NDRIÇIM PËR TË GJITHË KOMBIN SHQIPTAR, DRITË PËR ATDHE, DRITË PËR SHQIPËRI, BACA ADEM DEMAÇI
Rruga e këtij burri të madh, rruga e këtij kolosi shqiptar, ishte shumë e rëndë dhe me gjemba. Ky atdhetar, ky vigan, tanimë heroi i kombit, bëri shumë flijim të trupit dhe rëndim të shpirtit vetëm e vetëm që atdheu jonë ta shohë dritën. Dhunuesit serbosllavë, të cilët u munduan ta mposhtin idealin e këtij burri të fuqishëm, si në fjalët ashtu edhe në veprat e tij, ishin të kotë. Ky trim, që po e ndiqte pas një makineri vrastare, kishte lindur në Prishtinë, por familja e tij kishte prejardhje nga një fshat i Komunës së Podujevës, Lupç i Poshtëm. Si i vogël dallohej për inteligjencën e tij, ashtu edhe për pyetjet marramendëse që po i bënte mësueses serbe të asaj kohe. “Pse ne shqiptarët nuk mësojmë shqip?”. Ky vigan ishte pagëzuar me emrin Adem, e mbante emrin siç ishte pagëzuar njeriu i parë i njerëzimit. Adem Demaçin e kishte lindur nëna Nazife, në një familje të një cepi të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, ku kjo lagje do të mbetet në historinë shqiptare. Adem Demaçi erdhi në dritën e tokës ilire, ku ishte errësuar nga armiqtë e të gjitha kohërave dhe ku nga vetë Zoti kishte ardhur me një bagazh të lartë të ndjenjave atdhetare e kombëtare. Shumë shpejt rrugët e këtij kolosi filluan të ndriçoheshin me dijen, me kulturën, si dhe me shkrimet e tij, që po fillonin të pushtonin ndjenjat e lexuesve. Makineria vrastare çetnike, bashkë me duartë e disa shqipfolësve të ndyrë dhe të UDB-ës serbe po e ndiqnin çdo hap të këtij idealisti shqiptar. Vrulli i tij rinor, që po shpërthente në ndjenjat humane dhe kombëtare, ishte më i madh se vetë shpirti i tij, nëna dhe familja. Nuk ka shpirt të lirë pa liri, nuk ka nënë me dashuri pa tokë të lirë, nuk ka familje të shëndoshë pa tokë të çliruar dhe të ngritur në shtet të fuqishëm. Kjo e shtyri Bacën Adem Demaçi të sakrifikonte vetveten për një qëllim, për atdhe të lirë, për flamurin kuq e zi, për një Shqipëri. Një gjë është shumë e çuditshme dhe interesante: nga mesi i asaj kohe ishin disa shkrimtarë që dëshmuan në gjyq për ta dënuar Bacën Adem Demaçi dhe grupin e tij revolucionar. Sot ende shumë nga qytetarët nuk e dinë se kush ishin këta UDB-asht që i ndihmuan dorës vrastare komuniste që të dënonin djemtë që kishin marrë guximin t'i dilnin në ballë një makinerie çetnike-sllave dhe t'i thoshin ndal asaj dhune të asaj kohe që po vriste dhe po dhunonte pas shpine popullin shqiptarë. Disa nga shkrimtarët menduan që kurrë këtë Kosovë nuk do ta ndriçojë drita e lirisë dhe për atë iu bashkuan Serbisë. Por kështu nuk mendoi kurrë Baca Adem Demaçi me shokët dhe atdhetarët e atdheut. Këta kishin një ideologji bindëse dhe të fuqishme se liria do të vijë. Në një gjyq Baca Adem Demaçi prokurorit i tha: “Unë farën po e qes dhe le të vinë të tjerët pas meje e ta korrin”. Prokurori nga nervozizmi i kësaj fjalie të mençur që po dëgjonte nga një atdhetar shqiptar shumë i ri në moshë, shumë i guximshëm për kohën, dha urdhër që salla të zbrazej nga të gjithë që ishin të pranishëm në seancë. Ishte dimër, muaji janar, dhe toka shqiptare kishte filluar hapat e korrjes së lirisë. Është shumë e çuditshme dhe e dhimbshme që sot disa individë organizojnë manifestime me emrin e atyre shkrimtarëve që ishin dëshmitar që burgosën Bacën Adem Demaçi, që mbajti mbi 28 vjet burg të rëndë, ku shumë nga këto vite i kaloi në qeli famëkëqija. Po ashtu edhe shumë të tjerë, shokë dhe atdhetar të kombit shqiptar, për shkak të këtyre shkrimtarëve, që ishin dorë e zgjatur e UDB-ës serbe, organizohen manifestime me emrin e tyre dhe kinse nderojnë personalitete të çështjes kombëtare me dekorata, mirënjohje etj-etj. Sot jetojmë shumë vjet pas këtyre ngjarjeve historike. Sot kanë të drejtë të gjithë të japin mendimin e tyre, por faktet janë ato të cilat edhe pas gjithë jetës do të jenë të pavdekshme, janë argumente të vërteta dhe e vërteta kurrë nuk vdes. Është koha që të dihet kush janë çlirimtarët dhe kush janë tradhtarët. Sot është më shumë se kurrë koha që të zbardhet e vërteta jonë kombëtare. Shumë u dergjën burgjeve, shumë vdiqën në to dhe në shtëpi u kthyen të vdekur dhe shumë të tjerë vuajtën në qelitë e burgjeve për një atdhe, për një flamur, për një Shqipëri, për të gjitha tokat shqiptare që të jenë të bashkuara me Shqipërinë. Baca Adem Demaçi, në ty morëm forcën e shpirtit që të luftojmë të keqen që e kishte kapluar tokën tonë. Ju ishit inspirimi për ne çlirimtarët e atdheut. Nga ti morëm shumë dije. Ishe mësues, kombëtar, flijues, dijetar, për ne, pasardhësit tuaj. Me nder dhe epitet shkruaj pak fjalë për ty, Baca Adem Demaçi. Kurrë nuk do të kem mundësi të shkruaj aq sa ti meriton, sepse për mua je një Hero shumë i madh. Dhe nuk ka poet, as romancier a publicist që mund të shkruajë atë të cilën meritojnë dëshmorët, heronjtë. Por, ma bëj hallall! Jam munduar, e ndjeva obligim moral, të shkruaj ca rreshta për ty. Ju meritoni shumë më shumë. Unë po e përfundoj këtë shkrim me fjalët e fillimit se ju jeni: ‘’Ndriçim për të gjithë kombin shqiptar, dritë për atdhe, për Shqipëri, Baca Adem Demaçi’’