Kadri Tarelli - “DEGDISJA”- PLAGË E PA MBYLLUR E KOMBIT TIM

Kadri Tarelli - “DEGDISJA”- PLAGË E PA MBYLLUR E KOMBIT TIM
Recension
 
 “DEGDISJA”- PLAGË E PA MBYLLUR E KOMBIT TIM
 
"Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit,    do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im."
(Hasan Prishtina)
 
Para pak kohësh shkrimtari i njohur Bedri Tahiri, nga Dardania, autor i më shumë se 50 librave, më dërgoi në dorëshkrim, romanin e tij “Degdisja”, me idenë për t’i bërë një analize letrare apo e thënë me një fjalë të “jashtme”, recensë.
E pranova me kënaqësi, duke parandier se kam në dorë një libër të mirë artistikisht, madje për më shumë edhe atdhetarisht.
Dikush mund të thotë: pse s’përdor fjalën “I bukur”, që e ndeshim rëndom në shkrime dhe biseda. Unë i qëndroj besnik mendimit, se: fjala (i ose e bukur), shpreh vetëm formën, pamjen ose më së shumti mënyrën e të shkruarit, fjalorin, figurat letrare, etj, etj. Ndërsa “Libër i mirë” i ka të gjitha gjërat brenda, përfshi përmbajtjen dhe më kryesoren, kreun e fjalës, kumtin që përcjell te lexuesi.
Në përgjithësi, kur nisim e shkruajmë për një libër, pak merremi me titullin, anashkalojmë fjalën që godet dhe na bën të mendohemi gjatë, duke rendur  më shumë pas formës dhe përmbajtjes.
Romani “Degdisja”, qëllon që në titull. Një fjalë kjo, jo e vendosur si gjetje letrare, apo frymëzim shkrimtari e poeti, por e qëmtuar qëllimisht nga autori për të rrëfyer një dukuri, mbase jo vetëm shqiptare, por e pësuar më shumë nga ne arbërorët, që nga shekujt e hershëm, madje edhe në ditët tona, ku lufta, shpërngulja dhe dhuna, nuk po na ndahen edhe sot e kësaj dite.
Është një fjalë e përdorur gjerësisht në të gjitha trevat shqiptare, sidomos në krahinat e jugut, që shpreh një oqean mendimesh dhe mundimesh, vuajtjesh dhe zhgënjimesh. Fjala degdisje, me rrënjë tërësisht shqipe: degë e thyer apo e shqyer, nga rrënjët e gërryer, nga era rrëmbyer dhe çuar larg, s’dihet se ku, me një fjalë pa nam e nishan. Pa ditur se ç’e pret, digjet, kalbet, apo dheu e tret...! Është një fjalë që zgjon fantazinë e lexuesit: Kush, kur, ku u degdis, çfarë fati mbajti mbi kurriz dhe kurrë nuk u kthye nga u nis. Sa dhimbje dhe trishtim paska ky populli im, i fortë si lis...!?
Në analizë të thjeshtë, ka degdisje vetjake, që nga halli (kur rrezikohet koka), apo nga malli për të parë botë me sy. Aventurë për të provuar fatin dhe zotësinë, duke luftuar për një jetë më të mirë, siç ndodhte me mërgimtarët tanë, që rrihnin botën dhe ktheheshin përsëri në vendlindje, duke sjellë ca para dhe një lloj kulture jetese më të arrirë. Mërgimi është i vështirë, pasi pak janë ata që ja kanë dalë mbanë të realizojnë vetveten, shumica kanë një pjatë gjellë sa për të mbajtur shpirtin gjallë, madje në vendlindje mund të jetonin më mirë, ndërsa shumë të tjerë mallkojnë fatin tragjik, pasi u kishte rënë të provonin bukën e kurbetit, bukën me shtatë kore, siç i thonë vetë mërgimtarët.
Përfundimi: të gjithë në dhe të huaj, treten si kripa në ujë, mbeten të paemër, të vajtuar, të harruar dhe me varr të shuar.
