Rubjana Nika (poezi)

Rubjana Nika (poezi)
MBIJETUAR

Hije je ti a njeri,
çapitur rrugës,
hapheshtuar,
shkopi si gjymtyrë e tretë,
shkuar për shtat
trupit të lodhur,
trupit të rrënuar.
Hije s'je,veç mbinjeri,
jetës,kohës mbijetuar,
me çapitje prej fëmije,
botës,njerëzish krejt harruar.

Rrudhat, brazdat,
dyfishojnë moshën,
trefishojnë vitet 
supeshngarkuar,
hapi, lodhur ecjesh pafund,
si i përgjumur,
si i përhumbur,
ritëmçrregulluar.
 
RËNKIM

Shkëmbinj të thepisur,
mbi një hon gremisur,
bukuri e frikshme,
dhimbsurisht braktisur.

Njerëz të "mohuar",
natyrë e harruar,
gërmadhat rënkojnë,
ngrehinash rrënuar.

Pamje mrekulli,
mbytur në heshti,
flet sa mijëra fjalë,
honesh boshësi.

Natyra rënkon,
njerëz,jetë kërkon,
asgjë s'pipëtin,
as zogu cicëron.

Dalë mitesh,legjendash,
brejtur,humbur,ndjenjash,
lufta të rrënoi
apo ftohur zemrash?!

Shpresëhumbur,mërguar,
nga njeriu harruar,
zoti e bekoi,
nga i ligu shkretuar.
 
Po humbim kontaktin me tokën,
tentojmë të sulmojmë qiellin,
po largohemi nga mëma natyrë,
guxojmë të sfidojmë diellin.

Toka na mban me bujari,
ne i shkaktojmë veç dhimbje ,
i turremi qiellit pa limit,
nxituar pa skrupuj,pa bindje.

Rënkon toka nën beton,
rënkon qielli nga tymnaja,
gjëmon deti ,uragan,
thahen ,digjen pyje,fund e maja.

Po humbim kontaktin me veten,
me shpirtrat tanë humbuar,
po shkatërrojmë çdo gjë njerëzore,
natyra lënduar,shkretuar.