Në peisazhin onirik dhe surreal “Për ty, amerikë” të poetes Emi Krosi

Nga Angela Kosta
6. Në vargjet e strofës së gjashtë, "Kam humburnë kopshtet e Babiblonit", (ashtu sikurse në strofat e tjera), Emi Krosi ndërthur elemente mitologjike, historike dhe bashkëkohore, për të analizuar dhe nxjerrë në pah tema të atilla, të cilat lexuesi i vetëpërjeton përmes udhëtimit emocional të saj, duke nisur nga kopshtet e Babilonit, pastaj duke kaluar nëpër epope dhe epoka deri në kohën tonë, në rrugët e sotshme, të pafundme të Nju Jorkut.
Uni lirik i autores që humbet në kopshtet e Babiblonit, na lidh me një të kaluar mitike, një bukuri shumë e rrallë, por fatkeqësisht e hirnosur (si cigaret që autorja shpesh nuk i ndan nga vetja). Ngjitja në shkallët Hyjnore dhe takimi me kolosët gjigantë të paqes mbi shkëmbinjtë e Mount Rushmore, është përpjekja e autores për të harmonizuar të kaluarën me të tashmen, duke shpresuar të realizojë atë që do të ishte ideale dhe reale për një botë dhe epokë më të mirë, më të gëzueshme dhe gjallëruese.
Në pjesën e dytë të strofës, Krosi vazhdon të përqendrohet në një realitet mëshirues dhe të dhimbshëm, me metafora që dëshmojnë mizoritë e botës moderne dhe humbjen e pafajësisë: "kur vajzat përdhunohen /kur vriten fëmijët /kur rrënohen kombet".
Por megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj murgëtire dhe errësire, Krosi nxjerr në dritë atë çka dëshiron përbrenda vetvetes, duke shpresuar në shpëtimin e një universi sadopak më të ndërlikuar.
“Një vajzë… një vajzë shqiptare”, (vetë Krosi).
Vargjet e autores, (siç e theksova më sipër), shpesh arrijnë në një transhendencë të vështirë, por me sintaksën e saj të përsosur, jo vetëm që lehtëson një leximin të rrjedhshëm, por e nxit lexuesin ta çojë deri në fund këtë poemë të mrekullueshme e tërheqëse.
7. Përmes një rrëfimi disi gurgullues por mjaft të kuptueshëm, në strofën e shtatë, Krosi na shoqëron dhe na zhvendos në qytetin dimëror të Manhatanit, duke e përzier jetën e përditshme me vizione onirike dhe ngjarje ekzistuese, reale.
Figura e gruas bjonde që ushqen qenushin e saj “lëkurëpurpurt”, i transmeton lexuesit jo vetëm lidhjen njerëzore me kafshët, por edhe dashurinë dhe detyrën që na takon secilit prej nesh për t’u kujdesur për ta.
Duke vëzhguar vrullin e qytetit teksa ajo vetë pêrtyp një çamçakëz, protagonistja Krosi qëndron e vetëdijshme dhe e vendosur në kontrast me turmën, duke sugjeruar kështu distancimin dhe introspeksionin e çdo individi që ndikon negativisht në ekzistencën tonë ose në mënyrën tonë të jetuarit.
“Vranga bore si vezë pulash shqerake, dhe “dhe duart i ngroh me frymë,” nënvizojnë nostalgjinë për klimën mesdhetare të vendlindjes së autores. Kontrasti midis të ftohtit amerikan dhe ngrohtësisë së vendit ku poetja ka lindur, thekson ndjenjën e të qenit e huaj në atë vend të panjohur, i cili gjithësesi për të ndoshta ishte i njohur më parë. (Siç e dimë, Amerika është shtet i njohur nga të gjithë - virtualisht).
Përmendja e “autostradës së Amerikës” i Allen Ginsberg, edhe në këtë strofë, sjell referencën e Beat Generation, udhëtimin e tyre të brendshëm dhe kërkimin e theksuar të vitalitetit në një botë të trazuar e fatkeqe.
Takimi me vagabondin që pëshpërit “love, love America…” paraqet një notë trishtimi - ngazëllimi, por edhe dëshirën e madhe për të jetuar me dinjitet në atë tokë, ku ai besonte se ishte e bollshme, e pasur dhe jo kaq e rrënuar.
8. Në strofën e tetë, Krosi paraqitet tek lexuesit me një rrëfim të përcaktuar dhe intensiv, të pasur me referenca kulturore dhe politike, të cilat pasqyrojnë përvojën e emigrantit të hutuar, i përhumbur (si shumë të tjerë kohët e fundit), midis ëndrrës amerikane dhe realitetit të një identiteti pa identitet.
Krosi vazhdon të zhbirojë në Nju Jorkun e zhurmshëm, duke kaluar përmes lagjeve të njohura si Midtown, Bronx, Queens, Brooklyn dhe Manhattan, duke krijuar një labirint ku ndjehet aq shumë e vogël, saqë e krahason veten me “një kokërr orizi”, e padukshme në një makineri shoqërore-kulturore gjigante.
Gjuha poetike e Krosit është e prerë, ironike, herë-herë surreale "nuk kam kohë të mbledh lulëkuqe,
nëpër semaforët syenjtur".
Me aftësi poetja shndërron objekte, subjekte apo elemente të përditshme në metafora të pêrzgjedhura dhe përshtatshme.
