Angela Kosta - Intervistë

Angela Kosta - Intervistë
INTERVISTË ME REGJISORIN, AKTORIN, POETIN DHE SHKRIMTARIN DIBRAN FYLLI

Nga: Angela Kosta

Çfarë ju shtyn të kaloni nga skena në regji dhe nga regjia në poezi, dhe si lidhen këto dy botë mes tyre për ju?
Regjia është profesion, skena për mua dhe çdo artist është fusha e shenjtë ku shfaqen karakteret e lojës artistike, kurse poezia për mua është pasion, e cila, si krijimtari poetike më lidh ngushtë me profesionin. Të shkruash poezi, do të thotë të shkruash ose të zhvillosh një ngjarje më shumë se një dramë skenike, apo edhe skenar filmi, pra për të gjitha këto dhe mbi të gjitha, është letërsia.
Si ka ndikuar përvoja juaj si aktor në mënyrën se si i ndërtoni personazhet në shkrimet tuaja?
Siç u shpreha edhe më lart, (në përgjigjen e pyetjes së mëparshme), personazhi ndërtohet mirë dhe me sukses, vetëm atëherë kur është përshkruar dhe detajuar qartë karakteri i tij; atëherë mund të thuhet se është kryer gjysma e punës dhe aktorit i mbetet aktrimi, veç në atë mënyrë realizohet karakteri i një personazhi, si në prozë, roman, poezi, dramë apo edhe në film.
Në krijimtarinë tuaj letrare, cili është roli i kujtesës historike dhe sa ndikon ajo në frymëzimin tuaj?
Me thënë të drejtën, historia jonë si popull i shumëvuajtur, ka lënë gjurmë në kujtesën, jo vetëm timen, por thuajse të çdo krijuesi dhe për atë arsye edhe shkruajmë duke i kujtuar vuajtjet, mundimet, sakrificat, flijimet e shumë brezave për liri e pavarësi, por ajo që luan rol të rëndësishëm në kujtesën timë historike është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), (pjesë e së cilës isha edhe vetë) dhe rezistenca titanike e Kryekomandantit Adem Jashari, të cilin në kohë lufte e quaja AI ËSHTË I GJALLË, dhe, edhe sot e përmot, kush mundet të thotë se Ai nuk është i gjallë? Kjo është kryevepra ime edhe letrare edhe artistike, vepra që do t’i qëndrojnë kohës, derisa të ekzistojë fjala dhe gjuha shqipe.
Si promovues dhe botues i revistës ORFEU, çfarë kriteresh përdorni për të përzgjedhur zërat e rinj dhe sa e vështirë është të ruhet cilësia në kohët moderne?
Kjo është një lloj sakrifice, sepse për ta ruajtur kriterin dhe përzgjedhjen e zërave të rinj, duke botuar e publikuar shkrime me vlera letrare, kulturore e artistike, dhe duke e ruajtur cilësinë, në kohë moderne, është shumë e vështirë, sepse poezia e sotme bashkëkohore, ose moderne, (jo për t’u kritikuar apo hedhur poshtë), por në shumicën e rasteve ndërtohen, krijohen pa lënë mesazh, duke pretenduar se ajo nënkupton, por, në realitet ajo mbetet pezull, e pakuptueshme, pa metafora, pa ndonjë mesazh të qartë. Është e vërtetë se poezia lexohet edhe mes rreshtash, por vetëm atëherë kur vargjet janë të ndërthurur sipas poetikës dhe estetikës letrare...
Çfarë ju motivoi të trajtoni një temë kaq të ndjeshme dhe të fuqishme si figura e heroit legjendar Adem Jasharit në librin tuaj?
Libri “Ai Është i Gjallë”, është një kronologji që pasqyron luftën, sakrificën, udhëheqjen e suksesshme të kryekomandantit Adem Jashari, deri në rënien e tij në fillim të marsit 1998, duke pasur parasysh se, edhe pas rënies së tij, lufta vazhdoi të zhvillohej nën frymimin e tij, deri në çlirimin e Kosovës. Gjatë kohës së luftës, pikërisht në Përvjetorin e parë, më 6 mars 1999, krijova një skenar, shfaqje skenike, duke e titulluar: "Ai Është i Gjallë", dhe duke e shfaqur në rrethana të jashtëzakonshme, në rrethana lufte, në mes të ofensivave serbe, para mijëra qytetarëve që kishin ngelur në zonat e luftës, si dhe para shumë e shumë ushtarëve të UÇK-së, duke lënë një prurje të arsyeshme, (edhe pse artistikisht), se Kryekomandanti vazhdonte të ishte dhe është përjetësisht i gjallë. Tani, pas përfundimit të luftës, bëra edhe librin kronologjik me të njëjtin emër, duke u motivuar nga shfaqja, dhe me ndihmën e promovueses shumë dimensionale Angela Kosta, ky libër arriti të përkthehet në 16 gjuhë: shqip, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, turqisht, kroacisht, sllovenisht, spanjisht, hebraisht, arabisht, kinezisht, polonisht, punxhabisht, asamezisht, koreanisht, madje në shumicën e këtyre vendeve të huaja, është botuar e publikuar edhe në rrjete sociale, platforma, revista e gazeta të njohura...
Si e përjetuat procesin e përkthimit të veprës suaj në 16 gjuhë dhe a mendoni se mesazhi ruan të njëjtën peshë edhe në kultura të ndryshme?
Për mua dhe kuturën e historisë tonë është një përjetim i jashtëzakonshëm, sepse tregon jo vetëm kulturën e të shkruarit, por ruan edhe një kujtesë historike të papërseritshme të luftës sonë çlirimtare, duke e identifikuar me rastin unik në botë, të rënies së 59 anëtarëve të familjes së Kryekomandantit për liri e pavarësi. Ndërsa, përsa i përket mesazhit dhe peshës në kultura të ndryshme, dua t’i shkëpus disa rreshta nga recensioni i Dr. Yang Geum-Hee, pedagoge, botuese, përkthyese dhe Zv. Presidente e Shoqatës së Shkrimtarëve Koreanë: "Me kënaqësi të madhe u prezantoj lexuesve koreanë "Prekazi brezni trimash - Ai Është i Gjallë (kronologji), një biografi e heronjve të pavarësisë së Kosovës që luftuan dhe ranë për liri. Kosova, e vendosur në Gadishullin Ballkanik të Evropës, është një vend kryesisht i panjohur për lexuesit koreanë. Kjo mungesë njohjeje përforcohet nga fakti se Koreja dhe Kosova ende nuk kanë vendosur marrëdhënie zyrtare diplomatike. Megjithatë, nëse kërkojmë ngjashmëri midis dy kombeve, edhe Koreja arriti pavarësinë përmes sakrificave dhe përpjekjeve të luftëtarëve të pavarësisë gjatë periudhës koloniale japoneze. Për më tepër, Koreja përjetoi tragjedinë e luftës civile gjatë Luftës Koreane, e cila la plagë të pashlyeshme në komb. Duke pasur parasysh historinë e vetë Koresë së luftërave për pavarësi, besoj se lexuesit koreanë do të rezonojnë thellë me historinë e heronjve të pavarësisë së Kosovës dhe luftën e tyre për liri”.

