MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË
Roman
(Pjesa 7)
9. (Nata e parë në spital)
Nusja po çmendej nga meraku.
- T’i thërras prindërit - më tha.
Prindërit e mi jetonin pesë kilometra në periferi, në shtëpinë tonë të familjes. Unë isha në banesën që kishim blerë kur isha martuar e punësuar.
- Jo, mos i thirr. Në këtë orë të vonë, po të marrin vesh se jam sëmurë, do të pësojnë infarkt - i thashë.
- Po si t’ia bëjmë?
- Po i thërras kolegët e punës e vijnë më marrin.
- Po unë, të çmendem këtu?
- Jo, thirre motrën tënde të rrijë me ty dhe djalin - i thashë dhe e shtypa në telefon numrin e punës.
Ambulanca, po e njëjta me të cilën shkoja nëpër ur-gjenca nëpër Edirne dhe në periferi, erdhi e më mori në shtëpi. Nusen e lashë me lot në sy. Ishte ora njëm-bëdhjetë e natës. Vapa ende ndihej në asfalt. Shaminë që e mbaja në kokë, e shtrëngova edhe më shumë, se më dukej se do të më ndahej koka përgjysmë.
- Për ku doktor efendi? - më pyeti shofer Asllani.
- Në spital të qytetit, Asllan abej.
- Si urdhëron, doktor efendi - kështu më thoshte përherë Asllani.
Në njëmbëdhjetë e gjysmë mbërritëm në repartin e pranimit të Spitalit Sulltan Murati i Parë, rruga “Havllaciuoglu”. Këtu kisha bërë stazhin dhe njihja gati të gjithë stafin. Tekniku që ishte me mua më ven-dosi në një shtrat dhe më shtyu deri te dhoma e pra-nimit. Në pritore kishte mjaft njerëz, por tekniku hyri dhe i tregoi njërit prej mjekëve se kush isha dhe si e kisha punën. Tekniku më futi në dhomën e kontrollit. Mjeku që më kontrolloi ishte internist i ri me të cilin nuk njiheshim. Më kontrolloi me kujdes, nga koka deri te këmbët sipas librit të propedeutikës. Dukej se ishte shumë i kujdesshëm. Kur më shikoi fytin me dritë, bëri:
- Uh, doktor, plot qelb bajamet i paske! Anginë lakunare dhe filloi të shkruante në kartelë.
- Doktor Nazim... - iu drejtova pasi ia lexova emrin në kartën që mbante varur në xhaketë. - Dr. Nazim, më dëgjo të lutem. Shumë shpesh kam pasur angina, prej që mbaj mend kam pasur angina, dy deri tri herë çdo vit, por në këso gjendje nuk kam qenë kurrë.
- Po si po mendoni ju, koleg i nderuar?
- Me dhembjet dhe të vjellat që kam, unë mendoj se jam me meningjit - i thashë me zë të mekur.
- Jo, dr. Xhemil. Unë nuk mendoj ashtu. Angina jep të vjella dhe dhembje koke dhe dhembje në të gjithë trupin - ma ktheu ai.
- Më fal, koleg i dashur, por unë e njoh organizmin tim. Vetë jam mjek. Po të them se me dhjetëra herë kam pasur angina lakunare, por nuk kam qenë kurrë në këtë gjendje. Unë kam meningjit. Të lutem më jep terapi për meningjit, ose vetëm më udhëzo në repartin e Infektologjisë - e luta unë.
- Koleg, me gjithë respektin për ju, nuk mund të pro-cedoj sipas kërkesës suaj. Respekti-respekt, puna-punë. Ju duhet të shtriheni në Repartin e ORL-së, terapinë jua shkrova, por edhe mjeku kujdestar do ta rishikojë terapinë. Tani më falni, se kam raste të tjera duke pritur. Si mjek që jeni, ju morëm pa radhë - tha dhe ma zgjati dorën.
Nuk fola më asgjë. Çfarë të thosha. Ai ishte përgje-gjësi për shëndetin tim. Unë kisha shkuar tek ai. Nuk kishte ardhur ai tek unë. Mezi ia shtrëngova dorën dhe i thashë teknikut të më shoqëronte deri te reparti.
Kjo ishte nata ime e parë në spital.
Në repart më pritën shumë ngrohtë. Ende nuk e dija se aty do ta filloja stazhin e specializimit pas disa muajsh. Edhe mjeku specializant, kolegu im i nderuar dr. Nexhati, edhe infermieret, asnjë minutë nuk më lanë vetëm. Mora infuzion me antibiotikë cefriakson dhe analgjetikë, por dhembjet e kokës nuk më pushu-an. Ma dhanë telefonin ta thërrisja nusen. E gënjeva se isha më mirë.
Anginë, - i thashë. - Sa të shërohem do t’i heq baja-met. Edhe dr. Nexhati këtë gjë ma tha. Bile më prem-toi se do të intervenonte te shefi i repartit të më bënin një termin sa më shpejt - i thashë nuses.
