Vështrim
AGIM DESKU, NJË ZË I FUQISHËM NË POEZINË MODERNE SHQIPE
Poeti Agim Desku, tash më, është bërë një zë i fuqishëm në letërsinë moderne shqipe dhe si i tillë, deri më tani, ka botuar shumë vëllime poetike në Kosovë, në Shqipëri , në Maqedoni të Veriut dhe në disa shtete të tjera të Evropës, por edhe deri në Amerikën e largët.
Poezia e poetit Agim Desku, deri më tani, është vlerësuar me çmime të shumta letrare dhe si e tillë është përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja, si: në italisht, në greqisht, në anglisht, etj.
Ndërkaq, vëllimi poetik “ Himne lashtësie”, i cili u botua nga Shtëpia Botuese “ Meshari” në Prishtinë, është një ndër vëllimet poetike të poetit Agim Desku, në të cilin trajtohen fuqishëm tema dhe motive nga e kaluara dhe e sotmja, por edhe nga e ardhmja ëndërrimtare, për një bashkim të trojeve të copëtuara shqiptare- Arbërisë së dikurshme.
Poeti Agim Desku, në këtë vëllim poetik, himnizon Atdheun, në një kaluar të largët dhe të sotme, tani kur mungojnë tiparet kryesore të shqiptarëve, si: mungesa burrave të fjalës, mungesa plisave në ballë, si dhe mungesën e fjalës së dhënë- besës, me të cilat dikur identifikoheshin shqiptarët në botë.
“Pesë shekujt e ferrit nuk t’i lëmë të të humbasin
Me mijëra luftëtarë me zemrën tënde frymojnë
Një kala me ngjyra të ylberit në shpirt e krijojnë...” ( “ Atdheu” )
Ose:
“ Sot atdheu u zgjua pa burrërinë e burrave të fjalës
Edhe pa ato kokat që dikur mbanin plisin në ballë
Na u rrallua fjala që dikur të parët e quanin besë” ( Po aty)
Desku në këtë vëllim poetik, pos tematikës atdhetare, trajton edhe tematikën e luftës, të cilën e gjejmë te poezitë: “ Lufta”, “ Lufta për liri”, “ Trimat s’mund t’i lë vetëm”, etj. Në poezinë e parë, sipas poetit, Desku, lufta mund të eksitojë vetëm në mendjen e djallit, ndërsa në poezinë e dytë, lufta është faktike, edhe pse është e keqe e njerëzimit, madje e përjetuar edhe nga vetë autori i këtyre poezive.
“ Lufta jeton në mendjen e njeriut djall
Paqen e gjejmë vetëm në ëndrrat e nënave” ( Lufta)
Ose:
“ Eh, sa e madhe është Liria
Kur ta vrasin parasysh
Sa i madh është Atdheu
Kur të robërojnë
Shpirti të dhemb... ( “Lufta për Liri”)
Tema e luftës, pa dyshim, trajtohet edhe në poezinë “ Trimat s’mund t’i lë vetëm”, e cila u kushtohet trimave të Drenicës, Nebih e Tahir Mehës, në konflikt të hapur me xhandarmërinë serbe:
“ Trimat s’mund t’i lë vetëm
As s’mund t’i lë në gjysmë të rrugës
As s’mund t’i lë të vdesin ... ( “Trimat s’mund t’i lë vetëm” )
Poeti Agim Desku nuk mund të largohet lehtë nga tematika e luftës, sepse është edhe vetë është përjetues i saj në Kosovë. Ai shprehet i zhgënjyer me mos veprimet e shtetit amë- të Shqipërisë për t’u dalë në ndihmë vëllezërve të tyre shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , në realizimin e idealeve të tyre kombëtare. Një pakënaqësi të tillë e kemi te poezia me titull “ Shqipëri ku je”, e cila i kushtohet luftëtarit të lirisë, Nahil Ramadanit nga Maqedinia e Veriut:
“ Sot të ndritë fytyra
Eh, Shqipëri ku na mbete
Kur luftëtarët një nga një u treten”... ( “ Shqipëri ku je”)
Por, sipas poetit Agim Desku liria e fituar në Kosovë është e pamjaftueshme ( pakëz) dhe nuk e fsheh idenë e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, sepse vetëm kështu mund të qetësohet rajoni.
“ Kosovë
Dje nga ferri
Krijuam pakëz Liri... ( “ Kosovë”)
Në këtë vëllim poetik, një poezi e fuqishme është edhe ajo me titull “ Ujku i vjetër me petk të ri”, ku në togfjalëshin “ Ujku i vjetër ”, fjala “ujku” simbolizon “ armikun e vjetër”, që në këtë rast, është Serbia, andaj një thënie e tillë ta kujton thënien popullore “ Ujku qimen e ndërron , por zakonin nuk e harron”.
“ Me shejtanët duhet të merremi vetë dhe askush tjetër
Para se ata të merren me ne të gjallëve” ( “ Ujku i vjetër me petk të ri”
Mjaft joshëse, në këtë vëllim, poetik janë edhe poezitë : “ Fate të njëjta”- në Muzeun e Holokausit në Jerusalem , “Muri i Lotëve- Jerusalem”, etj, ku autori si burim frymëzimi ka Jerusalemin dhe Muzeun e Holokausit ( gjatë një vizite) dhe fatet e njëjta te popullit tonë me ata të Jerusalemit , në rrugëtimin e përgjithshëm për liri, në kohë të ndryshme:
“ Jam lutur dymijë vjet deri sot
Të takoj tokën e njeriut të parë dymijë vjet ishim flakë e njëjtë Dielli
Ashtu siç falej dritë nga drita e ndonjë ylli” ( “ Fate të njëjta”)
Në vëllimin poetik “ Himne të lashta” dalin të realizuara mirë artistikisht edhe poezitë : “ Biografia ime”, E di”, “ Zogjtë na falin pranverën”, Fshehtësitë e Venedikut”, “ Poemthi Bye Agim”, “ Gegnisht”, Ç’ njerëzore”, “ Adami i thyer”, “ Idilat Naimniane”, etj. :
“ Nëse ma kërkoni biografë time të lindjes
E kam në përkraheroren e Gjergjit pranë zjarreve të Prekazit
Udha e kombit na bashkon me Lezhën
Deri në Vlorë nuk kanë asnjë ndalesë... “ ( “ Biografia ime” )
Për fund: Vëllimi poetik “ Himne lashtësie” është shkruar në gjuhën standarde dhe me një stil të veçantë dhe krejtësisht të pavarur. Gjithashtu, ky vëllim poetik është i pasur edhe me figura të ndryshme stilistike, në veçanti me epitete, simbole, krahasime, antiteza, etj.