Leona Gimolli - NGRIHU, NAIM!

Leona  Gimolli - NGRIHU, NAIM!
Leona  Gimolli
 Biografi
Leona Gimolli u lind më 27.3.2006 në Prishtinë. Shkollën fillore e kreu në SHFMU  “Enver Maloku” në Podujevë, ciklin e mesëm të ulët në Shkollën fillore “Andon Zako Çajupi”  në Bardhosh, kurse tani vijon mësimet në klasën e dymbëdhjetë në Gjimnazin shoqëror “Eqrem Çabej” në Prishtinë.
Leona zbuloi talentin e saj në krijimtarinë letrare qysh në fëmijëri. Në moshën 12 vjeçare ajo e botoi librin e parë të saj, me titull  “Hëna si nënë, ylli si fëmijë”.- Libër i mbushur me plot tregime të shkurtra imagjinatave për fëmijë. Tri vite më vonë botoi librin e dytë “Një tregim prej shpirtit tim”- 2022.  Libër me tregime, bazuar në ngjarje të vërtetë. Sa i përket sukseseve , rrugëtimi drejt tyre filloi që herët. Kryetare në nivel klase që nga klasa e parë deri  në ditët e sotme, ku së fundi filloi pozitën si kryetare në nivel shkolle.
Mori pjesë në konkursin letrar “Ditët Naimiane” në Përmet  të Shqipërisë ku mori çmimin e parë kushtuar Naim Frashërit me esenë “Ngrihu, Naim!”.
Leona është në përfundim të librit të tretë në gjuhën angleze, temë kryesore  ka jetën dhe dinamikën e adoleshentëve i cili pritet së shpejti të botohet.
 
NGRIHU, NAIM!
 
 Qëndroj në këmbë. Jam e hutuar. Fyti me është tharë, pa thënë dot asgjë, ndoshta edhe sytë m'u mbushën me lot. E ndiej gjakun duke më lëvizur nxitueshëm nëpër kapilarë. Shoh vetëm njerëz, njerëz të cilët presin të nxjerr disa fjalë nga goja. Mbase po thonë në vete se qenkam vërtetë e frikësuar apo se po ua humbisja kohën kot. Por në sytë e mi, të mbushur me lot, aty në mesin e njerëzve që presin të flas, shohin një dritë, një dritë ndriçuese mu në mes te asaj turme. Është drite vezulluese sikurse në teatër kur personazhi kryesor është i mbuluar nga rrezja e dritës. Fytyrën s'mund t'ia shoh dot, por kjo me bën të dyshoj. M'u bë sikur Naimi ynë u kthye tek ne. Përse vallë nuk mund të lëvizë? Bërtas, por asnjëri s'më dëgjon. Mundohem t'ju tregoj me dorë; "O njerëz që po më shikoni të hutuar, kthehuni dhe shikojeni, është Naimi, nga Shqipëria jonë, ai që ia vendosi pikën vuajtjeve tona. Është ai që na e ruajti gjuhën shqipe ashtu siç i kishte kënduar nëna e tij në djep.”
 "A s'më dëgjoni fare? Apo është vetëm një iluzion brenda meje? Kthej kokën djathtas, shoh Korçën, Stambollin, shoh një Shqipëri të tërë të lumtur, shoh Bagëti e Bujqësi e Histori e Skënderbeut, shoh Fjalët e Qiririt. Shoh përball meje, hija e tij më jep shpresë më nxitë të vazhdoj. Ndihej krenar që arritëm në fund të tunelit të errët. E gjetëm rrugën për tek drita, për tek shqipja jonë. E mirë dhe e dëlirë, e bukur dhe me vlerë. "O njerëz, o njerëz ju lutem ktheni vëmendjen, ai është këtu me ne, ai është me mua, është me ty, ata e ato, është mu këtu në Frashër, në Korçë, në Shqipëri e Kosovë, Iliridë e Çamëri e gjithë aty ku shqipja flitet e shkruhet, është në vendin ku zemrën e kishte të qetë, në vendin ku u venit si qiriri, në vendin ku ajri i mbushte mushkëritë plotë jetë."
 Dua t'i them sa shumë na ndihmoj, dua ta falënderoj që sot flasim shqip për shkak të tij dhe vëllezërve Frashëri. Dua t'i them që sot erdha në datëlindjen e tij të 177. Ti them se asnjëherë s'e hoqëm nga goja, u rritëm me të!
 "Ngrihu, o Naim, tregoju që je gjallë, tregoju që je me ne, që s'je duke u përvëluar më. Dëshmo se natën vërtetë na e bëre ditë, tregoju që u trete që të flasim shqip, sot e gjithë jetën tonë."
" Po pra, i kemi dëgjuar fjalët tua, Ti je me ne, asnjëherë s'ke vdekur dhe s'do të vdesësh! Je i gjallë gjithkund në ne. Sot të nderojmë, sot të kujtojmë që kurrë të mos harrojmë brez pas brezi, deri sa të ketë jetë në këtë tokë!
 
Përgatiti Abdullah Troshupa