Kjo vihet re nga citimet e “The Times”, Spielbergut, OKB-së, Shtëpisë së Bardhë, Trumpit, Bushit, Clintonit, të cilët i vendos në portret për lexuesit si simbole të pushtetit, ndikimit mediatik dhe politikës globale, që, jo pak herë ajo i ndesh, i përplas apo vetëpërballet me realitetin e emigrantit, memorialin shqiptar dhe luftërat e brendshme të komunitetit në diasporë.
Vargu në të cilin Krosi flet për “spiunët e Enverit” (diktatorit komunist të Shqipërisë) tregon se traumat historike mbeten prezente në të tashmen, dhe absurditeti i reflektimit ndaj tyre, ndodh edhe mijëra kilometra larg.
Mbyllja e strofës "a do ta takoj sot Trumpin,
Bushin, apo dhe Clinton?", fsheh pafuqishmërinë dhe kritikën e saj, duke treguar sa larg janë figurat e mëdha politike nga të vërtetat e përditshme dhe përvuajtjet individuale apo të komuniteteve në veçanti.
9. Në strofën e nëntë, edhe vetë lexuesi humbet në ndjenjën e humbjes që përjeton poetesha shqiptare Krosi në metropolin e madh amerikan. Me penën e saj, poetesha shpreh vështirësinë për t’u përshtatur me një kulturë tjetër, duke nxjerrë në pah barrierat gjuhësore dhe kulturore që e ndajnë nga shoqëria që e rrethon.
Strofa vazhdon të jetë e gjitha e mbushur me rebelim kundër pritjeve të tejzgjatura për ndryshime sociale dhe kulturore, të cilat aktualisht janë të imponuara nga ata/o që vendosin padrejtësisht ligjet.
Sërish e vetëdijshme, Krosi refuzon të përshtatet me stereotipet gjinore dhe ato kulturore, duke afirmuar me forcë të plotë dhe krenari identitetin e saj shqiptar dhe mesdhetar.
Skena në McDonald's e tregon qartë këtë, dhe ky, bëhet një element thelbësor i domosdoshëm i lobalizimit dhe homogjenizimit kulturor.
Në rrugët e ftohta dhe borën që bie, Krosi shfaq vetminë dhe izolimin total nga të huajt në atë vend të huaj.
“Akulli” dhe “vrangat e borës”, përfaqësojnë ngurtësinë dhe ngrirjen emocionale, duke treguar vështirësinë për të gjetur pakëz ngrohtësi, afrimitet, një lidhje miqësie me dikë që i përshtatet mendimeve të saj, në atë ambient të akullt dhe të largët ndaj për këtë arsye ajo i thotë kamarierit meksikan: "jam shqiptare dhe mesdhetare".
10. Udhëtimi i Krosit me lexuesin, vizioni i saj i gjerë gjatë natës, (asgjë nuk i shpëton syrit të saj të vëmendshëm që mbërthen çdo gjë që mund ta ndihmojë të përfundojë këtë tablo me alegori dhe metafora), vazhdon në tren, një udhëtim dhe kalim i rëndësishëm midis gjendjes shpirtërore dhe skutave të shpirtit.
Vargjet e para në fillim të strofës, krijojnë një atmosferë të dendur dhe klaustrofobike: “ku palca e ajrit është mykur”, “antenat e insekteve flenë”.
Me këto, poetesha shqiptare na çon në një dimension tjetër midis kaosit të përditshëm, (kaos i mbetur pezull midis realitetit dhe imagjinatës), ku errësira totale bëhet strehë por në të njëjtën kohë edhe fundosje e pashmangshme.
Duke i dhënë ngjyra rrëfimit - përshkrimit pamor, Krosi vendos në tablo edhe lumin Hudson si dhe satelitët, duke treguar kështu kontrastin mes natyrës, teknologjisë dhe vetmisë totale.
“Ku asgjëja bëhet frymë, dhe “fëshfëritja e hekurudhave të ndryshkura” jo vetëm shtojnë ndjenjën e përhumbjes, por edhe atë të heshtjes së mundimshme.
Pjesa e dytë e strofës, bëhet akoma më intime. Krosi kalon nga frika në lamtumira e përjetshme, nga përqafimet në rrokaqiejt. “Amebat e pluhurta” janë metafora të jetës së shuar (gati pa qeliza) dhe pa identitet. Përsëritja e fjalës “gri” forcon idenë për qytetin e New Yorkut, që megjithëse gjigant, shteron, thith pamëshirshëm gjithësesi ngjyrat gjallëruese së shpirtit.
Vargu i fundit: “Lamtumirë, ose Good Bye!” tregon finalizimin përfundimtar të Krosit: lamtumira e saj është personale por edhe universale. "God Bye", është një ndarje e konfirmuar, përfundimtare ose ndoshta një hezitim për t’u ribashkuar midis dy botëve - shteteve të huaj, dy tokave, gjuhës amtare dhe gjuhës së panjohur, ndaj ajo preferon të jetojë në tokën e vogël të saj, që i mbush ditët, jetën, por mbi të gjitha shpirtin.
Duke përfunduar analizën e kësaj poeme, veçanërisht unike në peizazhin letrar shqiptar, dua të ritheksoj se Krosi na zhvendos në traditën e Beat Generation, (lëvizje rinore që pati shprehi edhe në fushën artistike, poetike dhe letrare, e zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kryesisht në vitet ’50 në SHBA), duke përmendur autorë si Allen Ginsberg (1926 - 1997) dhe Jack Kerouac (1922 - 1969), si dhe në poezinë bashkëkohore italiane, me referenca si poeti, shkrimtari, piktori dhe dramaturgu, Antonio Veneziani, lindur në vitin 1949 në Itali.