Por në vete nuk e hoqa asnjëherë mendimin se kisha meningjit. Edhe dr. Nexhatit ia thashë, pos as ai nuk e konsideroi të mundur. Por, më premtoi se nesër herët, në mëngjes, do të thërriste një mjek infektolog të më bënte një punkcion lumbal. S’do të shkonte në shtëpi pa më bindur se nuk kisha meningjit.
Ajo natë në spital ishte nata më e gjatë e jetës sime. Të vjellat m’u ndalën pas ineksioneve metoklopramid, por dhembjet e kokës shumë pak. Sa të mund të bëja një gjumë plot makthe. Tërë nata më shkoi me ëndrra të tmerrshme. Po shkoja në Indi në një seminar dhe dilnim në shëtitje në një fushë prapa spitalit, kur një tigër kapërcente gardhin dhe më sulej. Unë ikja, ai më ndiqte dhe, në çastin kur dhëmbët e tij nguleshin në mishin tim, më dilte gjumi.
Një tjetër ëndërr pashë sikur në shtëpinë e lindjes, derisa po lëvroja kopshtin, një grumbull gjarpërinjsh dolën nga toka dhe m’u kapën për këmbë. Kur më kafshonin zgjohesha duke klithur. Ëndrrat, secila më e tmerrshme se tjetra, ndërroheshin si episode të një opere sapuni. Dikur vonë, rreth orës katër, kisha fjetur pak. Kisha folur jerm tërë natën. Kisha bërtitur dhe isha trembur në gjumë shpeshherë. Kisha lënë edhe amanet. Infermierja Xhemile, e cila ishte kujdesur për mua, më tregoi në mëngjes se kisha lënë amanet që nusja të martohej nëse vdisja unë, kurse djalin të ma rriste motra, se vëlla tjetër nuk kam.
10. (Gabim pas gabimi)
Bashkudhëtari im po vazhdonte të tregonte duke shikuar përjashta fushat e gjelbëruara japoneze.
“Dr. Nexhati e mbajti fjalën. Pra, para se ta kryente ndërrimin, e thirri një mjek specialist infektolog nga Reparti Infektiv dhe ai erdhi e më bëri një punkcion lumbal. O Zot sa më dhembi! Ma shkrumboi midisin gjilpëra e madhe teksa futej midis unazave. Por, duke ditur se ishte e domosdoshme, e përballova.
Pas dy orëve doli rezultati. Kisha dy mijë e ca qeliza polimorfonukleare. Edhe proteina e sheqer në lëngun cerebrospinal që, përkthyer në gjuhën e popullit, do të thotë se kisha meningjit. Dy kolegët e mi, dr. Nazimi në Pranim dhe dr. Nexhati në Repart, kishin gabuar. Mjeku infektolog, dr. Tosun, më rekomandoi të kaloja në repartin e tij. Ashtu bëra.
Terapia me manitol, antibiotikë dhe deksazon m’i qetësoi të tëra simptomat. Për pak çaste m’u duk se u shërova tërësisht. Por, edhe në repart u bë një gabim. Dr. Tosuni më pranoi, por që atë ditë ai kishte qenë kujdestar, ndërkohë shkoi në pushim vjetor. Repartin, në mungesë të tij, e udhëhiqte dr. Zejneb, një mjeke e vjetër para pensionimit. Ishte shumë e këndshme dhe e ëmbël nga goja, por nga profesioni, si dukej, nuk ia thoshte aq. Për mua nuk është mirë të flas kështu, por më shumë e më mirë se unë flasin faktet. Ajo thirri në repart një mjeke pulmologe, një mikeshën e vet, të më auskultonte, e cila dyshoi menjëherë se ndryshimet që shihte në rëntgen dhe auskultimi, ishin mjaft dyshues për tuberkuloz, kështu që ishte e mundur që unë të kisha meningjit tuberkular. O Zot, edhe kjo më duhej! Ti doktor Levent e di cila është forma më e rëndë e meningjitit, e cila rrallë kalon pa pasoja të rënda. U shqetësova shumë, por derisa nuk kisha simptoma të komplikimit, duhej të isha i kënaqur.
E pranova fatin tim.
E pranova terapinë: katër lloje antituberkulotikësh, sipas protokollit, për një vit rresht. Mes tyre edhe një rifampicinë që e shndërronte urinën në lëng porto-kalli. Shkova në banjë të urinoja dhe currili që doli më frikësoi shumë: nuk po urinoja, por po nxirrja lëng portokalli nga kanalet urinare. I tregova doktoreshës, por ajo më qetësoi duke më treguar se ky ndërrim i ngjyrës së urinës është normal dhe se të gjithë pacien-tët që marrin rifampicinë, urinojnë kështu, si xhus portokalli. Vakia e Zotit.
