Kritikë vëllimit poetik "Sytë e buzëqeshjes" të autorit Ismet Tahirajt
Në vargun e Ismetit, intensiteti i emocionalitetit oscilon, varësisht nga tematika, varësisht nga shpërthimi. Karakteristikat dalluese të këtyre poezive qëndrojnë në larminë e vargut, të tekstit, në larminë e kuptimit, por veçanërisht në paraqitjen e nënkuptimit, më se një herë. Kështu, autori mëton ta aktivizojë imagjinatën e lexuesit për ta arritur konkretësinë përmbajtjesore të vargjeve, për ta zbërthyer semantikën temore dhe për ta pranuar porosinë (mesazhin) e artit .
Tabloja e ngjyrimeve të shpirtit
Refleksionet shpirtërore vrragësohen në një vargëzim të ri të poetit që i përqaset përshkrimit tërëdimensional të jetës, duke ngjyruar tablonë e saj në ngjyra të theksuara të simbolikës dhe lirizmit refleksiv. Ismet Tahiraj ka ndërtuar një trase (tashmë) të standardizuar nëpër të cilën e shpie vargun e tij, nëpër të cilën e përshkon ndjenjën dhe ndjeshmërinë e tij, nëpër të cilën e gjurmëron stilin e tij. Përgjithësisht dhe veçanërisht, ky autor observon në motivet e piketuara, të shtytura nga përjetimi dhe ndijimi, rrëmon në ofertat e përditshmërisë, duke sipërfaquar, kështu, pamjet e perceptimit shpirtëror të realitetit. Këto, pastaj, i objektivon në portretin e kohës, duke spikatur nuancat dhe aspektet e saj; vrazhdësinë e butësinë, plasticitetin e ngurtësinë, dritëhijen e thellësinë imagjinare. Thënë ndryshe, vargu i Ismetit është fotografia e vëlimeve të shpirtit është imazhi i shqetësimeve të emotivitetit, është peizazhi në të cilin shtrihet bota poetike e një origjinaliteti krijues: e trazojmë këngën, e thyer kemi poçin Kokëkungull merr vesh, hapat ec zvarrë nëpër shesh, hija nuk është matur me kanar le të zhduket gjithmonë , le të digjet si fanar. Eksplorimi në gjerësinë dhe thellësinë e poetikës pason strukturime të veçanta, të cilat vijnë si variete formash, variete përmbajtjesh dhe larmi pasqyrimi. Kjo shpërfaqë kompleksitetin e jetës, atë të shtrirjes motivore dhe atë të përshkrimit të frymëzimit. Ismeti vjen me një eksperiencë të konsoliduar në ndërtimin e këtyre strukturave poetike, të cilat i formëson dhe semantizon në kolorit të ri idesh, mesazhesh e peizazhesh; në atë që poeti e konsideron si veçanti të veprës konkrete: "Loja është symbyllur, symbyllur luan loja fatin mos e verboni Se gjuha si eshka, Anija e fundosë symbyllurin det Sirenat s' tradhtojnë fatin e vet. Ama, qetësia të mbetet e qetë." Sintetikisht ravijëzohet një moment, një çast shtytës që e cimbisë ndjenjën dhe imagjinatën, njëkohësisht; pluskimi ndjenjor skicon konturën shprehimore dhe në sintetizimin e kuptimeve shpërfaqet përshkrimi i plotë i një ndërthurjeje poetike të ndërlidhur, horizontalisht dhe vertikalisht, me jetën, me përjetimin, dhe e pahëzuar në një shtrirje ku mëton të vijëzohet ambicia artistike, si qëllim fondament i çdo krijuesi. Në këtë kontekst, Ismet Tahiraj përshkon një terren goxha të gjerë, nëpër të cilin akcenton përshkallëzimet e botës shpirtërore, stadet nëpër të cilat rropatet emocioni dhe intensitetin me të cilin ngarend përkushtimi, jo vetëm ndaj ndjenjës, por në disa dimensione që kornizohen si karaktere, si dukuri a si pasione. Qarkon kohën, historinë, legjendën dhe shprehshmërinë që karakterizon këto etapa, duke inkorporuar terminologjinë e simbolizuar në figure stili dhe në vërshim përkushtimi ndaj sublimitetit shpirtëror dhe ndijimësisë: "Lindjet vinin ogure të bekuara, bebes i këndohej ninulla. Urime të lartësuara Dhe mu atë botë vozga m'verë në dhe për vite të harruara. Jo dështak, po burra Kurrë fytyrëmvrejtur, as buzë të acaruara Naisusi nuk i donte fjalët me kunja. Eh epokë e artë u shua Naisusi në ATLLAS Befasi mjerane. Në lojën pafat."
