CIKËL POETIK NGA PAJTIM ÇAUSHI
KUR UNI HYN TEK VETJA...
Si për të gjithë - i njëjtë fundi:
rroposje thellë në gji të tokës...
Ish-njeriu
as këmbë, as dorë tundi,
megjithë betimin e madh
pranë gotës!...
Të afërmit me psherëtima
si në kor antikiteti,
lutje mbi lutje për drekën mortore:
- Eh, së paku një gotë për shenjën që mbeti,
kur i gjallë mortin e kthente pietore!...
Drekarët pas drojës të kupës së parë,
tundim për tri teke,
hidhërimi gjashtë ballë!...
Më pas në rresht gotat,
dhimbja si e mekur:
- Eh, i gjalli me të gjallët,
i vdekuri me të vdekur!...
Në maratonë gotat për shëndetin e të ikurit,
Vetja* e lartësuar me gërthitje si në pyje,
dollitë shumëzojnë garën e të shiturit,
tek qielli i nëntë*
Uni*
Diell mbi yje!...
Vetja - hija nga hije...
Plus shtatë ngjyrave,
ngjyrë e tetë* në ylber,
vetëm Uni me dritë hyjnie,
në terr tjetri me të tjerë!...
(29 shtator, 2024)
* Uni dhe Vetja - sipas Frojdit: vetëdija dhe nënvetëdija
* Qielli i nëntë - sipas Dantes qielli poshtë Empiriumit të Zotit
* Ngjyra e tetë në ylber - dëshirë delirante e të vetpëlqyerve
DITA E POLITIKANËVE
Nëntor, ora tetëmbëdhjetë.
Mëngjes,
ora pesë:
të dehur mejhaneve!...
Mesditë,
ora trembëdhjetë:
të fshehur çitjaneve!...
Mbrëmje,
ora njëzetë:
trima të ekraneve!...
IKJA E HYJNESHAVE NJËZETARE
(në kujtim të Silvia Kontit, ndryshe Patricia Millardet)
Na ikin përditë hyjneshat femra,
ylleshat mitike te shekullit të njëzetë...
Vallë a ndihet në Parajsë lemza
e kufomës që mbetet pa zemrën e vet?
Largohen në heshtje stolitë e kohës sonë,
bukuroshet me fije ylberësh qëndisur...
Mbetemi pa frymë si humnerat pa jehonë,
me ca vite të verdhë si romane të grisur...
SINQERITETI ROMANTIK
Natën gjatë gjumit të vonë
një si frymë e ngrohtë hyjnore,
po syri asgjë s'dallon,
shpirti grahmë femërore...
Kureshtar i të padukshmes,
tinëz me mbulesë si lojë,
disi larg shtratit të fjetjes,
emra intrigues në gojë...
Në pritje mbi lëkundëse
si trupi në Hënë pa peshë...
S'e njohe shejtankën tundëse,
rrugaçen tënde hyjneshë?!...
Bam ballit - shigjetë Olimpi
shkelmin hashashit armik...
Ti njëqind aroma shpirti,
kreu i krosit olimpik...
Përgatiti dhe redaktoi: Angela Kosta, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare