Vladimir Shyti - PËRBINDËSHI (tregim)

Vladimir Shyti - PËRBINDËSHI (tregim)
PËRBINDËSHI
  
Atë ditë, Lena e kishte ditë pushimi dhe mendoi të dilte për të kërkuar një strehë, ku do të jetonte pasi të martohej me të dashurin e saj të zemrës. Rruga ishte pushtuar nga buritë e makinave dhe të sirenave. Lumenj njerëzish me sy përdhe derdheshin drejt sheshit me pankarta e flamuj partish. Lena lëvizte e ngathtë në mes të këtij fluksi të papërmbajtur. E mësuar tashmë me qytetin, po tentonte të hidhte të paktën një vështrim në fytyrat që kalonin përpara, fytyra të mprehta si era, dhe të ngurtësuara nga tensioni e nxitimi. Dhe gjithë ky irritim do të zbrazej në sheshin e madh të qytetit, ku pritej një tubim madhështor.
Në një kthesë mbajti hapat, nxori nga një portofol lëkure thurur me tejmina një pusullë, ku shkruhej adresa e shtëpisë që ishte në shitje ose me qira, e lexojë edhe një herë për siguri dhe nxitoj hapat për të marrë autobusin e një lagjeje periferike të qytetit. Shtëpinë e gjeti pa u munduar shumë, që andej vinte rrapëllima e një radioje të ndezur. Ishte dhjetë e mëngjesit, vajza picërroi sytë duke ndjekur mizërinë e zogjve që fluturuan mbi kokën e saj dhe trokiti në derë.
Njëra kanatë e portës u hap menjëherë, e cila të linte të kuptohej se i zoti shtëpisë po e priste me padurim ardhjen e vashës. Ai ishte një zotëri disi i moshuar, faqeplloskë të kuq, mustaqeli e kalesh me një trup të drejtë. Përmes xhamave të syzeve miope, Lena vështroi dy sy të lodhur si të mjegulluar, nga ku dukeshin dy qeska bojë gri. Përshëndeti plot respekt pas pragut të derës dhe e ftoi vashën të hynte brenda, mbasi e ardhura i foli për shkakun e ardhjes së saj aty, dhe e shoqëroi për në dhomën e pritjes, me dy dritare të mbuluar me perde mëndafshi ngjyrë rozë.
Ky nderim i pazakontë që po shfaqte ky zotëri i rënë paksa në moshë e bëri Lenën të mos ndihej mirë në ato minuta të para, por edhe në vazhdim. E vështroi gjatë të zotin e shtëpisë në fytyrë e më pas foli;
-Jam e sigurt, që këtë pësullë ma dhatë ju në një stacion autobusi, apo jo?
-Kam shpërndarë shumë të këtilla, më ndjeni po nuk u mbaj mend,-tha tjetri me një buzëqeshje të hollë dhe rrotulloi burmën e radios duke e fikur atë.
-Vetëm jetoni?-pyeti vasha.
-Po, kam një tjetër shtëpi në vendlindje, ndaj mendova t’a shes këtë. T’ju afroi një gotë me lëng frutash të ftohtë?
-Jo, faleminderit, dua të shoh shtëpinë, mundem,-dhe Lena ende pa u ulur la çantën e dorës mbi një pufte katrore dhe doli në korridorin e zbrazët, që ndriçohej nga një llampë elektrike.
-Sigurisht, për këtë keni ardhur deri këtu,-i zoti shtëpisë nuk e ndoqi vashën. Gjatë kohës që ajo suverjoi dy dhomat e tjera, ai përgatiti diçka për të pirë.
-Shtëpi e mbledhur, por e bollshme për mua,-u dëgjua zëri vashës duke hyrë në dhomën e pritjes.-Sa e ke prerë shkurt çmimin?
Faqeplloska nuk u përgjegjë, e ftoi të ulej dhe i mbushi një gotë verë të bardhë nga një shishe barkmadhe. Vasha shkoi tek vendi ku ishte çanta dhe zuri vend, pastaj dëgjojë zërin e tij që dridhej si telat e një violine të çakorduar, i cili afroi një shumën tepër të madhe për atë shtëpi.
-Nuk kemi aq para,-tha Lena dhe një lulëkuqe i përshkoi fytyrën e qelqtë.
-Mund të bëjmë një marrëveshje dhe shtëpia ju qoftë falë.
Ajo ngriu si e murosur në mermerin e ftohtë, e vështroi vëngër, një tik nervor i lëvizi në vetull, tentoi të ngrihej, por ai i hodhi në tryezë një foto paksa të rrudhur ndër vitet, e pa ashtu pa interes dhe e habitur u shpreh;
-Këtu në foto jam unë, por jo teshat që ka veshur.
Gruaja në foto kishte sytë e saj si dy gështenjëza, që shkëlqenin dhe vetëtinin si gështenjat kur piqen në zgarë. Veshë të bukur si të tejdukshëm, të rrethuar nga tufza flokësh të zinj, të dendur. Krahët e zhveshur, të dystë, që të kujtonin tulin e pjeshkës së zhveshur.