Gjurmimet shtytëse jetësore
Gërshetimet motivuese japin larminë tërheqëse, duke e vënë interesimin në gjurmimin e shtytësve jetësor apo konstrukteve imagjinare të autorit, sepse veçantia e kësaj përmbledhjeje nxit kureshtjen e lexuesit, gjithsesi, sepse lirizmi përshkues nxjerrë në sipërfaqe thellësinë e animës përmes refleksivitetit të theksuar. Vargu i ndërtuar mbi këtë bazament s`është veçse një kostelacion shprehjesh poetike që skicojnë kostelacionin e përqendrimit ndjenjor të autorit. Formati i piketimeve konkretizohet në titujt dhe strukturat e dhëna, të cilat ndërtohen nga lënda e përjetimit, e aspirimit, e synimit përmes përthyerjes së realitetit, dashurisë, vrojtimit, percepcionit të botës përreth. Është ky një mozaik, jo vetëm motivesh, por edhe formash të të përshkruarit, mënyrash të të shfaqurit të akumulimeve të ndijimeve e përjetimeve dhe konceptimet novatore të kompozicionimit të ideve:
"Ju nuk i shkelët askujt tokën as barin që mbolli jetimi.
Era shkon e vjen, gurët fluturojnë, po diku mbesin nëpër tokat tona.
Për ne nuk është vonë, të fryn era si më parë." (ERA)
Ose:
"Të lash të pushosh Po mbrothi a tu hoq ?
Lëngëzimi i syve tuaj Botën e dogj." (BOTËN E DOGJ)
Këto dy dimensione shprehëse i përkasin të njëjtit cikël, sepse përveç burimit kanë të përbashkët edhe sfondin, dashurinë me mënyrat e reflektimit të saj, me format në të cilat trupëzohet ajo, me shprehjet, me të cilat materializohet ajo. Autori e bartë këtë ndjenjë, e paralelizon atë në kahjet që shfaqet, sepse ajo shfaqet në shumë shtigje dhe lë vrragët e saj në jetën e individit, në peizazhet e përjetimit shpirtëror, por edhe në pikturimet poetike, siç ndodh në këtë përmbledhje dhe në tërësinë krijuese të poetit Ismet Tahiraj. Ndryshueshmëria e këtyre momenteve vizatohet, në poezinë e Ismetit, me ngjyrat përkatëse, të cilat japin koloritin e origjinalitetit rrjedhës, plasticitetin e duhur, por edhe esencën e përmbajtësisë, secili akomoduar brenda konstruktit gjegjës:
"Po ti nuk rrije dot veç me një mal, po kapërceve fusha Radishevës
ia puthe shkëmbin ballit t'ia prekësh lirinë,
Gjoksi, shpirti flakë, plot bubullima
Hija e jote kudo shtrihej Armikut t'ia derdh plumbin e fundit
Ylli yt shkrepi mbi tokën e Kosovës martire", (LULE LIRIE - Z.PAJAZITIT).
Imagjinata e lexuesit
Në vargun e Ismetit, intensiteti i emocionalitetit oscilon, varësisht nga tematika, varësisht nga shpërthimi. Herë - herë ngrihet në përshkallëzimin e të rrë- fyerit poetik, apo të ligjërimit për shtytësit dhe pasojat, për dukuritë a fenomenet që ndodhin në tematizimet e problematikave, të cilat prekin ndërdijen, ngacmojnë dellin krijues të poetit. Kështu, temperamenti i reagimit artistik, i cili përcakton ritmin e vargëzimit kushtëzohet nga varimet emotive. Prandaj edhe valorizimi i tyre në komponimin vjershëror është i ndryshëm, por gjithsesi i përket mënyrës përkushtuese, adresimit përkushtues tek ndjesia, tek poetja, tek prushërimi i një erotizmi të lehtë:
"Ende s'ka rënë asnjë pikë darkë,
asnjë pikë drekë në sofrën e harruar
ku laheshin gjaku me llucë…" ( NË SOFRËN BUJARE )
Apo:
"Në pleme mbrëmë
E kemi shtrue një lamë,
Me fuqinë e trupit
Është dridhur Shkodra e Shkupi…" (OH PSHTJELLAK)
- Karakteristikat dalluese të këtyre poezive qëndrojnë në larminë e vargut, të tekstit, në larminë e kuptimit, por veçanërisht në paraqitjen e nënkuptimit, më se një herë. Kështu, autori, mëton ta aktivizojë imagjinatën e lexuesit për ta arritur konkretësinë përmbajtjesore të vargjeve, për ta zbërthyer semantikën temore dhe për ta pranuar porosinë (mesazhin) e artit. Në këtë funksion ndërthuren format, ritmi, shprehja poetike, figurat, metrika dhe llojet e elementet tjera që përfaqësojnë opusin e letrarizimeve. Muzikaliteti jo aq i theksuar i lë vendin sajimit abstrahues të konfiguracionit të shtrirjes në gjerësi e thellësi të një metodike të posaçme, e cila inkorporon shumë aspekte në të tërën e dhënë. Ismet Tahiraj ka eksploruar gjithandej, duke shenjëzuar bredhjet e tij poetike në prodhime të spikatura, të cilat shpërfaqin mjeshtërinë, talentin dhe përkushtimin ndaj artit, ndaj vlerës, ndaj yshtjeve që estetizojnë realitetin jetësor, transponimin letrar. Duke krijuar, kështu, efekte të këndshme te lexuesi. Në vëllimin e radhës, poeti vazhdon ofertimin e prurjeve të reja të opusit të tij krijues.