VËSHTRIM NGA ANGELA KOSTA - TI MUNDESH I AUTORIT LUAN RAMA
Që në kontaktin e parë, në vetë titullin: "TI MUNDESH" autori Luan Rama "shpërthen" zërin e mençurisë dhe guximit të të atit të sopranos Ermonela Jaho, duke inkurajuar protagonisten të kapërcejë çdo pengesë përballë vështirësive që përfaqëson bota e vështirë e artit, sidomos jashtë atdheut, larg familjes, tokës mëmë, ëndrrave, kujtimeve.
Vargjet "Ti ecje në rrugë mërgimi
mes sfidash dhe zhgënjimesh”, paraqesin përpjekjen e madhe të sopranos, rrugëtimin e saj të vështirë për t’u bërë artiste e suksesshme në një vend të huaj, po aq të afërt sa edhe të largët, siç është ajo e operas, për t'u ngjitur më në fund, pas shumë sakrificash, në skenat prestigjoze. Asgjë nuk ia ndalon dëshirën për të prekur majat e suksesit, çka bën të lumtur nënën e saj, edhe pse nuk është më në këtë jetë.
Vetëm një natë pas vdekjes së saj, shpirti i sopranos Ermonela dridhet; ajo këlthet përmes atyre arieve, lëshon britmën e gjithçkaje do të kishte dashur t’i thoshte. Në “Traviata”, ajo hap krahët sepse e di, e ndjen thellë në shpirt se ekziston, (pavarësisht e padukshme) ajo lidhje që nuk ndërpritet, nuk shkëputet kurrë; është e vetëdijshme se ekziston dëshira e shpresës: nëna arrin ta shohë edhe në botën e përtejme. Ermonela e di mjaft mirë që edhe krahët e nënës, e mbështjellin me gjithë ngrohtësinë dhe dashurinë e universit, si një engjëll që gjithmonë do ta mbrojë.
Vargjet e autorit Rama, paraqesin gjithashtu lidhjen e thellë që soprano ka me atdheun, të përfaqësuar me fjalët: “tokë dhe gjak”, elemente të pandara dhe të rëndësishme këto, që na çojnë dhe na fusin në ato rrënjë të thella që nuk mund të shkëputen, nuk mund të copëtohen apo nuk mund të zhduken kurrë, pavarësisht distancës, kohës, viteve dhe emigrimit.
Ja, përse, edhe pse e zhytur në dhimbjen e saj, Soprano gjen forcën për të kënduar, sepse e di se ajo forcë është pikërisht aty, në vetë zërin e saj, brenda shpirtit të saj; forca që e shtyn të shkojë përpara, ajo çka kthehet në një energji të tillë që e çliron nga frika, nga pasiguria, për të pranuar në fund se, pavarësisht gjithçkaje, ajo mundet, sepse kënga është boshti, qendra, palca e ekzistencës së saj.
Pikërisht, për këtë, autori vë në qendër muzikën, si metaforë të jetës dhe artit, jo vetëm sepse është profesioni i Sopranos, por gjithashtu sepse çdo notë, qoftë edhe e vetme, sjell gëzim dhe qetësi, i jep flatra asaj çka burgos shpirtin dhe qenien. Rama përdor një gjuhë lirike, emocionale por njëkohësisht vizuale. Shkrimi i tij është gjithashtu i mbushur me një atmosferë solemniteti i cili rezonon fuqishëm, i menjëhershëm, dhe mjaft i vendosur, ndërkohë që, edhe pse "humnerat" ngatërrohen me njëra - tjetrën, arrijnë të përfundojnë, të humbasin në vetë ato, sepse sopranoja - martire me vullnetin e saj, arrin të "mposht", të përballoj gjithçka në këtë botë të vështirë, duke u bërë kështu, një embrion koncepti i madh e unik i dashurisë.
TI MUNDESH …
Sopranos Ermonela Jaho
Ti mundesh,
kështu të thoshte ati yt
dhe ti shkoje në shtegtimin e dhimbshëm
duke lënë pas udhët e trishta të Shqipërisë,
ti mundesh, dëgjoje përsëri zërin e atit
në netët e vetmisë
dhe ecje në rrugë mërgimi
mes sfidash dhe zhgënjimesh
e megjithatë, shkallë më shkallë
ti ngjiteshe në skenat e Italisë,
në botën që pulsonte Verdi, Puçini, Donizetti, Bellini
dhe zemra jote hapej që zëri të shpërthente
në vibrato dhe njëmijë ngjyra
në kujtesën tënde të tokës dhe gjakut
në udhët e botës.
Të pashë në “Batterfly” tek drithëroje në skenën e fundit
oh “ç’vdekje” e bukur në atë “apné” të gjatë
si peshkatarët e perlave
zhytur në ujrat e kaltra të Oqeanisë,
oh ç’vdekje” e magjithshme para fëmijës...
Ti mundesh kudo bija ime,
në Metropolitan, në Covent Garden, Orange e La Scala
plot hire në Teatro Real,
ti këndoje “Traviata”-n me duart e hapura nga dhimbja e madhe
kur nëna të kish vdekur një natë më parë,
këndoje dhe bije në honet e zisë
për ta mbajtur gjallë mbi kordat e tua
ku ngjizej dhimbja dhe dashuria.
Dhe shpirti yt thoshte:
“E shikon nënë, unë po këndoj për ty”
dhe kërkoje të shihje sytë e saj në mjegullën e pafund
e dije që ajo lumturohej me ty
edhe pse e vdekur
përrallë e moçme e qumështit dhe mëkimit
përrallë e rizgjimit.
Në Londrën e hirtë,
atë janar të ftohtë në “Covent Garden”
shpirti yt klithte arjet më të bukura të botës
dhe publiku shihte fytyrën e sublimes
dhe trupin tënd që hepohej
gati të binte në humbëtirë,
ç’spektakël i dhimbshëm e magjik
të shihje trupin e përhumbur
dhe dorën që mbahej pas siparit,
dorën që rrahu skenën si të prekte një talisman të shenjtë,
Po, ti munde gjithçka në këtë botë këngësh e magjish,
ti martire, ngjizmë e madhe e dashurisë...
Nga: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistave fizike: MIRIADE, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese