ENITA GASHI
Enita Gashi ka lindur më 9. 9. 2009 në Prishtinë. Shkollën fillore e përfundoi në SHFMU “Hasan Prishtina” në Prishtinë, ku edhe filloi të shfaqte talentin e saj për të shkruar. Libri i saj i parë “Ëndërr bëhu”, u botua më 17 maj 2024 dhe “Jetë, jo veç frymë” është libri i saj i dytë i posa botuar.
Aktualisht, Enita ndjek mësimet në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku njihet si një nxënëse e shkëlqyeshme.
Ajo është aktive në aktivitete të ndryshme shkollore, duke qenë gjithnjë pjesë e angazhimeve që zhvillojnë kreativitetin dhe mendimin kritik.
Poezitë e saj janë të mbushura me emocion, ndjenjë dhe forcë, duke dhënë motiv për secilin lexues që të luftojë për qëllimet e veta.
Enita jeton në Prishtinë.
JETË, JO VEÇ FRYMË
Në këtë botë dy udhë të thërrasin:
Të frymosh… apo të jetosh?
Të jetosh është të ndjesh erën e ndryshimit,
Të sfidosh dallgët e rrugëtimit,
Të rrëzohesh dhjetë herë e të njëmbëdhjetën të ngrihesh,
Të vazhdosh, edhe kur jeta të tërheqë zvarrë.
Të jetosh është të mbijetosh mes humbjesh,
Të ecësh përtej zhgënjimeve, tradhtive, dhimbjeve,
Të buzëqeshësh në mëngjes...
Edhe kur nata të ka mbuluar me lot.
Të jetosh është të jesh i fortë,
Edhe kur brenda vetes je një stuhi e heshtur.
Se jeta, përtej çdo gjëje është e bukur,
Kur gjithçka e merr me dritë në sy.
Por të frymosh...
Është thjesht të ekzistosh në hije,
Të heshtësh për padrejtësitë,
Të mos guxosh,
Të mos sfidosh,
Të mos jetosh.
Andaj, kujdes!
Cilin do të zgjedhësh të jesh?
NATËN VONË
Natën vonë, po shikoja yjet,
Më dukej se po shihja sytë e tu.
Malli po më digjte, o zemra ime,
Sytë po më rridhnin lum.
Natën vonë, o sy të ndritur,
Kujtoja ngjarjet që më mbetën dhuratë,
Shpirti përqafon me mall çdo moment
E shijoja në kujtime çdo aromë tënden...
E çdo buzëqeshje e hodha në lum,
Bashkë me zemrën time që s'të harroi kurrë.
MË FAL
Dua që dhimbjet e tua t’i marr
Që ti të ndihesh rehat...
Dua që lotët e tu t’i marr
Të i kthej në vargje të poezisë, për bukurinë tënde të shkruaj...
Po e di që ti s' më do,
E në mundsh fale zemrën time që të deshi...
Më fal!
Më fal për lotët që derdha kur ti ishe mërzitur!
Më fal!
Më fal për çdo të rrahur zemre sa herë të kam parë në sy!
Më fal!
Më fal për fjalët e mia margaritarë gjatë netëve të vona, nga zemra!
Më fal!
Më fal që të desha ty, dhe vetëm ty...
KUR S’U DORËZOVA
Në një qoshe nate, me sytë në lot,
lodhja më flinte mbi shpinë si shkronjë,
koha më thoshte: “mjaft, mos u mund më”,
por zemra më lutej: “bëhu dhe një herë e fortë.”
E çova veten nga toka e thyer,
me plagë që s’i pa askush, veç qielli,
çdo hap më dukej si thirrje lamtumire,
por unë ecja, edhe kur shpresa s’më ndiqte.
Në heshtje e bërtita dhimbjen time,
si një grua mali që s’ka tjetër strehë,
e çdo gur që më rrëzoi nëpër jetë,
më shërbeu si shkallë për të ngjitur veten.
Se unë s’jam thjesht frymë që lodhet lehtë,
jam zjarri që digjet dhe nuk shteron,
një lule që çel në tokë të pashkelur,
e që nga stuhitë, mësoi si të lulëzojë.
Jo, s’u dorëzova
as kur dhimbja ma flaku shpirtin në copa të vona,
unë qepa vetveten me fillin e besës,
dhe shkrova mbi plagë: unë jam ende këtu.
Enita Gashi, Biografia dhe Cikël poetik. Përgatiti: Abdullah Troshupa