Rifat Ismaili - Recension

Rifat Ismaili - Recension
RAJMONDA MARA: " JAM JETË, JO HIJE"
 
Rajmonda Mara  vjen për lexuesin shqiptar me librin e saj të parë me titull " Jam jetë, jo hije". Mjafton vetëm titulli për të pasur në mendje edhe çfarë autorja dëshiron t'ju ofrojë miqve të librit. Poezia e saj është e mbushur plot përjetime dhe ndjesi intime, nganjëherë gati mistike, duke reflektuar vazhdimisht mbi botën që e rrethon, duke vënë ne plan të parë vetveten dhe ëndrrat e saj, gjithçka deshi dhe kërkoi, madje dhe ato që nuk mundi ti realizonte.
Për Rajmondën femër dhe grua jeta nuk ka qenë e lehtë, por e mbushur plot me vështirësi dhe sfida që ka ditur ti përballojë me dinjitet dhe vetmohim. Ka lindur në Tiranë dhe banon ende në Tiranë, me nje shkëputje të vogël në Gjermani, për pak kohë, por e detyruar të kthehej përsëri se nëna iu sëmur e duhej ti gjendej pranë. Ndërkohë ndërtoi familjen e saj dhe ka një vajzë. Punon me të shoqin në biznesin e vogël të familjes. Kujdeset për gjithçka, por nuk harron të kujdeset edhe për poezinë, që siç thotë dhe ajo vetë, e ndjen brenda vetes si frymë...
Kujton me nostalgji se që kur ishte në klasën e tetë, merrte libra në bibliotekë dhe i përpinte me sy, nuk ndahej prej tyre gjersa tu nxirrte fundin.  I pëlqenin dhe romanet shqiptare  , dhe romanet e autorëve të huaj. 
Ndër ata  që i kanë pëlqyer më shumë janë Hasta la vista, Tri ngjyra të kohës, e shumë të tjerë. Edhe romani Pse i ka pëlqyer shumë, si edhe shumë të tjerë nga letërsia e huaj; ka lexuar Tolstoin, Ana Karenina, Stendalin E kuqja dhe e zeza ,kujton ende sot  mbresat e atij leximi , sepse ajo nuk vrau veten, por vdiq nga dashuria, duke përqafuar fëmijët e saj. I kanë pëlqyer edhe Zonja me Kamelje, Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizanëve i Hygoit...etj.
Në gjimnaz përveç thurjes së poezive i pëlqente edhe të këndonte, 
por kur shkoi në Universitet u detyrua ta nderpriste edhe për motive shëndetësore.
Duke lexuar poezitë e Rajmondës të duket sikur përfshihesh në një udhëtim, ky nuk është një udhëtim dosido, por i mbushur me dashuri për jetën, natyrën , ku deti, hëna, qielli, vjeshta, kalojnë si sekuenca filmike që mbesin në kujtesë si në një film të përjetshëm. Ajo është gjithnjë në kërkim të njohjes së vetvetes dhe identitetit dhe ky kërkim është i qetë dhe meditativ duke iu referuar vetëdijes dhe ndërgjegjes, sikur të jetë e shtyrë edhe nga mësimet dhe urtësia e dijetarëve orientalë, Rumit apo Budës. Çdo fjalë e saj rend të gjejë strehë tek qetësia dhe mirësia, dhe çdo poezi êshtë si një dritare me kanata të hapura për tu lëshuar drejt gjithësisë.
Poezia e Rajmondês êshtë si një ftesë
për të depërtuar  në një botë ku natyra dhe shpirtërorja ndërthuren: deti bëhet pasqyrë e emocioneve, hëna pëshpërit, dielli përkëdhel dhe perëndimi ndan udhët.
Ja si shkruan ajo në poezinë “Imazh nëpër det”:
 
“Brenda detit jam 
vallë, a nuk më sheh?
Frikën mos ma ki,
se deti më njeh...”

 
Kemi të bëjmë me një dialogim të brendshēm, ku deti bëhet dëshmitari pa  zë i gëzimeve e dhimbjeve të autores. Por mbi gjithçka ai bëhet sinonim i lirisë së shpirtit. Ai nuk di të gjykojë siç bëjnë rëndom njerêzit, por na përgatit të pranojmë dhe kuptojmē se çdo ndjenjë e vërtetë ka vendin e vet, dhe kur fshihet mes shkumes së bardhe dhe dallgëve.
 
