Rifat Ismaili - Recension

Rifat Ismaili - Recension
NGA "KAMERA E DIELLIT" E ELMAZ QERRETIT TEK FOKUSI I LEXUESIT
 
Nga Rifat Ismaili
 
Nganjëherë varet si lexon. Se edhe leximi është si çdo punë që bëjmë, ka punë që i bëjmë me pasion, ka punë që i bëjmë me përtim. Ose ka libra që i lexojmë, por me gjendjen shpirtërore të papërshtatshme, ku edhe vetë e ndjen se të mungon përqëndrimi i nevojshem për ta thithur, për të reflektuar dhe hedhur dritë mbi  veprën. Dhe ajo vepër shkon dëm. Ose të shkon dëm koha jote duke u marrë me atë vepër.
Por librin me poezi të titulluar “ Kamera e diellit” të Elmas Qerretit e lexova me një frymë, dhe ndryshe nga libra të tjerë , në vend të lodhjes apo mpirjes, mu duk sikur më freskoi, si një pije e freskët në zhegun përvëlues të verës. 
Duke lexuar njëra pas tjetrës poezitë e përfshira në libër, u ndriçova papritur brenda qenies. Dhe thashë me vete, “Uauuu, Elmazi nuk është i shkëlqyer vetëm për poezitë për fëmijë, por edhe në poezinë për të rritur nuk zhgënjen, si kuzhinier i mirë i fjalës, ai ta mbush garuzhden plot me ate gjellë të shijshme dhe speciale që ka gatuar, një përzierje çudibërëse që vjen nga frymëzimi , aftësia mjeshtërore dhe talenti."
 Dhe bindesh akoma më shumë me fjalët e mira që shkruan në parathënien e librit edhe poeti  i njohur Faslli Haliti mbi poetin fisnik Elmaz Qerreti.
Kam lexuar letërsinë për fëmijë të Elmazit, dhe kam mbetur i mrekulluar për finesën, ngrohtësinë e humorin e lehtë me të cilën e bën ai poezinë.
Por nuk mbetet prapa as në poezinë për të rritur, ku mbisundon fjala e kursyer, gjetja artistike dhe fabula, mesazhi njerëzor.
Dhe ja sa bukur shprehet ai diku mes librit për një grua që ka hyrë në jetën dhe mendimet e tij.
“Në retinën e syrit tim,
Si buzë një burimi
Buzë përpëlitjeve të qerpikëve mbarë,
Ti ke mbirë si një shelg lotues
Me degët si një ujëvarë.”
Por përtej dashurisë Elmazi shpreh kumtin poetik edhe për ngjarjet që ndodhin dhe jetën aktuale, një jetë e vështirë, ku pjesa më e madhe e njerëzve kanë kapërcyer detin për të shkuar në emigrim. Qytetet kanë mbetur të ftohtë e tê pajetë, ku lëvrijnë vetëm njerëz të moshuar dhe statuja të ngurosura. Duket sikur koha ka ndalur, dhe dalta e skulptorit punon me pavetëdije për të përjetësuar vdekjen.
“Dielli i përgjakur përpëlitet si pulë e therur
Mbi mermerë, shkronja e data.
Dhimbja lëpin gjethet e rëna
Dhe puth pllakat e gurta
Me buzët e rreshkura , të ftohta, të thata.”
( Në qytetin e të ikurve, fragment)
Por Elmazi është i ndjeshëm edhe pas gjërave më të vogla. Duke qenë dikush që trajton hollësishëm letërsinë për fëmijē, s'ka sesi ti humbasin nga vëmendja raste të tilla si kjo;
"Mezi më afrohet mbesa 
Lindur dhe rritur Alpeve të Italisë.
Si ato zoçkat e vogla
Që s'kanë çelur në furrikun e vet
Por në gardhin e komshisë."
(Poezia: "Mezi më afrohet mbesa".)
 Me kaq pak vargje ai parashtron një dukuri negative të emigrimit; largimin e brezave, të cilët nuk rrojnë më mes tyre, por të ndarë dhe në largësi, ku nuk vjen më siç duhet ai proces i njohjes nipër e gjyshër.
Të moshuar që rrojnë vetëm, që gdhijnë dhe shkojnë të flenë pa pasur askënd pranë, dhe fëmijë të vegjēl që rriten me nje familje të pakonsoliduar ku prindërit zakonisht luftojnë për kafshatën e gojës, dhe gjyshërit s'kanë mundësi të përkujdesen për të vegjlit.
Por në poezinë "Manastiri", autori na jep nëpërmjet alegorise dhe satirës një tablo të jetës që ndodh brenda shoqërisë së krishterë, institucioneve fetare e ku predikohet virtyti , por përtej hipokrizisë kemi një realitet tjetër.
"Sallat plot shenjtorë
Që predikojnē urtësi
Pastërti e nder.
Bodrumet shfryjnë inatet dhe epshet në terr."
Poezia e Elmaz Qerretit në të gjitha rastet është e mpiksur në brumin e realitetit, lexohet dhe përtypet lehtë, të shtyn në meditim dhe refleksion. Ai shkruan me penelata të shkurtra, pa stisje dhe stërzgjatje, dhe mbi të gjitha larg deklarativitetit. Poezia e tij është e thjeshtë, por e mbushur në figura letrare dhe gjetje artiste të goditura, ku elementet poetikë të përzier me thurjen mjeshtërore i japin poezisë jetë dhe frymëmarrje të gjerë. Një poezi dhe poet që duhet lexuar në çdo kohë. Sepse sa herë e lexon, aq dhe më i dashur të bëhet dhe vargjet e tij si një buzëqeshje rrezesh diellore ta bëjnë jetën më të bukur.
 
Rifat ISMAILI
Savona janar 2025