Drama apo tragjedia e kohëve moderne, “Degdisja” u luajt në një teatër gjigand, siç është Dardania jonë. Aktorët fqinjët dhe Ilirët, qëndresë dhe luftë për jetë a vdekje. Kështu, “kohët “duke e shtyrë njëra-tjetrën, kalëronin e zhgërryenin lirshëm mbi trupin e Ilirisë”, të drobitur e të sfilitur, pa mundur të gjallërohet e të forcohet për t’u bërë zot i vetes, si komb i vjetër dhe me emër të ndritur, - thotë përmbledhtas autori.
Kush i ka përjetuar ato ditë lufte dhe tmerri, nuk ka si të mos thërrasë e të bërtasë: Pse u “Degdis” kështu populli im, kombi im? Në emër të kujt? Në emër të çmendurisë dhe babëzisë për pushtim trojesh? Sa pak paskemi mësuar dhe kuptuar historinë, që çuditërisht përsëritet, në kohë, vende dhe popuj të ndryshëm.
Dhe, këtë autori e di fort mirë, ndaj përpiqet që nëpërmjet këtij romani të na kujtojë të shkuarën, të vlerësojë të tashmen, njëkohësisht të hedhë dritë edhe mbi të ardhmen.
Pa hyrë në histori, pasi përsërisim vetveten dhe romani mbështetet në histori, por nuk ka këtë qëllim. Mjaftojnë vetëm ngjarjet 1998-1999, të njohura në mbarë botën, si “Shpërngulja biblike”, e mbi një milion dardanëve nga Dardania jonë Shqiptare. Në këtë rast “Degdisja”, për të ruajtur dhe mbrojtur racën, ishte e dobishme dhe e pranueshme për cilindo nga ne. Unë jam nga Durrësi, dhe si mijëra durrsakë i kujtojmë me dhimbje ato ditë të trishta, kur turma dardanësh mësynë Durrësin/ Por… !? Çdo lexues do të bënte pyetjet:
- Po sikur bota mos na qëndronte pranë, duke u futur e tëra në luftë me hasmin tonë të përjetshëm!?
– Përgjigja është tmerrësisht e hidhur, mjafton të kujtojmë degdisjen e popullsisë çame nga Çamëria e bukur, rreth 80 vjet me parë.
Duke lexuar nëpër reshta, pasi autori e le pezull, në mënyrë që lexuesi të futet në mendime, unë po shtoj edhe një pyetje që më dhemb kur e mendoj:
- Si është e mundur që Serbia, në gjithë këto luftëra, vetëm është zgjeruar dhe askush nga bota “e qytetëruar”, nuk i ka prerë gjuhën, duart dhe këmbët?
Pyetjet gjallojnë radhë-radhë, sa nuk i lenë shteg përgjigjes:
- Pse ende vazhdon të përkëdhelet ky komb ardhacak, të dridhet dhe përdridhet, e pastaj të dalë “viktimë” e prapësive që i kurdis dhe i bitis siç ia ka qejfi?
Mos o zot të jetë e vërtetë ajo që mendoj: Evropa me ca nëpunës dallkaukë, pehlivanë në dallavere, që mos qoftë e thënë, të  shiten e blihen dhe as që merakosen fare për fatet e kombeve…! Vallë kaq naivë janë sa të mos venë re nga qëndron e drejta dhe e vërteta? Kur ne i shohim në dritë të syrit, si engjëj të zbritur nga qielli!?
 Edhe vetë autori shprehët i mërzitur e gjakprishur:
 - Pse, mos ndonjëherë ia pamë hairin Evropës?! - Kurrë. As dje, as sot, siç po shihet, as nesër. Këtë jua them nga përvoja. Unë, sytë e zemrën i kam te Amerika, se përndryshe.….!
Në këto kushte, unë po e shpreh në formë pyetjeje mendimin dhe qëllimin:
- Cili është thelbi i kumtit që përcjell autori Bedri Tahiri, në këtë roman?
- A mundemi ne të kuptojmë dhe të nxjerrim mësim, për vete dhe për brezat që do vijën? Ka vend për të zënë mend… - thotë i dituri!
