"TI SHKRUAJE NË KOMA" I LUAN RAMËS
- Poetes Shpresa Kapisyzi Rama që dhe në koma poezia pulsonte në shpirtin e saj-
Poezia "TI SHKRUAJE NË KOMA", të cilën autori Luan Rama ia kushton poetes shqiptare Shpresa Kapisyzi, nuk është një rrëfim mistik dhe as një përrallë. Kjo ka ndodhur vërtet...
Vargjet e kësaj poezie na "çojnë" në një shtrat spitali, ku duket se gjithçka prehet, ku nuk mund të dëgjosh qoftë frymëmarrje, as zëra, as hapa, as mendime. Çdo fjalë shpërndahet në limbon e padukshëm dhe të pashpjegueshëm.
Kjo poezi tregon për një përvojë mistike, të përjetuar nga vetë ekzistenca personale, e cila shkon përtej kufijve fizikë të jetës dhe vdekjes.
Autori Rama "ndërton" një urë midis botës së jetës reale dhe botës së panjohur të jetës së përtejme. Edhe pse ishte në koma, poetja Shpresa shkruan, rrëfen, sheh, dëgjon, flet... dhe të gjitha këto i bën përmes poezisë, teksa gjendet në atë qiell, në ato re që nuk e di nga vijnë, me shkronja argjendi, duke shkruar në mendje atë që dëshiron vetë shpirti, sepse është i vetmi, është pikërisht ai që nuk vdes kurrë.
Dhe pikërisht këtu autori Rama fokusohet, nxjerr në pah epiqendrën e këtyre vargjeve: ashtu si shpirti, edhe poezia nuk zhduket, nuk vdes kurrë, nuk shuhet. Prandaj shfaqet "drita e bardhë e neoneve", sepse e tillë është poezia: hyjnore, e pastër dhe inkandeshente.
Edhe pse në koma, edhe pse në gjendje të pavetëdijshme fizike, edhe pse në këtë limbo të pashpjegueshëm e të padëshiruar, vena krijuese e poetes nuk ndalet, por vazhdon të rrjedhë si gjaku, i cili, ashtu sikurse poezia, nuk dëshiron aspak të ndalet para asgjëje, as kur trupi mbetet i pafuqishëm, i paaftë për të vepruar apo për të reaguar kundrejt asaj që fati na ofron papritur.
Tepër magjike dhe magjepsëse, metaforat dhe onirikat, të cilat nëpërmjet kësaj poezie, autori Rama, na i paraqet në këtë "ishull" që duket i humbur dhe i izoluar në një botë misterioze të përhumbur. "Retë" dhe "shkronjat e argjendta" që bien në sytë e mbyllur të poetes, "lutjet e pemëve" dhe "lulet jeshile" të botës së përtejme, kapërcejnë me vrull të ngadalshëm, urëkalimin nga mbretëria e të gjallëve në atë të të vdekurve. Vdekja nuk është shpallja apo jehona e pikës kyçe të fundit të ekzistencës sonë në jetën tokësore, por është një fazë tjetër ekzistence, është ai i kalvarit të dhimbshëm që përshkon kordoni kërthizor sapo shkëputet nga jeta... e megjithatë një jetë tjetër na pret, ajo e përjetshmja.
"Lutjet" dhe "nostalgjia" nxjerrin në pah pikërisht këtë: gjithësia e qenies sonë, gjithçka që ka të bëjë me trupin dhe shpirtin e gjallë, e gjitha kjo e tillë mbetet e nuk mund të humbasë as me vdekjen. Për këtë arsye, poetja-engjëll, vazhdon të shkruajë dhe të "pikturojë" për "të dashurit e saj nën këtë qiell akuarel ", duke sjellë dhe konfiguruar përtej kujtimeve edhe aromën e "grurit dhe barit":
"Ti vazhdoje të shkruaje poezi në eter."
Lirika e Ramës dallgëzon në një atmosferë onirike, të pezulluar dhe të varur. E pezulluar në limbo, e varur në atë fije të hollë që ndan dy botët: atë tokësore - reale dhe atë të përjetshme - joreale. Ja pse këto vargje "na shpien" përtej barrikadave tokësore. "Lulet e gjelbra" dhe "jeta e përtejme" (si në një spektër shumëngjyrësh dhe inkandeshent), na paraqesin vizionin pozitiv të vdekjes, kalimin e saj drejt atij dimensioni në të cilin ende vazhdon ligji i jetës, sepse në të ngjizet sërish, dhe aty, atë çast rihapet dera, duke ndërprerë njëherë e përgjithmonë gjumin e thellë.
Tashmë zgjuar dhe vigjilente, poetja rikthehet të marrë frymë, e teksa dëgjon zemrën duke rrahur vazhdon të kompozoj vargje krizantemash të përjetshme në parajsën tokë.
TI SHKRUAJE NË KOMA…
-Poetes Shpresa Kapisyzi që dhe në koma poezia pulsonte në shpirtin e saj-
Ti shkruaje në koma
nën një dritë të bardhë neoni
vargje që ndereshin në ajër
dhe thoje : “kushedi në ç’qiell janë këto re,
mërmërima shpirti e shenjti,
këto shkronja argjendi që bien
mbi sytë e mi të mbyllur ».
Kështu i thoje ti lutjet e pemëve
lutjet e pengjeve që flladi i tundëte tutje si fenerë
për të kujtuar atë çka s’munde të bëje,
atë çka s’munde të doje,
duke parë symbyllurazi njerëzit që s’i kishe më
në pagjumësinë e madhe dhe rrjedhën e paqtë
të gjakut që s’donte të ndalej,
shikoje shtëpi që ngjiteshin në qiell
duke dashur të ngjiteshe dhe ti lart
mbi çatitë e magjisë së jetës,
numuroje orët
kur dita dhe nata kishin bërë paktin e tyre
të ngjizeshin në një,
dhe në këtë mos-kohë
ti vazhdoje të shkruaje poezi në eter
me zanore farfuritëse për dashurinë e vjetër
dhe mallin e botës,
“sa shumë ju ndjej të dashurit e mi nën këtë qiell akuarel,
ndjej frymën dhe aromën tuaj
aromë gruri dhe bari,
ku veç lulëkuqe shoh mbi buzët tuaja »…
E kur porta e jetës tu hap
vargjet sërish tu shfaqën,
jo krizantema,
por lule të gjelbërta nga bota e tej-jetës,
shpirti yt nuk i kishte harruar,
as fryma…
Nga Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistave fizike: MIRIADE, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese