“Kurthet e letërsisë”, një libër provokues, se si biem ë gjithë në një kurth!
(Rifat Ismaili, “Kurthet e letërsisë”-ese, SHB. “Meshari”, Prishtinë, 2022)
Shkruan: MAXHUN OSMANAJ- Istog
(Maratona e letërsisë)
Ta lexosh një libër me pasion, kënaqësi dhe kureshtje, s’mund të mbetesh vetëm lexues i thjeshtë, nëse ke “armën” e vlerësimit, talentin dhe “armatosjen” me arsenalin, estetiko-filozofik. Po t’i kesh këto pronë në fushën e mendjes, në arën e zemrës dhe në blerimin e shpirtit, atëherë ti mbetesh mëkatar pa thënë dhe pa shpërfaqur ndjesitë, reflektimin, mbresat tua para lexuesve. Leximi i parë, i thjeshtë të mbetet ushqim i çastit, ndërsa mbresa, opinioni, vlerësimi është për një jetëgjatësi më të madhe dhe mundësi për ta shijuar atë shije edhe shtresa e lexuesve. Kur më ra në dorë libri i eseistit, poetit, prozatorit dhe përkthyesit, Rifat Ismailit, “Kurthet e letërsisë” ese, me kërshëri e fillova, me etje e mbarova. Çdo ese ma plotësonte një etje estetike, por nga mesi ilibrit, duke parë se po bie edhe unë në “kurthet e letërsisë”, desha t’i ik vetëm leximit të thjeshtë, sepse doja t’i bashkohesha edhe unë këtij kurthi dhe tëshijoja shijen time, sepse arti estetik më thërriste ta ngacmoja memorjen time për këtë libër. Mjerisht, sa shumë krijues mendojnë se në letërsi ka një ecje apo vrapim të shkurtër, apo një sprint të çastit, por krejt ky mendim është i gabuar! Krijuesit e vërtetë e dinë se letërsia është një maratonë që s’përfundon kurrë. Dhe kjo maratonë kërkon stërvitjeletrare deri në maksimum, po deshe të ruash një emër që e meriton në letërsi apo duhet kuptuar se marrja me letërsi nuk është vetëm gëzim i çastit,por torturë e ëmbël, nëse sjell fruta në kohë dhe nëse lë gjurmë të ndritur, atëherë ai është frut i kohës. Fundja, “ Dhe te të gjithë artistët e mëdhenj , nganjëherë ka diçka anormale”(fq.40). Tani shtrohet pyetja: Çka hetojmë në këtë libër, pos kënaqësisë estetike? Çfarë trajton krijuesi, esteti, Ismaili në këto 40 ese të shkurtra? Duke qenë autori një poet, prozator, eseist, ai tani e di si torturohet shpirti i krijuesit, për të dhuruar nga laboratori shpirtëror- krijues nektar artistik. Ai e di që “ Kjo puna e të shkruarit është një fushë që s’ka fund. Do vullnet të hekurt. Besim tek vetja, pak marrëzi që shpërthen si llavë vullkanike” (fq.40). Autori në këtë libër shtron dhe ngre shumë çështje fondamentale për krijuesin dhe raportet e tij me “kurthet e letërsisë”, përkatësisht të poezisë. Ai na jep shembuj për forcën e poezisë, përballë erupcionit shpirtëror, duke qenë poeti, herë vullkan, herë stabilizues i lëkundjeve “tektonike-shpirtërore”.
