NJË JETË ME DINJITET, NJË ZË I PASHUAR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
Nga Rajmonda Maleçka
Në një kohë kur kërkesat kombëtare shqiptoheshin me zë të ulët, kur heshtja ishte armë mbijetese dhe frika mbretëronte në zyrat dhe mbledhjet e sistemit, Sali Bajra ngriti zërin. Pa drojë. Pa llogari personale. Pa dyshim.
I lindur në Kaçanik në vitin 1934, nga një familje që kishte ardhur nga Lebana e Sanxhakut pas Kongresit të Berlinit (1878), Sali Bajra trashëgoi dinjitetin dhe rebelimin. Në vjeshtën e vitit 1969, si kryetar i Komunës së Kaçanikut, ai i dërgoi një ultimatum Kuvendit të Maqedonisë dhe atij të Tetovës:
“Nëse ju i rrihni qytetarët tanë, do t’i rrahim edhe ne qytetarët tuaj!”
Nuk ishte thjesht deklaratë. Ishte vendim. Vendosi "rampën" në kufi me Maqedoninë, në Han të Elezit. Mbështetësit e tij ishin qytetarët që e shihnin në të një burrë pa dyfytyrësi. Kundërshtarët – komunistët servilë që e shpallën "nacionalist" dhe e përjashtuan nga radhët e partisë më 29 maj 1969.
Ai nuk u përul. U tërhoq, por nuk u shua. Në vitet që pasuan, punoi në ndërmarrje tregtare, u shoqërua me intelektualë si poeti boem Mirko Gashi dhe lexonte me pasion veprat e Hugo-s, Balzakut, Nietzsche-s e Tolstoit. Kishte mendje të lirë dhe shpirt të ngarkuar me dhembje për Kosovën që nuk po e njihnin si shtet.
Në një intervistë të vitit 2006, tre javë para se të ndërronte jetë, Sali Bajra u shpreh:
“Decentralizimi që po trumbetohet sot është centralizim i Serbisë. Ai është nonsens pa shtet. Kosova duhet të njihet si shtet që të fillojë çdo reformë.”
I goditur nga padrejtësitë, i lënë mënjanë nga pushtetet, por kurrë i përkulur, ai ruajti buzëqeshjen dhe karakterin. Edhe kur shtëpia e tij me qerpiç ngjante me një kasolle, edhe kur në xhep kishte vetëm një monedhë, edhe kur kishte humbur të vëllanë, Jenuz Bajrën – të vrarë nga forcat serbe më 9 prill 1999.
“Po çfarë burrë i madh, ore… 1 euro në xhep s’e kam”, – thoshte me dhembje, por pa e humbur asnjë grimë të dinjitetit.
Sot, kur flitet për Republikën me pompozitet, është e ndershme të kujtohet edhe ai burrë që e kërkoi atë hapur kur të tjerët fshiheshin.
Sali Bajra, ndonëse nuk e pat një vend në pushtet, e ka një vend në histori.
RAMPË NË KUFI
(Poezi kushtuar Sali Bajrës)
Kur heshtnin burrat, ai foli me zë,
Në Komitet e tha: “Kosova do Atdhe!”
Jo fshehurazi, jo tinëz nën tryezë,
Por ballëlartë, në kohë me rrëke.
Në ’69-ën, kur rrihnin kufijtë,
Ai vuri rampën, u bë flakadan.
“Na i prekët tanët – ju i ndjeni dhëmbët!”
U trondit Tetova, u drodh Kumanov’ anë.
S’kishte kolltuk, por kish nder e guxim,
As vila, as pasuri, por një emër të ndritshëm.
Nacionalist e quajtën, e përjashtuan me fyerje,
Por populli e mbajti, si zemër në shpirt.
Jetoi me libra, me Hugo e Tolstoi,
Me Gashin, me ëndrrat që nuk shuhen kurrë.
Në kafene të vogla, me fjalë të mëdha,
E rrëfente Republikën, si një amanet burrëror.
Vëllai i vrarë nga dora serbe,
Nipat në UÇK, ai në heshtje i priste.
E kur s’e pati as një euro në xhep,
Sërish tha:
“Mos më quani burrë të madh, s’e meritoj krejt!”
Por historia, o agë Sali, nuk gabon,
Ajo shkruan me shpirt, jo me emër zyrtar.
Në çdo rreze dielli mbi Kaçanik,
Rampën tënde e sheh... si flamur që nuk vdes kurrë!
Autore Rajmonda Maleçka