Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
BLLACA FERRI I DANTES, PO EDHE I SHPËTIMIT
Asllan Qyqalla
...Në mëngjesin e 1 prillit 1999, të datëlindjes sime, unë me bashkëshorten Havën, dy fëmijët, si dhe në banesë e kisha edhe nënën me dy motrat, dy studentë që i strehuam se s'kishin ku të shkonin, pastaj vëllai i Havës me nuse e me fëmijë u nisëm të gjithë së bashku për te stacioni i trenit. Edhe pse ishte Ditë Bajrami askujt s'i shkonte mendja ke Bajrami, por si të shpëtonim.
Në stacion të trenit, në Prishtinë, një turmë prej 10.000 njerëzish që i kishin ndjekur dhe që iknin nga torturat serbe e nga vdekja që i vrisnin për çdo orë policia, paramilitarët, ushtria e të burgosurit serbë, popullatën e pafajshme shqiptare, ata kishin vërshuar stacionin e trenit si shpëtim për në Bllacë.
Treni nuk vonoi dhe erdhi, ku turma për të zënë vend në tren i shtypnin ata që ishin më halllig. Motrat e mia, Mirlinda e Selvia, hipën ndër të parat dhe ne fëmijët ua dhamë për dritare që t'i shpëtonin ndrydhjes nga njerëzit. Mezi hipëm dhe ne.
Treni u nis menjëherë. Ndaloi në Fushë-Kosovë. Fëmijët kërkonin ujë. Unë nuk guxoja të zbrisja se më kapnin policia që ishin në stacion. Atëherë motra më e zhdërvjelltë, zbriti shpejt dhe aty nëplatonë e pritjes kishte ujë, i mbushi shishet shpejt e shpejt dhe u kthye tek ne në tren.
Në Bllacë mbërritëm pas një orë e gjysmë, meqë udhëtimi ishte me disa ndalje, por që nuk kishte për fat asnjë kontrollim të udhëtarëve.
Sapo zbritëm nga treni na urdhëruan të ecnim vetëm nëpër binarë, se po e lëshuam binarët, fusha ishte e minuar dhe ne mund të pësonim. Sapo zbritëm nga treni na u duk sikur fituam një copë liri dhe morëm frymë thellë dhe lirshëm, sepse u kisha shpëtuar kthetrave e ndjekjes për të më likuiduar.
Në Bllacë ishte një ferr i Dantes. baltë, turma e njerëzve arrinte në qindra-mijëra. Pa asgjë mbi kokë, veç natës së errët, shiut që na përcillte, erës së ftohtë dhe reve të dendura, asgjë tjetër s'kishim mbi kokë. Kudo zëra fëmijësh që kërkonin strehim, kërkonin një tendë për të mos u lagur nga shiu e për të mos u mërdhirë nga të ftohtit. As vend për t'u ulur në baltë, skllotë e në ujë s'gjenim. Në një skaj gjetëm pak vend toke sa për të mos u ulur në ujë. Hava kishte dalë për të marrë ndonjë bukë për fëmijët, nënën, motrat, vëllain e fëmijët e vëllait të saj. Studentet, që ishin me ne, pasi hipën në tren edhe ato, më s'i kemi parë kurrë dhe as që na janë lajmëruar ndonjë-herë në shenjë falënderimi, për strehën që ua bëmë gjatë kohës së bombardimeve për 7 ditë...