Pse shumë shkruajmë, pak jemi poetë!? Me shumë argumente dhe shembuj, na jep se si jetojnë poetët e vërtetë me shekuj, sado që disa kanë jetuar pak, kanë shkruar pak, prapë arti i tyre i stolisur me vlera të vërteta, i ka mbijetuar kohës, shekujve, pushteteve... Autori “ngacmon “ mendjen e vet si krijues për të gërmuar fenomene, veçori, të krijuesit, por edhe të formave të manifestimeve emocionale-shpirtërore. Autori ndalet te një fenomen shqetësues i ditëve tona; përvetësimi i autorësisë si dhe vjedhja e vargjeve. Pra, godet këta pseudo poetë dhe këtë fenomen apo dukuri. “Përvetësimi i autorësisë dhe vjedhja vargjeve, duket sikur i ndihmon këta njerëz të paskrupullt, për të arritur ambiciet e qëllimet e tyre. Sepse nuk mund të ketë shpjegim tjetër, që të përvetësosh fjalë për fjalë një krijim dhe të marrësh autorësinë e krijuesit”(fq.17). Duke parë se “bukuritë e botës ngjizur në vargje”, janë bukuri dhe mrekulli të pakrahasueshme, ngase bota, përkatësisht natyra është hambari i të gjitha bukurive, ndërsa poezia është ajo që ia rrëmben fluturim krijuesit shpirtin,i jap ekuilibër, e fut në vullkan, i dhuron dritën e udhëtimit, e largon nga kaosi dhe absurdi që e rrethon. Pra autori vjen te konstatimi se gjithçka që shkruajmë nuk është vlerë, prandaj “ Kemi shumë vargthurës artizanalë, por jo shumë poetë të vërtetë, që kërkojnë në vetvete cilësinë, fabulën e ndërtimit të një poezie” (fq.23). Shkurt, autori na jap të gjithëve një vërejtje kolektive. Artin e vërtetë letrar e ruan vlera nga harresa e kohës. Shkrimtari në këtë libër, “armatimin “ e shpraz në fushën e poezisë si “ Udhë drejt se panjohurës” apo si “Udhëtim në trenin poetik”. Kështu me një fjalor dhe terminologji të përkorë, arrin të shtrojë një diskurs estetik si “ngacmim” i këndshëm për lexuesin. “Ky tren i lodhur dhe i mbingarkuar me shumë shpirtra poetikë e të dyshimtë, nganjëherë del jashtë binarëve dhe përfundon në ndonjë hon apo bregore”(fq.23). Pra, të krijosh art të qëndrueshëm, art të vërtetë, do të thotë të flijosh diçka sublime nga shpirti yt. Fundja, artisti mund të jetë i marrë, mund të jetë i pakuptueshëm nga një pjesë e masës, mund të jetë ekstrem në dashuri, ekstrem në fatin e tij, mund të jetë edhe rreze që i ngroh njerëzit, kohën. Nëse askush nuk i flet, as koha, as njeëzit, atij i flet shpirti i artit dhe i mbijeton shekujve të harresës: siç na jep shembuj: Henri Miler, Pol Verleni, Remboja, Bukovski, Apolineri, Markezi De Sade. Kështu, brenda një “arene të absurditetit”, poeti sikur jeton në një jetë të dyfishtë, siç e thekson autori në një nga esetë. Ndoshta do ta quaja këtë libër edhe si “ Kurthet e poetit”, sepse autori ka në “shënjestër” poetin, si përfaqësues i shtratit të letërsisë: kurthet e tij nga talenti, mos-talenti, kaosi, absurdi, përditshmëria, egoja, urrejtja, dashuria, dhimbja, udhëtimi, koha, fati, përsiatja, gërmimi në minierën e shpirtit, deri te laboratori krijues, i jap një shpërthim vullkanik me një llavë poetike që kur të ftohet, merr fusha...Vlen për t’u cekur se në një nga esetë e këtij libri ”Poeti para femrës”, autori trajton fuqinë e dashurisë që përfiton dhe “mund” mendje më të fuqishme të njeriut. “ Në mënyrë krejt të pavetëdijshme mbesin të pavdekshëm vetëm nga marrëdhënia jonë me femrën”(fq.70). “Dhe mbeta gjithnjë/ Para femrës/Si përballë deti/(fq.70). “Van gogu preu veshin e tij për t’ia dhënë të dashurës. Drakulla u shndërrua në vampir, sepse humbi të dashurën dhe bashkë me të besimin ndaj Zotit. Jo më kot i këndoi Danteja Beatriçes dhe Pushkini e kthen në një meteor pas vdekjes, dashnoren e tij, Ana Kernin”(fq.71). “ Luftarakë të mëdhenj, udhëtarë, aventurierë, princër dhe poetë, janë përulur përpara provës së dashurisë” (fq.71). Në fund të librit ngre çështje me rëndësi për krijuesit dhe letërsinë se si do të shkruhet për fëmijët në të ardhmen, poetët dhe poezia tallava-ese polemizuase, si dhe rolin e kuajve nëpër beteja gjatë historisë. Pra, janë këto ese ku trajtohet me shumë fakte dhe argumente, shtron mendime shqetësuese në rrafshin e krijimit letrar. Ismaili edhe me këtë vepër tregon se është një zhbirues-kërkues dhe skalpër estetik, gdhend mendime dhe hap dritare të reja për ta parë më mirë artin e krijimtarisë letrare-poetike.