TROKAS
Zemër që rreh këmbanë moti
Shpirt i djegur nga pika loti
Sy që vështrimi të iku larg
Fill malli që qëndis këtë varg
Puthje që e prish magjinë
Zanë që vodhe dashurinë
Shkrumb që thave buzën time
Afsh i pashuar në ëndërrime
Syth trëndafili që sjell pranverën
Trokas në zemrën tënde
Të lutem hapma derën.
AJO
Ajo ish ylli i parë në mëngjes
që agun e puthte me dritë.
Ajo i zgjon engjëjt
kur ëmbël buzëqesh
ushqen dashuritë.
Ajo sado rritet
në shpirt ish fëmijë
I çiltër e plot jetë.
Ajo loz me yjet
në natën e qetë
për shtrat i ka retë.
Ajo ish e turpshme
si molla të kuqtë e faqes.
Ajo ish e vogël e plot nur
si lule manushaqes.
Ajo shtojzovalle
vallëzonte me erën.
Ajo ish hareja
që sillte pranverën
Ajo…
TI NUK E DI
Ti nuk e di
Si asht ajo ndjesi…
Kur lisi shpresës
t’kallet shkrumb e hi
e po nat’ hi,
me i çel prap filizat e ri…
Ti nuk e di!
Çka asht’
andrrat me t’i thy si shkarpa,
e po me ato shkarpa
me ndez zjarr’n e dashnis,
përsëri…
Ti nuk e di!
Çka asht kujën
n’kang me kthy…
E me lot’t e saj me ba i’det
Dashnis prap me i dhan e jetë…
Ti nuk e di!
Çka asht durimi i krypës n’sy
e mos me piskat
se ky ishte i yti fat
Ti nuk e di!
Jo nuk e di çka asht,
kur zemrën copa copa
me e kthy në gur…
E prap prej gurit në të gjall me e kthy.
Veç për dashni…
Janar 2024
DTËLINDJES
I poqa mendimet
në furra çeliku
Arsyen e bëra varkë
idetë vela të bardha
Detit të jetës i dal tej përtej
nga lindja në perëndim
Vrapova rrugëve të natës
Ndoqa frikën deri në vdekje
Hënën e bëra stafetë
I ndeza yjet si qirinj
Ditëlindjes time të pesëdhjetë.
THUAJ SE ATDHEUN E DESHTA
Merre veten në përqafim
E shueja ejtjen e shkrumuar
Askush nuk e di shkretëtirën pa fund
Sa unë që përmbyta në lumin askund
Merre veten në prehër
E knoja ninullat e Gjergjit
Krehja mendimet me krëhërin e kohës
Tregoja përrallat e shekullit
Merre veten e shkunde për fyti
Zgjoje nga gjumi i molisur
Syve shkruar liri me gjak
Gjokset e plagosur u arratisen
Merre veten dhe jepi pak frymë
Pak frymë malesh me kreshta
Shkunde lisin me degë e rrënjë
Jeho dhe thuaj se atdheun e deshta.
EJA
Muzgut sonte t`i them eja
Në gotë vere flen hareja
Tunde moj të vraftë reja
Fustan bukura nga Peja.
Eja moj ma shëro zemrën
E më ndiz shkëndijë rinie
Eja mos e le për nesër
Ti furtunë dashurie.
Eja moj përreth lumbardhit
Sjellma freskun e kalasë
Moj e bukura e Prizrenit
Se pa ty zemra më plasë.
Eja moj si zanë mali
Zbrit prej Sharri e prej Rugove
Ma kënaq syrin edhe shpirtin
Si bardhësia e kësaj bore.
Eja moj me sytë e diellit
Ma shkrij akullin e kahmotshëm
Në sytë e mi mbille gëzimin
Universit të përbotshëm.
Më gdhendi jeta në forma e mënyra
E unë e gdhenda dhimbjen me shpatë durimi në forma e mënyra ku jeta shihte shëmbëllimin e mijëra grave në mua….
Zgjidh cilës do ti thuash…
..Të dua…