekulli, - i thosha Shpëtimit dhe por si një fëmijë e përqafoja dhe qetohesha në gjoksin e tij. - Eja zemra ime tani të vazhdojmë, sepse edhe disa metra do të jemi tek hoteli dhe atje po na presin personeli më i mirë që kam njohur ndonjëherë, - më thoshte Shpëtimi. Ashtu edhe ndodhi dhe me të arritur aty, mrekullitë nuk kishin të mbaruar, sepse pos vapës, që mbretëronte në të gjithë vendin, aty freskia që lëshonin bredhat ta shigjetonte frymëmarrjen me oksigjen dhe të dhuronte kënaqësi shpirtërore. O çfarë mrekullie! Pos kësaj si të mos ndihesha e lumtur kur pranë e kisha shpirtin e shpirtit tim, e kisha melodinë time të pavdekshme, preludin tim. Me një profesionalizëm dhe gatishmëri i gjithë personeli po e priste ardhjen tonë dhe ishin të gatshëm për ndihmë dhe kujdes për ne të dy. Pas gjithë asaj kënaqësie, unë me ujin e ishullit ende nuk isha njoftuar, ende nuk ma kishte shijuar trupin tim ai ujë deti, por as unë ende nuk i kisha shijuar njelmësinë e tij, as puthjet dinake dhe të përmallshme valëzore të atij ishulli, që domosdoshmërish ta ndizte shpirtin me epsh. Unë tash e disa kohë po vdisja nga dëshira që ta vizitoja dhe ta njihja për së afërmi, por çfarë të bëja kur nuk më ishte bërë e mundur që të ndodhte më parë kjo gjë. Ndoshta kështu do të jetë më mirë, sepse këtë vit unë u njoha me Shpëtimin tim, këtë vit u njoha me Ishullin Blu, por po në këtë vit dhe po në këtë ishull unë do të njohë shumëçka: do të mësoj dhe përjetoj shumëçka, madje po këtu do ta njoh dhe ta shijoj edhe Shpëtimin tim; do t’ia shijoj edhe trupin e tij; do ta përjetoi edhe natën e parë të afshit të bukur dhe që do të mbetet i paharruar. Për të parën herë më ndodhi edhe një pikë tjetër e kthesës në jetën time, sepse për herë të parë unë as nuk nxora asnjë pikë loti dhe as nuk ndjeva dhimbje, kur trupi im u njollos me disa pika gjaku. Jo, përkundrazi ndihesha e lumtur, sepse me dëshirë ia dhurova vajzërinë Shpëtimit tim. Dita e parë nisi mrekullisht, u sistemuam në atë ishull unë dhe Shpëtimi vetëm larg familjeve, larg shoqërisë, edhe pse Mimoza ishte ajo që më telefononte pa nda, duke më pyetur çdo ditë. - Alo Fjolla si je? Si jeni që të dy? Si po kaloni? A keni diçka nevojë? - më pyeste ajo pa ndalur. - Mimoza si je ti? - i thosha unë. - Mos u bëj merak mikesha ime, sepse ne asnjëherë nuk kemi qenë më mirë, dëgjohemi prapë dhe mos u bëj merak! Mirëpo ajo ishte sa e kënaqur për mua, por edhe me pak shqetësim, se a do të mund t’ia dalim mbarë të vetëm. Unë mundohesha që t’i tregoja që të mos shqetësohej dhe të qëndronte e qetë, sepse Shpëtimi më dhuronte siguri e mbi të gjitha shumë dashuri. Teksa po arrin dhe nata e parë në Ishullin Blu, tashmë ky ishull ishte bërë i yni, sepse vetëm ky Ishull Blu do t’i njohë të fshehtat tona, do të jetë dëshmitar i zjarrit të dashurisë, të afshit të përjetuar nga nata e parë. Ky do të m’i fshijë pikat e lotëve të kripur, që ngjasonin me ujin e atij deti, që kësaj radhe nuk rridhnin ata lot nga pikëllimi, por nga ndjenja e përmbushjes së asaj ëndrre, që më parë as që do ta kisha sjellë në mendjen time. Atë natë, që kaloi me Shpëtimin, asnjëherë