Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99’
Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
VARRI I DJALIT TË KOSOVËS
Daim Hiseni
Përpos angazhimeve dhe detyrave të luftës, ishim të përfshirë edhe në aktivitetet e Qendrës për pranimin dhe evidentimin e refugjatëve në SHF. “LIRIA” në Shkup, ku drejtori i saj Alush Hamidi, brenda hapësirës së shkollës i kishte adaptuar klasat në dhoma për gjininë femërore, për nënat me fëmijë, ambulancë, dhomë me lojëra për fëmijë dhe salla e sportit ishte hapësira ku pranoheshin, evidentoheshin, fotografoheshin dhe më pas pajiseshin me dokument identifikimi. Në mesin e refugjatëve të pranuar, kemi pasur edhe ushtarë të plagosur, të cilët i kishim strehuar në mektebin e xhamisë “Haxhi Junuz” e cila është shumë afër shkollës “Liria”...
Ditë e mërkurë, 3 mars 1999, ora 10:30
Kisha shkuar në kampin famëkeq në Bllacë. Aty pasi vizitova aktivistët e Shoqatës Humanitare “El Hilal” dhe aktivistët e UNIKOMBIT që ishin mobilizuar në strukturat e luftës, më thirrën dhe më njoftuan se brenda kampit kemi një foshnje 3 muajsh në gjendje tepër të rëndë dhe pa
vetëdije, por që policia nuk na lejon të afrohemi. Në atë moment, kam marrë në telefon ministrin e Shëndetësisë z. Muharrem Nexhipin. E kam njoftuar për gjendjen e rëndë si dhe për mundësinë e tejkalimit të situatës ku disa nga djemtë e UNIKOMB-it ishin të gatshëm të sulmojnë policinë
dhe të shpërthejnë telat e kampit.
Z. Nexhipi mu përgjigj se është i njoftuar me situatën si dhe për pak kohë do të vijë në pjesën kufitare të Bllacës. Vërtet edhe ashtu ndodhi, nuk kaluan as 20 min. kur vetura u parkua pranë tendës së Kryqit të Kuq. Në ndërkohë, unë kisha depërtuar përtej telave me gjemba dhe arrita
ta merrja fëmijën e sëmurë, por pa prezencën e nënës së tij. Nënën e pyeta: “Prej nga jeni dhe si te ju kontaktoj më vonë”. Më tha: “Jemi Kastrat nga Orlloviqi i Prishtinës”, dhe asgjë më shumë.
Me vrap shkova duke mbajtur fëmijën, iu afrova Muharrem Nexhipit, ai sapo e pa, nuk priti më shumë, vetëm e mori në përqafimin e tij dhe me nxitim kërkoi nga shoferi që të nisen për në spitalin shtetëror. Shoqëruesi i tij, më tregon se nga ai moment deri në spital nuk e ka lëshuar fëmijën nga kraharori, përpos telefonatës që e ka bërë me mjekët në spital, nuk ka folur asnjë fjalë, por vetëm ka lëshuar lotët duke thënë: “Nëse kjo foshnjë shpëton, do të jetë një mrekulli nga Zoti!“. Tek mjekët e spitalit e kishte lënë numrin tim të celularit për të më informuar dhe
kontaktuar në lidhje me rastin. Mjekët i kishin marrë të gjitha masat e duhura, por pneumonia e rëndë, kishte bërë që aty nga ora 13:10 min. ky fëmijë ndërroi jetë. Më morën në telefonatë, duke më njoftuar për rastin. U nisa drejt spitalit dhe në repartin e Patologjisë takova Setkiun, i cili e kishte përgatitur duke e futur në një kuti kartoni të mbështjell me një çarçaf të bardhë. E mora
kufomën e këtij fëmije engjëllor, për një çast u ndala dhe po mendohesha; “Tani çka?“ Nuk ia dija as emrin, as emrin e prindit dhe nuk dija kënd të njoftoja. Në atë moment brenda në veturë e hapa kutinë, ishte djalë biond, me një fytyrë të bardhë dhe me sy të mbyllur! Momente prekëse!...
…Në orën 15:30 minuta kur arrita te xhamia, aty më priste Hoxha i nderuar H. Milaim ef. Veseli, i cili m’u afrua dhe më pyeti:
-A na e solle këtë melaqe! që akoma pa thirr babë dhe nënë, pa e parë Kosovën erdhi na takoi neve, që t'ia bëjmë ceremoninë e varrimit dhe të bëhet banorë i Dervenit.
-Po, ua solla. Por më thuaj si është organizimi? -e pyeta.
-Pasi që na njoftoi Myftinia, ne kemi njoftuar xhematin përreth. Në shtëpinë time do ta lajmë dhe do ta përgatisim duke e mbështjell me qefin të bardhë, ashtu siç melaqet e kanë të bardhë edhe shpirtin e tyre. Varrimi do të bëhet tek varrezat, këtu në Saraj. Por kemi një befasi:
“Një nga xhemati ynë, të cilit para dy viteve i ka vdekur djali në moshë dyvjeçare, na ka lutur, që këtë fëmijë të Kosovës, ta varrosim brenda varrit të djalit të tij, ku të paktën Ai, djali i tij, ta shoqërojë dhe të mos ndihet i vetmuar në këto momente kur pranë tij nuk kemi asnjë anëtarë të
familjes.” Ashtu edhe ndodhi!
Në ndërkohë kuptuam që nëna e tij tanimë kishte arritur dhe ishte vendosur në një dhomë e shoqëruar nga gratë e familjes së muteveliut të xhamisë, me origjinë nga fshati Rashçe. Ishte moment i rëndë, por i nevojshëm. Ia dërguam nënës kufomën e djalit e cila lëshoj një zë, ku loti-lotin nuk ia ndalte dhe tha:
-Oooo, Laureni i nënës..., biiir!...
…Muzgu po afrohej, filloi, të errësohej. Oborri dhe xhamia ishin mbushur plot me njerëz, të cilët kishin kuptuar se na ka vdekur një djalë nga Kosova dhe kishin ardhur diku mbi 400 banorë të vendit.
…I fundit ishte prindi nga Saraji i cili me dorën e vet e lëshoi kufomën në varr, duke i thënë:
-O biri im, nuk arrite të rritesh dhe të luash me fëmijët e tjerë, por ja deshi Zoti që të kesh një shok fëmijërie nga Kosova që të luani bashkë në bahçet e xhenetit.
Në atë moment e ngriti kokën dhe iu drejtua xhematit që ishim prezent:
-O xhemat, nëse ndonjëherë dikush vjen nga Kosova, që interesohet dhe ju pyet, kërkoj ta mbani mend këtë vend dhe të dëshmoni se ky është “VARRI I DJALIT TË KOSOVËS!”.