Kaloi java e parë në spital. Edhe pse repart infektiv, vizitat ishin të shumta, me masa të rrepta mbrojtjeje. Duke pasur parasysh faktin se isha mjek, m’i lejuan prindërit dhe gruan të vinin kohë pas kohe. Bile nusen e linin më gjatë. Sapo vente në gjumë djalin dhe linte motrën e vet me të, vinte dhe rrinte nja një apo dy orë derisa e dinte se do të zgjohej djali dhe duhej t’i jepte gji. Shkonte me lot në sy.
Një javë me terapi antituberkulotike, më saktë derisa u kthye dr. Tosuni nga pushimi. Sapo erdhi më bëri punkcionin lumbal. Këtë herë nuk më dhembi aspak. Pasi kishte parë rezultatin e punkcionit të fundit, kishte marrë kartelën time të të sëmurit dhe kishte ardhur afër shtratit tim.
- Dr. Xhemil, mendoj se ti ke meningjit viral e jo tuberkular - më tha.
Unë mbeta pa fjalë, ai vazhdoi:
- Po bazohem në rezultatet e punkcionit lumbal të sotëm. Ke vetëm pesëdhjetë e nëntë elemente.
Pesëdhjetë e nëntë elemente, gjendje gati norma-le. I dija tashmë disa gjëra.
- Po rëntgeni i mushkërive dhe mendimi i pulmologes? - pyeta.
- Vetëm Allahu është i pagabueshëm! - tha dhe ra shahadet. Edhe unë, po ashtu.
- Po tani, si do t’ia bëjmë?
- Të sugjeroj ta bësh edhe një konsultë te pulmo-logu, por këtë herë të propozoj të shkosh te një mik imi që punon në një spital privat këtu pranë. Në rregull?
Pranova.
Të nesërmen më shoqëruan në klinikën private të dr. Irfanit. Profesor doktor, më saktë. Kishte disa vite që kishte dalë në pension por, për shkak të ekspertizës së gjerë që kishte për sëmundjet e mushkërive, sidomos për ato tuberkulare, kishte vazhduar të punonte dhe të jepte kontribut shumë të madh. Madje ishte kryetar nderi i Shoqatës së Pulmologëve të Turqisë dhe anëtar i këshillave organizative të të gjitha kongreseve e kon-ferencave botërore të pulmologjisë.
Na priti me buzëqeshje. Dukej shumë i freskët dhe i fortë për shtatëdhjetë vjetët që kishte. Më kontrolloi, më auskultoi, edhe perkusion më bëri. Në kohën sa studioja nuk më ishte dukur se kishte ndonjë rëndësi, por prof. Irfani e bënte me aq përkushtim.
- A ka nevojë për ndonjë rëntgen të ri, profesor?.
- Jo, evlad, nuk ka nevojë. Duket qartë. Në mushkëri nuk ke tuberkuloz.
- Nuk paskam tuberkuloz?! Po unë që dy javë marr terapi kundër TBC-së - i thashë.
Ai rrudhi krahët.
- Unë përgjigjem dhe rri prapa asaj që nënshkruaj - më tha me zë të ëmbël.
- A mund të më shënoni një raport?
- Patjetër. Ma jep kartelën.
E mbaj mend edhe sot shkrimin e tij në kartelë: “Në ekzaminimin klinik dhe në rëntgenogramet që ka, pacienti nuk ka shenja për sëmundje tuberkulare të mushkërive”. Nënshkrimi. Faksimilja. Vula e ordi-nancës.
Raportin ia dërgova dr. Tosunit. Menjëherë m’i hoqi banat. Më përshkroi vetëm vitamina edhe dy javë dhe, qëndrim në spital. Aty mandej u ndala dhe u mendova për jetën time. Për të shkuarën time. Aty kuptova se në këtë botë nuk kishte asgjë më të vlef-shme se jeta. Nëse e kishe jetën, i kishe prindërit, e kishe gruan, fëmijët, punën, miqtë, vatanin. Po të vdisje, të gjitha vdisnin me ty. Prandaj ia vlente çdo frymëmarrje që merrnim, çdo ditë që jetonim.
Gabimet e mjekëve nuk më kanë dëmtuar, por kanë mundur. Fat në fatkeqësi. Prandaj jam shumë i matur në secilin rast, sepse te secili pacient shoh vetveten me dhembje të padurueshme dhe me urinën si lëng por-tokalli. Nuk i shikoj simptomat dhe sëmundjen. E shoh njeriun, qenien njerëzore që vuan, që i dhemb.
Unë të kuptoj si ndihesh pas daljes nga burgu.
Ndjenja e urrejtjes dhe e hakmarrjes duhen të fashi-ten. Dhembja shpirtërore duhet të zbutet. Ktheju jetës normale. Harroje problemin që ke pasur. Nise jetën nga fillimi i ri dhe shijoje secilën ditë që të ka dhënë I madhi Zot” - më sugjeronte dr. Xhemil Uzunbey, profesor dhe specialist i ORL-së, kryetar i Shoqatës Ballkanike të Mjekëve ORL dhe njeri fisnik.
Deri në Niigata nuk folëm më, por në kokë bluaja rrëfimin e tij.
Si është jeta e njeriut kështu?!
(vazhdon)