Adelina Pali - Biografi dhe Cikël poetik

Adelina Pali - Biografi dhe Cikël poetik
ADELINA PALI
 
Adelina Pali është autore/publiciste dhe poete. Poetja ADELINA PALI ka lindur në Tiranë, më 1. 07. 1982. Ka kryer studimet e larta me korrespodencë në Universitetin "Aleksander Xhuvani" në Elbasan, për degën Gjuhë -Letërsi. Në vitin 2001 -2004 punoi si mësuese. Në vitin 2005 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Kretë të Greqisë. Në vitin 2018 vendosi që bashkë me familjen të rikthehet në vendlindje, dhe nisi të realizojë ëndrrën e saj të lënë në mes, atë të shkrimit. Në shkurt të vitit 2021 botoi librin e parë me poezi me titull "PA TY". Në Prill të 2022 vjen me vëllimin e saj të dytë "FOLE MIRËSIE ". Në tetor të vitit 2023 vjen me vëllimin e saj të tretë "DEHJA IME "
-Për momentin është e vetpunësuar në  biznesin e saj, atë të artit dhe estetikës,ku lëvron dhe pasionin e pikturës.

-Është pjesëmarrëse e shumë eventeve letrare dhe e vlerësuar me çmime si:
"Mirënjohjeje" te aktiviteti "Azem Shkreli" në Pejë  Çmimin "Fran Tanushi"nga Akademia Mirdita.
Mirnjohje në aktivitetin e "Ora e Maleve" në Rozhaj!
Mirnjohje në aktivitetin letrar " Takimet poetike në SHarr"Tetovë.
Mirnjohje në aktivitetin letrar "Hyjnesha Ilire Thana" në Kërçovë.
Mirënjohje në konkursin letrarë"Fjala Poetike"
organizuar nga Klisenko!
Mirënjohje në aktivitetin letrar "Flakadani i Karadakut" në Viti të Kosovës.
Fituese e çmimit "Fjollë Dashnie"e organizuar nga klubi letrar"Ndoc Gjetja"Lezhë.
Fituese e çmimit"Malli Poetik" për poezinë më të mirë të 2023 në Kosovë.
Fituese e çmimit "Poetesha Më e Mirë" në takimin e 20-të ndërkombëtar të "Azem Shkreli"
2024.
Më dt.2.11.2024 nderohet me çmimin "Mysafire Nderi" në "Takimet e Poeteshave Shqiptare" në Vushtri
Pjesëmarrëse në shumë antologji brënda dhe jasht shqipërisë përfshirë dhe atë të New york "Newsworthy Channel"
Në dt.20.10.2023 i  jepet titulli "Ambasadore Paqe"
-Njëkohësisht është angazhuar në disa projekte humanitare për t'u ardhur në ndihmë familjeve të varfra, si dhe në projektin afatgjatë për "Zgjerimin e Bibliotekave në burgje".
Deri sot jan mbyllur 12 aktivitete duke përfshirë dhe atë të Prishtinës.
 
PËRTEJ TRUPIT

Ç'ndjenjë çmendurie...
Gjuhë vogla mërmërinë,
jo për të folur,
por si rrënqethje lëkure...
Pastaj avuj fjalësh,
puhizë të nxehta, të mjegullta,
si fryma pas puthjes së thellë.
Pentagram notash, zë' miklues,
vesh trupin e lëmuar.
Buzë'shegët llustrojnë,
pëshpërima në ikje.
Ai lejoi çdo notë të depërtonte,
si gishta të padukshëm
që kërkojnë një të fshehtë nën lëkurë.
Lot i pafajshëm...
jo nga dhimbja, por nga prekja e zjarrtë.
nga vlimi limfës, së thellësive;
ndodh e pamundura
kur syri sheh përtej trupit.
 
BUKURIA ËSHTË SHPIRTI...

Edhe nëse të thonë
je e shëmtuar,
ti  veç buzëqesh...
Sepse bukuria jote
S'është për sytë
që shohin veç sipërfaqe,
por për ata që shohin përtej!
Ngrije kokën edhe nëse
të përbuzin
Ata nuk shikojnë shpirtin
nuk dinë ta mbajnë dritën tënde
Ngrije kokën edhe nëse
të përçmojnë
Sepse bukuria qëndron
në thesinë e zemrës
që pak dinë ta njohin.
Trishtohen nga kjo bukuri
që se kanë të shenjtën,
bukurinë e brendëshme,
atë që zoti ka gdhendur
në zemrën tënde.
 
RRËNJËT E PAFAJSHME

Murlani erdhi papritur,
si zemër e zemëruar
mbi trupin e mishtë.
Degët thyhen sa dhe dhimbja!
Rrënjët lëvizën,
në heshtje duke bluajtur
dhimbjen nën dheun e ftohtë..
Nuk është faj të duash
As ti besosh dritës...
t'i besosh krahët..
Rrënjët s'tradhtuan,
edhe kur degë e gjethe ranë,
edhe kur hëna u fsheh pas reve
Jo çdo rënie është faj i themelisë
Shpesh aventura s'ka mëshirë,
Rrënjët s' kishin faj!
Ata se njohin tradhëtinë!
 
DIKUR...

Nën qiellin e syrit s'di se ç' bëra
Në epsh vashëror, ethet më zënë
Vellon heq prushi digjem e tëra
Lotoja virgjërinë  natën pa hënë

Zemra lutej të dilte nga vendi
Lotët më binin si kokrra thane
Në ekstazë një zë më përmendi
Ishte "zëri'Gjon" i natës pagane

E bukura e qiellit, qerpikët lëshoi
Kalorësi pinte, trëndafilin e gjirit
I përgjërohem atij të mos dëftoi
Për virgjërinë e natës së prillit
 
NJË PIKË LOT SHUAN ZJARRE

Ç'magjepsje..!?
Feks hënë e "zhveshur"
nëpër gjethe shelgu..
liqenit nis valëzimi
Diellit i ikën zjarrmia
për tu shuar aty...
Fishekzjarre vështrimesh...
Sa larg njëri-tjetrit e sa afër
por pa u prekur kurrë...
Përcillen agime, e muzgje,
puthjet mbeten imazh,
miklimi e ëndërrimi...
Por ndodh e pandodhura:
koha ndalet turfulluar
"Eklipsi" çudibërës verboi
diell'hënën,
Tis'mjegulle bëhet vello..
Vonë, shumë vonë,
nis buzëqeshja qiellore...
Një pikë lot shuan zjarre...