Sherife Berisha -Thaçi (Biografi dhe cikël poetik)

Sherife Berisha -Thaçi (Biografi dhe cikël poetik)
SHERIFE BERISHA- THAÇI
 
 Sherife Berisha -Thaçi  është ie lindur në Suharekë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen  Gjimnazin e mbaroi në Suharekë , ndërsa Shkollën e Lartë në Prizren. Pas  përfundimit të shkollës së mesme ajo punësohet në Industrinë  e  Gomës  dhe  kimike “Ballkan”  në  Suharekë,  deri  në  vitin 1990, deri  në  momentin  kur  iu  ndalohet  hyrja  në  këtë  Industri  nga  policia  serbe  në  vitin 1990. Me krijimtari letrare ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore. Ka të botuar dy vepra  me  poezi  me titull "Ngjyra Jete", si  dhe  “Shtigjet e Skuqura, kjo e fundit  është përkthyer  në  tri  gjuhë – në gjuhën shqipe, angleze dhe atë italiane dhe  dy Monografi:
1. Rasim  Thaçi – Idealisti  që  lidhi ura  mes  njerëzve, kushtuar bashkëshortit të saj dhe
2. Monografi  me  bashkautorë  pjesëmarrës nga  të gjitha  trojet  shqiptare.
Është Anëtare  e Shoqatës  për  Kulturë  e  Art “Elena  Gjika” në  Suharekë, dhe Anëtare e  LSHK-së  në  Kosovë, si dhe  anëtare e disa  shoqatave të shkrimtarëve   në  Kosovë  e  Shqipëri.
Punimet e para të krijimtarisë së saj kanë parë dritën që nga viti 1970,  ku janë  botuar në Revistën letrare  “Jehona” dhe në Gazetën  “Flaka e Vllaznimit”, të cilat aso kohe botoheshin në Shkup. Gjithashtu, krijimet autores  në  fjalë,  kanë parë dritën edhe në të gjitha  revistat e kohës  si: “Rilindja”, “Bota e Re”,”Bota Sot”,”Bota  Press”, “Zëri i Rinisë”, “Fjala”, “Shkëndija”, në Revistën “Pionieri” si dhe në  Revistën “Fidani”.
Gjatë veprimtarisë së saj letrare, është stimuluar e shpërblyer disa herë në konkurse letrare me mirënjohje. Në  vitin 2025,  është  shpërblyer  me  Çmimin  Letrar “Ragip  Sylaj” në  Suharekë. Sherife Thaçi jeton dhe vepron në  Suharekë.
 
MARTESË NËN HIJE
(Kushtuar dy vajzave të  mia)
 
Jam lule vjollce
Jam në kërkim të stinës që i thonë Pranverë!
Jam bijë kosovare.
 
Pas humbjes së shpresave për të mbetur në Kosovë,
Mu desh të bëhem nuse në Durrësi,
Shumë larg teje –
Por…afër…!
Nuse pa duvak, pa fustan nusërie.
 
Nga dera e shtëpisë dola, me petka të zeza korb
Për TY Kosovë,
Për bijtë e ashtit tim
Që ranë për TY, e mbetën mbi dhe.
 
Ashtu të pavarrosur i lashë,
E nuk pata mundësi as t`ua mbyllja sytë,
Dhe t`ua  pëshpëritja fjalët
Flini të qetë, Liria nuk është larg!"
 
Oh… ç`dhembje mbeti në zemrën  time
Në ato ditë kur vërshuan lumenjtë e gjakut e të lotëve,
Për gjithë atë ferr e tmerr,
Që të kishte rënduar trupin tënd, Kosovë.
 
Ta ktheva shpinën
Duke të lënë  TY, mbretëreshë të robëruar.
Plagët t`i mora me vete dhe i barta brigjeve të detit
Duke u dallgëzuar me to, lutesha për fatin tënd dhe timin,
Që të mos na  ndjekë hija e orëligës.
 
Lutesha – Kosovë -  A do të më sheh të vdekur,
Apo do të të shoh të gjallë,
Shpresat  i kisha  gjithherë, 
Se një ditë do të të shoh të lulëzuar!
 
Sot në Kosovë vie erë lirie…
E unë lutem:
Merrmë edhe njëherë në krahët tu, Kosovë
Se më ke gjak, me ke asht…
Se këtu retë ma ndalin frymën.
 
Unë jam këtu veç si një hije e natës së pikëlluar.
Unë dua të jem atje ku - bukës i thonë bukë e ujit -ujë.
Unë dua lirshëm të frymoj aty ku qesha dhe qava njëkohësisht.
Unë dua të jem në mesin e njerëzve të ashtit tim
Më merr në krahët Tu, Kosovë – Gjaku im,
Kënga ime, Lulja ime, Dielli im, Kosovë.
 
TRI  SHKRONJA  DHE  NUMRI  PESË
(Shkronjat   A-L-V-emërtimi   i  emrave  të  pesë  fëmijëve  të  mi)
 
Tri  shkronja  dhe  numri  pesë
Ishin  lidhur  besa  - besë
Në  një  vend  të  kenë  folenë
Por,  i  pari  cili  do  jetë!?
 
Shkronja   “A”  foli  e  para,
Unë  do  prijë  si  është  e  mbara,
Emra   t ‘bukur  e  të  mirë
Arlindë,  Arben,  Alban, i  pagëzoi  me  dëshirë.
 
Shkronja   “L “ tha: jam krenare,
Nuk  do  jem  aq  ziliqare,
N ‘pranverë  me  mua  lulet  fillojnë,
Bukurinë  vendit  ia  shtojnë.
 
Sa  butësisht  flet  shkronja  “V”
Oj , ti  motër  mua  më  ke,
Ti   je   Lule  e  unë   Vjollcë,
Të  dyja  bashkë  lëshojmë  aromë.
 
Përshëndet  pesësh-ja  me  “tung”
Unë  kësaj  pune  i  jap  fund,
Fëmijët  me  mua  gëzohen  prore,
Derisa  janë  në  shkollë  fillore.
 
Kur  t ‘arrijnë  në  fakultet,
Atje  i  pret  numri  dhjetë!
 
28 – NËNTORI
 
Sot  buzëqesh  me  krenari
Anë  e  kënd  ke   pamjen  ndryshe,
Petku  festiv   sa  mirë  të  rri,
Fluturon   krahëhapur – si  dallëndyshe.
 
S`jam  dallëndyshe – jam  Shqiponjë,
Këtu  kam  zgjedhur  më  t ‘bukurin  vend,
Shqiptaria  më  thërrasin  Zonjë,
N ‘Flamurin  e  Vlorës, e  kam  folenë.
 
Nuk  jam  veç  shtizë  e  pëlhurë,
Në mua  ka  vlerë  të  vërtetë,
Jam  i  fuqishëm  Flamur,
Për  mua  njerëzit, kanë  dhënë  jetë.
 
Në  këtë  vend  veç  shkëmb  e   gur,
Në  shqiptarinë  me  plisa  t ‘bardhë,
Marigona  më  vuri  n ‘Flamur,
Që  të  jem  gjithmonë  krenar.
 
I  shtrenjti  ynë - Simbol  Kombëtar,
Në 1912-të, u ngrite  lart  më  28 Nëntor -
E   ne s`do ndalemi  gjer  n ‘piedestal,
Derisa   t ‘arrijmë – Nëntorin e Tretë.
 
Biografi dhe cikël poetik. Përgatit (Abdullah Troshupa)