Së pari: autori, si njohës i mirë i historisë sonë kombëtare, këtej  e andej gardhit, që padrejtësisht na ndau për gati një shekull, përpiqet të na sjellë thjesht dhe bukur, degdisjen tonë mbarëkombëtare. A pati rezistencë? Mund të pyesë dikush. Po, po…! Pushka, koburja dhe pena e shqiptarit, nuk u ftoh, as u ndryshk. Koha solli heronj të rinj, që me gjakun e tyre mbajtën gjallë ndjenjën e lirisë. Ata u shndërruan në  simbol të qëndresës, dhe luftës për liri.
Në vazhdim: Si e realizon këtë? – Secili mund ta këqyrë vetë në libër. Pikërisht kjo është merita e autorit, që ka gjetur një formë sa të bukur aq edhe interesante, ta çojë deri në fund, jo vetëm përshkrimin me hollësi të jetës normale, shpesh të trazuar, më së shumti të shkatërruar, në kushtet kur kërcënohej mbijetesa. Njëkohësisht edhe thirrja pa zhurmë e bujë, që të kthehen bijtë dhe bijat nga largimi, mërgimi, “Degdisja”, apo braktisja, për ta ndërtuar jetën në këto troje.
Në roman, autori mjeshtër i fjalës, shtruar këmbëkryq në biseda të zakonshme, na jep të dhëna interesante historike edhe për ditët tona, ku jemi vetë aktorë dhe spektatorë. Heronjtë e gjallë, unë, ti, ai, pra ne rrëfejmë copëza nga jeta jonë, e jetuar dhe përjetuar fuqishëm, lidhur ngushtësisht me truallin dhe ngjarjet historike, që nuk i vendos individi, burri gruaja dhe fëmijët, qytetari, bujku, blegtori apo minatori.
Ndërkohë dëgjuesi apo lexuesi, i prek, i përthith dhe i beson tërësisht ngjarjet, diku i përjeton përsëdyti e përsëtreti, duke mbajtur kokën me duar: - Ky është fati i “Degdisjes”, që na është qepur si rrodhe dhe nuk na u nda për mijëra vjet?
Vërtet paskemi qenë të fortë që mbijetuam si komb dhe si racë. “Sa e sa popuj u shuan dhe u tretën si flluskë sapuni. Shumë e shumë. Ne qemë dhe mbetëm këtu, zot të këtyre trojeve. Qëndruam e mbijetuam”, - shton diku autori, që nuk e ndërpret fjalën: - Megjithatë, rrënjët e saj të thella nuk u shkulën dot nga dheu i vet. Gjithë botës i dhamë jetë, i dhamë gjallëri, i dhamë përparim, i dhamë dije e shkencë, veçan i dhamë besë e trimëri...‼! Po për vete…!?
Një vlerë e shtuar e librit, është përdorimi në krye të çdo kapitulli, i thënieve të mençura të autorëve nga bota dhe vendi. Nuk është stoli, apo zbukurim, por një shenjë udhërrëfimi për çka do të ndodhë. Çuditërisht njerëzit e mëdhenj u flasin të gjithë kohërave…!
Më pëlqen të citoj të plotë fjalën e shkrimtarit tonë të njohur  Jakov Xoxa: të vendosur në hyrje të librit: Në do të bëhesh shkrimtar i mirë, duhet ta njohësh popullin tënd dhe në do ta njohësh popullin tënd, duhet të qëndrosh me të. Nga kabineti nuk mund të shkruhen vepra të mëdha”.
Autori me qëllim, madje me dashje, një jetë të tërë, është ulur gju më gju me popullin e vet që e rrethon, qan e ndan hallet e dertet, madje edhe përtej oborrit, duka na sjellë fjalë dhe shprehje të urta, të dala nga përvoja dhe mençuria e brezave, si gjurmë të traditës popullore, të trashëgimisë gojore, si dhe të tregimit me copëza (dromca), nga historia.
Ka aq shumë thënie të tilla, sa një lexues i kujdesshëm, mund t’i mbledhë në një libër të vockël, (siç thotë korçari), për t’i mësuar dhe për t’i përdorur në çdo fjalim, kuvend, apo odë burrash. Përvoja e popullit është thesar kujtese, por edhe mësim mbijetese.