nuk do ta harroj, sepse atë natë për herë të parë e ndieja vetën femër. Shpëtimi më bëri të ndihesha grua, më bëri ta njihja dhe ta dua trupin tim. Trupin hyjnor të Fjollës që dridhet nga dhimbja e ëmbël, por që ndiente shumë kënaqësi nga ato dridhje mrekullisht të ndiera, që mbanin brenda vetës dhimbje, lot, mall, por edhe dëshirë, nevojë, shprehje, çlirim shpirtëror të harkut sensual dhe mjaft të brishtë në personalitetin tonë. Përjetonim çaste të papërjetuara ndonjëherë dhe ndienim njëritjetrin brenda vetës sonë, e spektatorët dhe dëshmitarët e natës lumturisht na përqafonin trupat tanë dhe shënonin me shkronja të flakta çdo përjetim të zjarrtë jetësor. Jeta ma kishte shpuar dhe groposur ndër vite atë ndjenjë, por nuk kishte mundur të ma shuaj zjarrin dhe afshin, që Shpëtimi ma rilindi përsëri, duke i shijuar trupat tanë me ledhatime, puthje, epsh dhe afsh të zjarrtë. Më bëri që shpirti im ta dëshirojë aq shumë edhe trupin e tij, pikërisht atë natë që i bëmë një shpirtrat dhe trupat tanë, duke e shijuar dashurinë deri në asht. Sot që e kujtoj dhe e them me vete, sesi nuk u ndalëm, as për asnjë moment, duke jetuar çaste dashurish deri në mëngjes në Ishullin tonë të dashur Blu, që tanimë veçse e kishte shkruar pak me ngjyrë gjaku të virgjërisë sime e tjetrën me ngjyrë floriri, që pikonte dhe dilte nga ofshama e grykës së fytit tonë. Pikërisht ajo natë e kurorëzoi harkun e fatit dhe të ardhmen tonë, dhe ashtu të kapur dorë për dore më kishte zënë gjumi në trupin e Shpëtimit, mbi gjoksin e tij. Flija e qetë edhe shumë e lumtur, që iu dhashë e tëra me shumë dëshirë e hëna e natës i dëgjoi të gjitha rënkimet e mia. Ato ofshama që tani nuk dilnin më nga trishtimi, por nga dashuria, fundja ishim të rinj dhe nuk po bënim asnjë mëkat thjesht e dashuronim njëri-tjetrin, që me vite këtë ndjenjë e kishim ndrydhur nga dhimbja. Brenda vetës sonë ajo rrinte e zjarrtë, duke e forcuar dita ditës lidhjen tonë dhe duke i mposhtur edhe ato pak dyshime, që na pickonin mendjen ndonjëherë. Çdo natë aty edhe era, që frynte, këndonte tingullin e saj për mrekulli, tani edhe hëna çdo natë na dhuronte vetëm puthje dhe qëndronte e buzëqeshur me përqafim të yjeve të rrethuar, duke e lëshuar mbi lakuriqësinë e trupave tanë nga një meteor, për të na bërë të ditur që ajo është dëshmitare dhe po ashtu shumë e lumtur për lidhjen e shpirtrave tanë. Tanimë isha bërë e tij, isha bërë melodia e preludit tim, e dashuroja dhe më dashuronte sikur mushkëritë oksigjenin, sikur zemra gjakun, sikur syri dritën, ashtu e jetësuam dashurinë tonë. Fundja ishim të lindur për njëri-tjetrin edhe që nuk do të mund të ishte ndryshe, ne pra jemi ata të dy të panjohur për Ishullin Blu deri më dje. Po i kalonim ditët më të bukura të jetës sonë dhe në ato shtatë ditët që i kaluam së bashku, unë mrekullisht po edhe Shpëtimi ishim shumë të lumtur, e kishim tani më një vizion të qartë për ardhmërinë e jetës sonë, asnjëherë më nuk luftoja me shpirtin tim, sepse fare mirë e dija që Shpëtimi do të jetë fati im. Shpëtimi ishte njeriu i parë në jetën time dhe që i premtova ndërgjegjes, por edhe zemrës sime që