Në poezinë “Duamë”, autorja përqendrohet  tek marrëdhënia njerëzore dhe dëshira e sinqertë për dashuri:
 
“Askush nuk është i përsosur
në këtë botë...
Ndaj më duaj 
duamë kështu si jam:
jo e përsosur,
por e vërtetë ama.”
 
Sa bukur e thotë, dhe sa e thjeshtë njëkohësisht. Dashuria nuk ka nevojë  për të qenë e përkryer; ajo kërkon pak,  të ketë ngrohtësi dhe vërtetësi, çdo ndjenjë ta shtyjë pasioni dhe mirësia, dhe pikërisht tek e gjithë kjo qëndron edhe forca sublime e dashurisë. 
Tek një tjetër poezi, pikërisht në atë me titull  “Sfidë me shpirtin”, autorja na tregon se brenda nesh ekziston një luftë e vazhdueshme me vetveten, ku shpesh ndjenja e hutimit, frika dhe pasiguria bashkohen me forcën e reflektimit dhe vetë-shërimit, dhe kjo forcë na shpëton nga shfytyrimi dhe gjithçka tjetër:
 
“Herë dua ta largoj shpirtin tim,
ta nxjerr jashtë,
si fjalë që kurrë s’u thanë.
Por ai, në zemër, më shtrëngon 
herë si një valë gëzimi,
e herë si zemërimi,
ku pezull më mban
mes ikjes dhe kthimit.”
 
Si mos ta përjetosh edhe ti si lexues këtë oqean ndjenjash, këtë lojë të brendshme shqisash ku forca dhe dobësia maten dhe luftojnë me njëra tjetrën, dhe ndjen se shpesh të sfidosh vetveten është sfida më e vështirë, por edhe ajo që të jep më shumë lumturi.
Një tjetër poezi që përfshin në mënyrë të paevitueshme paradokset e jetës dhe dhimbjes është “Gota e Jetës”, ku gota metaforike bart hipokrizinë, zhgënjimin dhe mosmirënjohjen.Por edhe ndjesitë e sinqerta janë atje brenda saj.
 
“Gjithçka piva
në gotën mbushur me hipokrizi, zhgënjim
e mosmirënjohje.
Por ajo... ajo çka nuk piva kurrë,
ishte rrëkeja e ngrohtë
që zbret nga një shpirt i pastër,
ishte ajo ndjesi që djeg
pa pasur emër.”
 
Është i pasur në ndjesi të bukura leximi i këtij libri, një ftesë për lexuesit e apasionuar, ku në çdo varg do shohin pulsimet e jetës, zemrën e sinqertë të një nëne dhe gruaje, sakrificat në emër të dinjitetit dhe njerëzores, por edhe per ruajtjen e integritetit. Gjithkush do të ndjejë se êshtë edhe vetë diku brenda atyre vargjeve, ku jeta fle, ku shqisat dhe ndjesitë zgjohen për të na rrëfyer përmes gëzimit dhe dhimbjes emocionet e të jetuarit. Çdo varg dhe poezi e Rajmondës është si një pasqyrë shpirti, ndërsa fjalët e saj varka të vogla që udhëtojnë mes detit, hënës, perëndimeve dhe stinëve, duke ndjerë misterin që na rrethon, dhimbjen që na bëjnë të vlerësojmë dhe rivlerësojmë çdo gjë, dashurinë dhe shërimin e shpirtit si akt i shenjtë. Fjalēt e shkruara janë më shumë se fjalë — ato janë si dridhje telash të një kitareje, janë  heshtje dhe përjetime që shprehin atë që në të shumtën e rasteve është e pamundur të shprehen. Ajo me shume finesë e maturi e fton lexuesin sqimatar  të hyjë pa ndrojë në këtë botë, të ndjejë dhe të përjetojë atë çka përjetuar ajo, dhe të kuptojë  se  ajo që  thuhet me fjalën dhe poezinë , mund të ndjehet më thellë brenda shpirtit kur je i hapur drejt botës që të rrethon.
Kjo përmbledhje poetike është një thirrje për ata që kanë guximin të ndjejnë, që nuk i tremb vetmia dhe meditimi, dhe që e kuptojnë se çdo perëndim i ndriçuar , çdo dallgë deti dhe shpirti, dhe çdo frymë e jetës bart mundësinë për të rifilluar, për të ekzistuar dhe për të dashuruar. 
Një libër ku autorja me të drejtë e quan poezinë e saj, frymë që i del prej mushkërive dhe e mbush me jetë.
 
Rifat ISMAILI
Savona 20- 10- 2025