Më duhet të qëndroj në faqet e fundlibrit, ku bashkohet jeta dhe zemra e dy luftëtarëve të lirisë, Gent Guri dhe Gala Shpati, e cila ëndërronte të bëhej historiane: “Dëshira ime është të bëhem historiane. A e dini pse? - Që të gjurmoj e të shkruaj historinë tonë, ashtu siç duhet! Historia jonë, mjerisht, gjithmonë është shkruar nga të tjerët. Kryesisht e kanë shkruar armiqtë tanë, andaj nuk e thotë kurrë të vërtetën”.
Shumë kush mund të mendojë si mbyllje e shumë pritur, që përkon me dëshirën për të qenë sa më pranë vatrës, truallit, traditës dhe kohës që po përjeton Dardania e lirë dhe e mosvarme. Por dikush mund të hamendësojë si mbyllje mekanike, si rastësore, etj, etj.
Unë pajtohem me zgjidhjen e parë, jo vetëm se më pëlqen forma më gjetur, por më shumë trilli dhe frymëzimi poetik: dashuria në rrethana lufte është hyjnore, pasi aty nuk dashuron trupi dhe mendja, por shpirti dhe zemra, ndjenjat dhe fryma e përbashkët, aq sa edhe ndarja dhe rrjedha e kohës, nuk e fashitin, as e venitin, as e thajnë, as e shkërmoqin lulen e vaditur me gjak atdhetarie.
 – “I dashuri Gent! Jam ajo vajza që më pate takuar në Malet e Pashtrikut, kur po bëheshim gati t’ia mësynim kufirit. Ma pate lidhur plagën dhe...!”
 Kaq mjaftoi dhe te Genti të ndizen kujtimet, të trazohet prushi i fjetur nën hi...! “Gërsheti i përgjakur i shkëlqente si gjerdan i bukur nusërie”, - thotë diku autori. Jam i bindur se edhe ai mendon si unë që adhuroj lirikun i madh Lazgush Poradeci, i cili thotë: “Dashuronte vetë dashuria!”.
Autori është i kujdesshëm të prekë një plagë sa të hershme aq edhe të ditëve tona, nxitur nga padija, pakujdesia apo më shumë nga babëzia: mos kujdesin për trashëgiminë, sidomos të objekteve më vlera arkeologjike apo historike. Gati-gati si ndodhi e pa vënë re, një gur i madh i skalitur..., mbetur nga rrënojat e kullës së vjetër!
“Jo, jo, ato le të mbesin ashtu, dëshmi të një kohe të pakohë, të një barbarie që nuk mbahej mend në historinë e njerëzimit, - ua kishte kthyer Genti preras, muratorëve që ndërtonin kullën…Kështu, duke e shkatërruar e mohuar të kaluarën, do të mbetemi pa histori...Ore, me çka do të dëshmojmë për zezonën që përjetuam gjatë luftës së fundit, po nuk ruajtëm ndonjë shenjë të atij shfrenimi shtazarak serb!?- Besoj se mesazhi nuk pranon komet, por vëmendje, kujdes dhe më shumë dashuri e krenari.
Besoj se nuk jam i vetmi që po e them, se libri është shkruar në gjuhën letrare shqipe dhe krehur me krehër të imët nga dialektizmat dhe fjalët e “jashtme”. Mbase këtu është vendi të kujtoj dy fjalë që thashë në një konferencë shkencore në Istog, disa kohë më parë: “Shkrimtari apo krijuesi, mesazhin nuk ia përcjell mëhallës, fshatit, apo krahinës, por gjithë kombit”.
Dhe, Bedriu i drejtohet shqiptarisht gjithë kombit. “Degdisja”, ka qenë, është dhe po mbetet plagë që dhemb edhe pa e prekur.  Është e hidhur, por a do ketë burrë shteti që ta ndalojë…!?
Një pyetje që mbetet pa përgjigje.
Faleminderit dhe mirënjohje Bedri Tahiri, miku ynë shkrimtar e historian, për këtë libër, ku në “Degdisje”, shpaloset jeta dhe historia e Ilirëve, Dardanëve dhe Shqiptarëve në rrjedhën e kohës.
 
Durrës. Vjeshta e dytë, 2023.