ky do të jetë edhe i fundit njeri për mua, pra deri në përjetësi. Fundja e tillë isha e formuar unë, e tillë ishte kaçurrelja Fjolla, lozonjare, por tmerrësisht besnike. Në këtë rrëfim fjalët ndoshta janë shumë të vogla për ta përshkruar një dashuri aq të madhe dhe reale, apo më mirë të themi një mrekulli, apo më saktë do të ishte bekim dhe dhuratë nga i madhërishmi Zot. Unë dhe Shpëtimi vërtet ishim duke ecur mbi udhë trishtimi, por fundi i kësaj rruge na bashkoi të dy bashkë, pra kështu për ne ishte ky takim. Andaj nuk duhet humbur shpresën dhe qëllimet në jetë, edhe pse disa zëra njerëzish iu kishte humbur arsyeja e që buzëqeshja iu kishte ngrirë. Mendonin që edhe mua, po sikur atyre fjalët dhe ndjenjat, më kishin mbaruar, pikërisht ata të mjerë më thoshin që jeta të gënjen, të thyen e të vret, por unë assesi asnjëherë nuk iu kam besuar atyre, sepse besoja shumë në mrekulli dhe pikërisht mrekullia, që më ndodhi me Shpëtimin, e mposhti gënjeshtrën, thyerjen e zhgënjimin. Ajo nuk lejoi të më vriste por m’i dhuroi kuptim edhe më të fortë tanimë jetës, kësaj jete që na përket vetëm ne të dyve, pra tashmë të përbashkët me atë që m’u bë shpirti i shpirtit tim. Unë dhe Shpëtimi po kalonim ditët e para së bashku dhe ato janë më të bukurat ditë, sepse ndiheshim çmendurisht të dashuruar e të dhënë për njëri-tjetrin. Tashmë Shpëtimi ishte brenda qenies sime dhe unë qetimi i shpirtit të tij, për të isha shndërruar në dritë shpirtërore, edhe pse për vete jetoja në errësirë, e Shpëtimi për mua dashuri dhe jetë. Nuk do të lejoj më asnjëherë që të përfundonte ende pa filluar, sikurse që kishte ndodhur për shumë të rinj që merrnin trajtë dhe emërtim të thjeshtë vuajte, rutinë dhe në fund dhimbje. Jo kjo nuk kishte të bënte me ne, sepse unë dhe Shpëtimi vuajtjen dhe dhimbjen, që na e solli fati në jetë, e mposhtëm me të shenjtën dashuri që e gjetëm dhe ia falëm njëritjetrit. E ulur në makinë duke e pritur Shpëtimin që të niseshim, për t’u kthyer në shtëpinë tonë, isha e thelluar në mendime, duke i kujtuar çastet më të bukura që i përjetuam në ato ditë korriku, kur papritmas një zë i ëmbël më këndelli, duke më përqafuar në faqe e duke m’i ledhatuar flokët më buzëqeshi e më tha, sesa shpejt kishin kaluar këto ditë. - Fjolla pajtohesh që të kthehemi sërish këtu në një ditë të afërt? - ishte ai zëri i Shpëtimit tim. - Po patjetër, çdoherë dhe në çdo stinë dhe e di përse? - e pyeta Shpëtimin, - Hm, - më tha ai. - Sepse ky ishull na mban çelësin e të fshehtave dhe të dashurisë sonë. Iku ajo javë e mbushur me plot ëndrra dhe plane për ne të dy, erdhi koha të kthehemi në vendin tonë të lumtur dhe mrekullisht falënderues ndaj Zotit, që na e kishte mundësuar që t’i takonim përjetësisht njëri-tjetrit. I premtuam edhe Ishullit Blu që, tanimë ishte bërë i vetmi dëshmitar dhe kishte parë çdo imtësi dhe fshehtësi tonën, sërish do të kthehemi tek ai, sepse tek ai ne falëm shumëçka, madje unë aty e dhashë edhe vetë virgjërinë time, që ndër vite po kjo virgjëri, ndoshta do të shndërrohet në perlë, që i mban të fshehtë dhe i ruan me zili deti, por ndoshta edhe në xhevahir që në anën