Kumrie Avdyl Shala - Takimi miqësor pas 30 viteve

Kumrie Avdyl Shala - Takimi miqësor pas 30 viteve
Pas 30 Viteve: Kujtime me Shokë Studentorë për Sakrificën dhe Mërgimin
 
TAKIMI MIQËSOR PAS 30 VITEVE
 
Sot, në një drekë shoqërore pas 30 vitesh, u takova me shokët e studimeve: prof. Miftar Morina, nga Gllareva e Klinës dhe Ibrahim Berisha, nga fshati Polluzhë i Rahovecit, me banim në Friburg të Zvicrës.
Ishte një kënaqësi e veçantë të takohesha me shokët e vjetër të studimeve pas 32 vitesh. Edhe në këtë takim nuk munguan librat dhe bisedat për arsimin, ekonominë, biznesin, familjen, por edhe për politikat e shtetit tonë.
Takime të tilla ngjallin emocione dhe nostalgji për kohën studentore, për situatën e vështirë të viteve 1990 - 1991 e më tej, që i kemi përjetuar bashkë.
Prof. Miftar Morina, gjithashtu një mërgimtar, është vëllai i dy dëshmorëve të rënë në luftën e UÇK-së. Ai, menjëherë pas luftës, u detyrua të linte gurbetin, jetën luksoze, dhe u kthye në Kosovë për t’u kujdesur për fëmijët e vëllezërve të rënë në luftë, për prindërit dhe gjithë familjen. Vëllezërit e Prof. Miftarit ranë në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë, dhe falë luftës së tyre, e gjithë atyre që luftuan për liri, ne sot e gëzojmë këtë të drejtë. Prof. Miftari e ka vlerësuar aq shumë luftën, sa që djalin e tij të vetëm e ka pagëzuar me emrin UÇK, me këto dy shkronja të lavdishme që na sollën lirinë.
Ndërsa Ibrahimi ishte fëmija i parë në familje dhe, për shkak të kushteve të vështira ekonomike në Kosovë, u detyrua ta linte vendlindjen diku në vitet 1993–1994. Si një djalë i ri, sapo kishte përfunduar studimet kur u përball me gurbetin, për t’i siguruar familjes së tij një jetë më të mirë ekonomike dhe financiare.
Jeta ekonomike dhe financiare në Kosovë ka qenë e vështirë për të gjithë. Sikur të mos i kishim pasur mërgimtarët, do ta kishim pasur shumë më të vështirë të mbijetonim, si para, ashtu edhe pas luftës.
Si gjithmonë, gjakatarët serbë sulmonin vazhdimisht intelektualet, qytetarēt shqiptare, rininë tonë, ndërkohë që ne kërkonim të drejta dhe lirinë tonë. Ata, serbët, na sulmonin, na burgosnin pa te drejtë, e meshkujt shpeshherë u detyruan, pa dëshirën e tyre, të lëshonin Kosovën.
Edhe para atyre viteve, populli shqiptar ka vuajtur nga trysnia, nga rrahjet, vrasjet, burgosjet që zhvillonte politika gjakatare serbe, kundër popullit te Dardanisë.  Edhe gjenerata jonë i përjetoi keto vuajtje, si nxënës por  edhe si studentë rreth viteve 1989, 1990, 1991, 1992, 1993, 1994 e më tej deri në përfundim të luftës. Ishin kohë të rënda politike, ekonomike, financiare, sociale. Na largonin nga puna, na burgosnin, na rrihnin, vranin vetëm pse ishim shqiptarë.
Disa familje që kishin shumë djem, e dërgonin njërin në gurbet për të ndihmuar familjen financiarisht, ndërsa të tjerët përgatiteshin për luftë, sepse tashmë dukej qartë: pa luftë nuk kishte liri. Ishte mbushur kupa nga maltretimet që politika e ndyrë serbe u bënte shqiptarëve të Kosovës.
Në atë kohë, të drejtat më elementare për shqiptarët mungonin. Mjaftonte të ishe vetëm shqiptar patriot dhe të ndalohej çdo e drejtë: në punë, në shkollë, në rrugë etj. Vitet e asaj kohe ishin të papërballueshme, por pak leshuan Kosovën.
E  sot  rinia po largohet nga shteti i Kosovës, në liri nuk po gjejnë shpresë. Nuk po largohen nga dhuna, nga rrahja, vrasja, apo nga mungesa e fjalës së lirë, por nga politika e gabuar e politikanëve tanë.
Politikanët tanë nuk po e kthejnë kokën pas për të bërë një krahasim me atë kohë, sa në zullum kemi qenë dhe prapë nuk e kemi lëshuar Kosovën. Sot, çdo ditë po boshatiset shteti, edhe pse jemi të lirë.
Kjo tregon që po zhvillohet një politikë pa precedent në këtë vend. Atëherë, shqiptarët patriot kishim një status të varfër, e sot, Kosova ka dy kategori: të pasur miliarderë dhe të varfër, klasa e mesme mungon.
Kjo është pasojë e menaxhimit të dobët dhe e interesave vetjake të shumë pushtetarëve pas luftës. Prandaj jemi në këtë gjendje ku rinia çdo ditë po lëshon shtetin.
Një shtet nga i cili ikën rinia, nuk ka perspektivë.
Kur kujtoj se shumë prej nesh kemi sakrifikuar gjithçka për këtë liri,  kemi humbur familjarë, miq, rininë, sikur se edhe Prof. Miftari e shumë të tjerë që janë të panumërt, më dhemb zemra.
Për lirinë e Kosovës janë flijuar shumë: vëllezër e motra, baballarë, janë dhënë gjymtyrë të trupit, është përdhosur nderi, u dhunuan, u zhdukën, u dogjën, u shkatërruan totalisht, vetëm e vetëm që të çlirohemi një herë nga dora gjakatare çetnike dhe institucionet shtypëse serbe.
Që një ditë të na kthehej identiteti shqiptar. Që të na ktheheshin mërgimtarët në vendlindjet e tyre dhe të mos vdisnin më me mall,  duke na akuzuar edhe neve, familjarëve.
Dhe kjo akuzë vjen nga vetë politika e gabuar e shtetit të Kosovës, që nuk ua mundesojnë ne forma më të lehta mërgimtarëve tanë të hapin biznese. Kur e mira më e madhe do të ishte pikërisht kjo: të hapeshin fabrika, vende pune, të zhvillohej ekonomia vendore duke sjellë përvoja të mira nga jashtë, ku respektohet ligji, puna, dhe liria e njeriut. Jo t’i bllokojnë ata që dëshirojnë të kthehen.
Po të kishte perspektivë dhe vende pune në Kosovë, rinia jonë nuk do ta merrte rrugën e gurbetit.
Nëse në institucionet shtetërore dhe ato private do të zbatohej ligji i punës dhe të drejtat e punëtorëve, këtu do të ndodhte mrekullia. Kosova do të bëhej një nga shtetet më të pasura të Europës, sepse ka shumë resurse dhe vlera të pashfrytëzuara.
Por, nëse vazhdohet me këtë ritëm dhe me këto politika, prapë do të takohemi pas 30 apo 40 vitesh – ose do të vdesim me mall, pa i takuar më kurrë ata që i duam.
 
Nga: Kumrie Avdyl Shala
Data: 03.08.2025