Ferdinand Laholli – Vështrim për librin me vjersha „Bashkia e pyllit“të dhjetëvjeçarit Ani Pëllumb Jaupllari

Ferdinand Laholli – Vështrim për librin me vjersha „Bashkia e pyllit“të dhjetëvjeçarit Ani Pëllumb Jaupllari

Ferdinand Laholli

 

PROBLEMET E KOHËS MBI SUPET E BRISHTA POETIKE TË NJË FËMIJE

Mbi librin me vjersha „Bashkia e pyllit“ të dhjetëvjeçarit Ani Pëllumb Jaupllari

 

Para ca ditësh më ra në dorë krejt rastësisht një librushkë me vargjet e një djali dhjetëvjeçar nga Lushnja. Dhjetëvjeçar?! Një moshë kjo, që në kontekstin krijues prej një lexuesi të rritur ngandonjëherë mund të shoqërohet me pikëpyetje ose me pikëçuditëse apo edhe me të dyja bashkë, ndërsa për mua ishte një befasi tejet e këndshme dhe një risi që meriton edhe përkushtimin e këtij shkrimi.

Është fjala për titullin metaforik „Bashkia e pyllit“ të autorit Ani Pëllumb Jaupllari, botuar nga Toena në vitin 2004.

Libri hapet me krijimin „Nënës sime“, ku puthja e fëmijës, ky simbol i thjeshtë ka përmasa horizontesh. Buzët e birit janë porta më hyjnore e një shpirti transparent, ku nëna shihet e lartuar në piedestal adhurimi.

Diellin në krijimin me të njëjtin titull autori nuk e sheh si vetmitar, por në shoqëri të ngahershme me retë. Por jo vetëm kaq. Dielli në vargjet e tij domethënëse e shohim edhe si amanetlënës, që hëna t’u bëjë dritë njerëzve në mungesë të tij. Me penelata të lehta ai shpalos para lexuesit tablonë e një universi të thjeshtë, pra një bashkësi hapësinore, kohore, materieje dhe energjie në komunikimin e tyre etern.

Te krijimi „Prindër të dashur“ kuptojmë se ai e shijon më së miri çastin me ta, me bindjen fëminore se ky çast i tillë është frymim gjallimi. Edhe pse ende fëmijë ai befason me pjekurinë e tij meditative, se kuptimi i jetës është, t’i japësh jetës një kuptim. Edhe pse i vetëdijshëm për cakun e gjallimit, vargjet e tij kryeneçe lartohen mbi truallin e zemrës së tij dhe shndërrohen atje për tërë familjen në një strehë të përbashkët me konture amshimi.

Bota në fokusin poetik të autorit është e bukur në përbërësinë e saj, madje edhe njerëzit paraqiten të tillë, duke ia shtuar asaj edhe më tepër vitalitetin dhe larushinë. Qaramanët e kësaj bote nuk zenë aspak vend në vargjet e tij, si paralajmërim se mendimet janë tabani i asaj që përjetojmë.  

Në vargjet e librit ndeshet edhe rrëfimi mbi dy derrkucët që lëvdohen me ngrehinat e tyre, ngrehina që befas përjetojnë rrëzimin brenda vetes. Ngaqë nuk përmendet pse dhe prej kujt kryhet një akt i tillë, mbetet të aludohet se ato ishin ngritur prej tyre pa lejë dhe pa sistem, e si të tilla edhe u rrafshuan nga dora e pamëshirtë e ligjit.

Syri hulumtues i Jaupllarit depërton thellë tek e përditshmja indifernte shqiptare, ku jetimi është e mbetet vetmitari më i madh i kësaj kohe mjerane. Zemra e tij rreh, por rreh vetëm. Megjithatë ne preferojmë edhe më tutje të mbytemi në detin fodull të egoizmit, ku harresa nuk di më të kujtohet, se angazhimi është e mbetet pulsi midis shoqërisë dhe ndërgjegjes.

„Bashkia e pyllit“ është krijimi që jo vetëm i është bërë titull librit, por edhe krijimi më i arrirë në të, ku vargjet përmes krahasimesh të këndshme dhe simbolikash befasuese përcjellin tek lexuesi lajtmotivin apelues: vetëm kur çdo individ të ndihet mirë, ka të drejtë të ndihet mirë e tërë shoqëria.