tjetër të atij ishulli matanë, i mban e ruan vetë mbreti. Të gjithë udhëtimin e kaluam të përqafuar e me duar të kapura me njëri-tjetrin, por me të arritur në vendin tonë unë dhe Shpëtimi vërejtëm diçka të çuditshme! Aty kishin ndryshuar shumë gjëra madje edhe vetë mendimi dhe përshtypja e njerëzve të zemrës që i kemi, që nga familjarët e deri te shoqëria jonë. Në fytyrat e tyre nuk vërehej më trishtimi, mërzia, frika dhe zhgënjimi, por ata i shikonim të lumtur e të buzëqeshur plot motiv dhe shpresë për jetë. Ne ishim paksa të habitur me gjendjen e tyre emocionale e që, as mua dhe as Shpëtimit nuk na shkoi në mendje që e vetmja arsye për këtë ndryshim ishim vetë unë dhe Shpëtimi. Ne ishim ata që iu rikthyem buzëqeshjen familjeve dhe shoqërisë sonë, në fakt ishte dashuria jonë ajo që solli dhe riktheu jetë e qetësim shpirtëror tek të gjithë ne, por sërish e pyesnim njëri-tjetrin duke thënë: Çfarë po ndodhë kështu? Çfarë po ngjan me këta? Apo mos ndoshta… a thua është lumturia jonë, që ndriçonte me shkronja të flakta mbi kokat dhe fytyrat tona, i gjithë shkaku? Po pra ajo ishte, ishte ëndrra jonë që ishte shndërruar në realitet, mrekullisht do të jetohet gjatë për vite deri në frymëmarrjen e fundit për ne. Ditë pas dite kështu po kalonin javët, muajt e shumë shpejt u bë një vit i lidhjes dhe dashurisë sonë. Çdo gjë po kalonte si mos më mirë dhe pikërisht me trembëdhjetë prill mikesha ime e dashur, Mimoza, si edhe shoqëria e Shpëtimit, na e kishin përgatitur një befasi të veçantë. Mimoza ndihej si asnjëherë më parë e lumtur dhe e përmbushur, sepse kishte arritur që ta mundësonte që të realizohej kjo mrekulli mbi ne, si bekim nga Zoti. Ia kaluam bukur në atë natë përvjetori të parë, e gjithë ajo festë e shoqëruar edhe me fishekzjarrë, të gjithë vallëzonin, buzëqeshnin. Biseda të ndryshme shkëmbenin të gjithë me njëri-tjetrin me tingujt e ëmbël të muzikës, gjëra të cilat na lumturonin pa masë mua dhe Shpëtimin. Kështu po kalonin orët, ditët, muajt, vitet e tashmë u bënë katër vjet me lidhjen tonë, por Ishullin tonë Blu asnjëherë nuk e harruam. Atë e vizitonim çdo vit dhe përjetonim lirinë, afshin e zjarrtë të shpirtrave tanë të dashuruar dhe kënaqësitë më të mëdha, se vetëm ky ishull di t’i falë e në veçanti mua dhe Shpëtimit, që tanimë ishim pjesë e mrekullive dhe të fshehtave të tij. Por në këto vite, që kaluan së bashku me Shpëtimin, kishim edhe momente shumë të vështira. Ah! Vitin që kaloi Shpëtimi ishte sëmurë madje shumë rëndë, saqë ishte e nevojshme që të shkonim në Zvicër, në një spital që ndodhej mes Zyrihut dhe Loikernut, sepse në vendin tonë Kosovë, Shpëtimi nuk mund të kishte shërim dhe mund edhe të vdiste. Këto janë disa nga momentet që ne në vazhdimësi na përcillnin, por rastet tjera nuk do t’i përmendi, sepse nuk dua më të flas për sëmundjen, as për dhimbjet, jo as për trishtimin e zhgënjimin ndaj jetës lajkatare. Edhe sot, që po shkruaj pas sa vitesh, po ndiej dhimbje në shpirt, por pas çdo sfide që ne po kalojmë po fitonim një forcë shpirtërore dhe po vazhdojmë para edhe më të dashur se kurrë. I kishim dhënë një premtim njëri-tjetrit dhe ai premtim ishte se çfarëdo që t’na ndodh, nuk do të lejojmë që t’i dorëzohemi të ligës. Madje do ta mposhtim dhe vdekjen e që asnjëherë nuk do ta lejonim njëri-tjetrin assesi të iki nga kjo jetë e të mbetemi prapë të vetëm. Atë asnjëherë më nuk do ta lejojmë dhe kështu vazhduam o së bashku në këtë botë ose sikur dy engjëj në botën tjetër. Zjarrin e dashurisë që kemi për njëri-tjetrin nuk e shuante asnjë sfidë që na godiste, sepse çdoherë e mbajmë njëri-tjetrin në thellësinë e shpirtit, ishim bërë tanimë edhe vetë arsyeja e jetës, frymëmarrjes dhe forcës që të ishim një trup, shpirt e zemër. Do ta mbaj butësisht në pëllëmbë të dorës gjithë botën, vetëm e vetëm që Shpëtimi im ta ketë peshën e dhimbjes më të lehtë dhe të jetë pranë meje deri në fund të jetës. Do t’i bëja ballë të gjitha dhimbjeve të sjella nga jeta, vetëm e vetëm që ta mbroj e ta ruaj lumturinë time dhe të Shpëtimit tim. Isha mësuar, tanimë që të ndodhesha përballë lakuriqësisë nepërkë të jetës dhe prapë jam ngritur në këmbë, por kjo e fundit edhe pse shumë herë ma shpoi e grithi shpirtin tim, unë prapëseprapë e mposhta atë me armën më të çmuar, që jo çdo njeri e zotëron. Unë e pata fatin që ta kem atë bukuri dhe forcë që e trashëgoi zemra ime e që çdoherë i mposhta dhe i lashë prapa krahëve të mi të gjitha sfidat e jetës. Tani e tutje jeta ime nuk do të kishte kuptim pa Shpëtimin tim, tani frymoj për të, jetoj për të, ia dua shpirtin e tij, ia adhuroj personalitetin e tij, ia adhuroj edhe uniformën e tij ushtarake, që në raste të veçanta çdoherë ishte e vetmja zgjedhje e preferencës dhe dëshirës së tij. Është qenia humane ajo brenda tij, që mua më bënë ta dashuroj verbërisht dhe krejt vonë e kam kuptuar se përse jam bërë e tillë? E që edhe këtë dua ta tregoj nuk dua ta mbaj të fshehtë, pra ishte Shpëtimi im ky që nuk më la që vitet dhe fati të më vyshkin e të tretem nën grim, vetë ai m’i dha kuptim jetës, ai e rifilloi rilindjen e Fjollës. Në fund të vitit 2009, në muajin dhjetor, unë dhe Shpëtimi u kthyem nga Zvicra, ku kishim shkuar për shërimin e Shpëtimit dhe çdo gjë po ecte për së mbari, se tanimë Shpëtimi ishte shëruar dhe ndihej mrekullisht mirë. Ishin afër edhe festat e fundvitit dhe po bënim plane se çfarë do të bëjmë, por që as që do ta mendoja për befasinë që Shpëtimi kishte përgatitur për mua. E përcollëm edhe ndërrimin e viteve dhe jeta ime filloi krejt ndryshe në vitin 2010, në mars do ta festoja ditëlindjen dhe befasia që tregova më lart u jetësua u bë realitet në ditën e lindjes sime, ku Shpëtimi më propozoi që të pranoj të fejohemi dhe më pas edhe ta kurorëzojmë dashurinë tonë me martesë. A thua vallë është ndier edhe dikush tjetër në botë ashtu siç u ndjeva unë në ato çaste? A thua vallë e gjitha kjo ishte ëndërr e bukur? Apo jeta ime nuk do t’i ketë më stinët e ndara në gjysmë dhe të përlotura? Jo nuk do të kemi ditë pa dritë dhe as net pa hënë e yje, tani çdo gjë ka arsye dhe motiv të fortë në jetën tonë. Isha shumë e lumtur ashtu sikurse edhe Shpëtimi, pra ne shumë shpejt do ta bëjmë edhe fejesën tonë dhe i numëronim çastet që të arrijë ajo ditë e bekuar për ne të dy…