Hassane Yarti nderohet me çmimin ndërkombëtar të ekselencës “Qyteti i Galateos”

Hassane Yarti nderohet me çmimin ndërkombëtar të ekselencës “Qyteti i Galateos”
BOTUESI, SHKRIMTARI DHE PËRKTHYESI MAROKEN HASSANE YARTI NDEROHET ME ÇMIMIN NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “QYTETI I GALATEOS” NË ITALI
 
Botuesi, shkrimtari dhe përkthyesi maroken Hassane Yarti është shpallur zyrtarisht fitues i edicionit të XII të Çmimit Ndërkombëtar të Ekselencës “Qyteti i Galateos, 2025”. Ky vlerësim prestigjioz, iu dha gjatë një ceremonie kulturore të nivelit të lartë të mbajtur në Gorizia, i shpallur Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2025.
Çmimi, i organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare VerbumlandiArt, me presidente Regina Resta, nderon kontribues të rëndësishëm në letërsi, art dhe diplomacinë kulturore. Edicioni i vitit 2025 mblodhi intelektualë, poetë dhe studiues nga e gjithë bota, duke theksuar rolin e fjalës së shkruar në promovimin e paqes dhe lidhjes njerëzore.
Hassane Yarti, banues në Barcelona, u vlerësua për karrierën e tij të shquar letrare dhe për rolin e tij me ndikim në ndërtimin e urave kulturore mes botës arabe dhe Evropës. Puna e tij në revistën "Barcelona Literary", në përkthimin dhe në përgatitjen e disa antologjive ndërkombëtare, ka qenë thelbësore për të prezantuar zërat bashkëkohorë arabë në skenën letrare evropiane dhe anasjelltas.

 
Pas marrjes së lajmit për çmimin, Yarti shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj jurisë dhe shoqatës VerbumlandiArt, duke deklaruar: “Të marrësh këtë çmim në Gorizia, një qytet që simbolizon unitetin e kulturës evropiane, është një nder i madh. 
Ai forcon angazhimin tim ndaj letërsisë si një gjuhë universale që kapërcen kufijtë dhe feston vëllazërinë tonë të përbashkët.”
Çmimi “Qyteti i Galateos” mban emrin e humanistit të Rilindjes Antonio de Ferraris, i njohur si “Il Galateo”; ai konsiderohet një nga figurat më të vlerësuara e më të rëndësishme kulturore në Itali për promovimin e ekselencës në art dhe në angazhimin shoqëror.

Përktheu: Angela Kosta