-Nuk je ti, ajo është ish gruaja ime, që ka vdekur me fëmijën tim në bark.
-Edhe…!?
Faqeplloska mori një qëndrim demoniak, i cili kishte gjetur strehë në qenien e tij. Dhe tashmë demoni zotëronte elementet njerëzore pa mëshirë. Në këtë mënyrë mbush me shqetësim njerëzit dhe i drejton drejt fantazisë së tyre të shfrenuar, derisa ata lëkunden të sflituar në stuhi dhe përplasen pas shkëmbinjve të fatit; -Më jep një fëmijë, dhe t’a gëzoni shtëpinë,-shtoi pa ndrojtje.
-Psikopat, i fejuari im do të vrasë për këto që the,-ngriti zërin Lena dhe u mat të largohej.
-Nuk mund të dalësh,-foli demoniaku me një qetësi që të nervozonte dhe tundi në ajër një tufë me çelësa që kërcitën lehtë në dorën e tij si putër ariu.
-Do të kërkojë ndihmë,-tha duke ulëritur vasha.
-Nuk të dëgjon njeri, e gjithë lagja është në sheshe.
-Hapma derën! Do të pendohesh për këtë veprim,-bërtiste vasha e alarmuar në gjendje ankthi.
-Ta marrim shtruar, moj grua!
-Hajvan, nuk jam gruaja jote.
-Ju jeni në prag të martesës, askush s’do ta kuptoi…Më pas, edhe këtë e kam menduar, çdo gjë do të mbetet e fshehtë midis nesh, dhe shtëpia bëhet e juaja, letrat i kam gati, madje edhe të noterizuara.
Pa mbaruar ende frazën demoniaku, vasha u kthye në përbindësh. I dha trupit para dhe ia ngjeshi me grusht turinjëve. Tjetri reagoi menjëherë, e mbërtheu nga beli, duke duruar pëllëmbët e saj dhe thonjtë që i gërvishtnin faqet me damar të kuq dhe, e shtriu në këndin e gjërë, duke ia paralizuar duart e saj të njoma me duart e tij prej burri. Pastaj, me njërën ia mblodhi të dyja duart mbi krye dhe me dorën tjetër i preku gjinjtë e gufuar. Lena kërkonte ndihmë duke bërtitur e lemëritur në kupë të qiellit, por askush nuk e dëgjonte. Faqet e zbehta ia mbuloi një purpur i përflakur, buzët e shtrënguar pas dhëmbëve që kërcisnin pa reshtur, sytë e zgurdulluar plot urrejtje dhe trupi i tendosur që dridhej mbi sfungjerin e këndit po lejonin ndalimin e zemrës. Demoniaku rrëshqiti dorën poshtë barkut të vashë dhe tentoi të hiqte të mbathurat. Ajo përpiqej të shtrëngonte sa më fort kofshët pas njera-tjetrës, po e linin forcat dhe dalëngadalë këmbët nuk po i bindeshim më. Ktheu paksa kryet nga tryeza ku ishin takëmet e pijes, e la të lirë trupin dhe ra në gjendje të fikti ose bëri me gjasme. Përbindëshi e lëshoi trupin e tendosur, ia liroi duart, ajo nuk lëvizi, pak sekonda, përdhunuesit iu shtua ereksioni, zbërtheu zinxhirin para pantallonave i ngriti fustanin luleshumë dhe shkyu të brendshmet e vashës, por sakaq, Lena gjysmë e ngritur, në mënyrë rrufe rrëmben shishen barkmadhe nga suprina tryezës dhe e godet me forcat e fundit aq fort në krye, sa demoniaku ra pa ndjenja pas tryezës, duke hedhur me zhurmë një vazo metalike dhe enët e pijes.
Ngrihet menjëherë në këmbë me shishen në dorë dhe përsëri tek ajo krijohen konvulsione të llahtarshme, shtetëzime prekëse ia përshkonin trupin e drobitur deri te majat e gishtave dhe fundi flokëve. Nga buzët e shtrënguara iu shkëputën britma dhe ofshama, pas kësaj angështije sfilitëse tërë mllef e tërbim duke humbur kontrollit e godet rishtas viktimën e demonit me sa fuqi pati. Shishja u thye, por ajo rrëmbeu vazon metalike dhe qëllonte mbi kryet e tij derisa fytyra iu mbyt në gjak. Pastaj, hodhi tutje vazon duke bërë një zhurmë mbytse, seç foli nëpër dhëmbë ca fjalë të pista në drejtim të viktimës, i rrëmbeu çelësat nga xhepat e gjakosur, rregulloi veten me aq sa mundi dhe doli jashtë triumfuese.
Mbas disa ditëve gazetat njoftonin se ishte gjetur një person i vdekur brenda shtëpisë të vet, por hetimorët nuk kishin asnjë të dyshuar, vrasësi nuk gjendej kurrkund.