 Në regjitë që realizoni, a ka elemente të drejtëpërdrejta që burojnë nga poezia apo shkrimet tuaja letrare?
Po, dhe nuk janë të pakta. Nëse marrim disa shembuj konkret, mund të përmend poezinë “Insistimi i një fëmije”, i cili me çdo kusht kërkon një emblemë të UÇK-së nga disa ushtarë çlirimtarë. Unë e kam zbërthyer si ngjarje, duke e bërë skenar filmi të metrazhit të shkurtër me emrin “Fëmiu dhe lufta”. Pastaj nga poezia “Djegiet dhe shkatërrimet”, bëra skenarin e filmit artistik, duke e titulluar “Abetarja e Arbërit”. (Arbërit i mbesin detyrat e shtëpisë në gjysmë, sepse me familjen e tij ishin të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’u shpëtuar barbarisë serbe dhe pasi kthehen në shtëpi, e gjejnë shtëpinë e shkatërruar, si dhe fletoren me abetaren gjysmë të djegur). Kam shumë tregime tjera që i kam bërë skenare filmi, të cilat po mundohem t’i realizoj, edhe pse në kushte jo të mjaftueshme ekonomike.
Si e shihni rolin e artit dhe letërsisë në pasqyrimin dhe dokumentimin e dhimbjeve kolektive të një populli?
Arti luan një rol të rëndësishëm në pasqyrimin dhe dokumentimin e dhimbjeve kolektive të popullit, sidomos kur ato pasqyrohen drejtë dhe pa ndonjë mbulesë jo reale, por ashtu siç ishin, ashtu siç kanë rrjedhur ngjarjet, dhe kjo, duke realizuar filma dokumentarë e duke i shfaqur në televizione. Pra, e them pa modesti, jam i vetmi regjisor që vetëm pas luftës, kam realizuar mbi 40 filma dokumentarë me temën që përmendet më lart, të gjithë të edituar e arkivuar në Radiotelevizionin e Kosovës e jo vetëm kaq. Mendoj së i kam dalur hakut profesionit tim, duke e përdorur thënien në çdo dokumentar: “Jo të merremi me të, por që të mos e harrojmë të kaluarën tonë jo të largët, të mundimshme, të dhimbshme e me plot sakrifica”...
Çfarë sfidash has një krijues që angazhohet me tema historike dhe politike në një kontekst bashkëkohor?
Mendoj që kjo pyetje nuk do shumë koment! Nëse angazhohesh në trajtimin e temave historike, sfida e parë është se ke shumë pak përkrahje institucionale, le të mos themi aspak e asnjë përkrahje, sepse sikur po duan ta harrojmë atë që ka ndodhur në Kosovë, kurse temat politike, për krijuesit e mirëfilltë, janë të paarritshme, sepse, po nuk shkove e shkrove sipas dëshirave partiake, le që nuk ke përkrahje, por edhe të injorojnë, duke të quajtur i padëshirueshëm për pushtetin, apo edhe më keq; kundër pushtetit! Kjo që sapo thashë, ndoshta, nuk është e përshtatshme për dikë, por ama është realitet i kohës së pa kohë.
Në gjithë këtë gamë të gjerë rolesh që mbani, ku e ndjeni veten më të lirë për të shprehur të vërtetën tuaj?
Gjithmonë e ngahera kur me fle në shpirt roli apo karakteri që ka të bëjë me historinë e popullit tim të shumëvuajtur, pse jo, edhe ato role e karaktere me temë dashurie, por deri në kufirin që e lejon njerëzorja.
Si ndikon përgjegjësia morale ndaj historisë dhe figurave kombëtare në procesin tuaj krijues?
Kujdesin e veçantë unë e kam atëherë kur në krijimtarinë time, qoftë letrare apo artistike, shpalos dhe shfaq historinë e figurave kombëtare, sepse aty dhe në to ndjej përgjegjësi, jo vetëm morale, por edhe kombëtare, ndaj mundohem të jem i kujdesshëm.
Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni brezave të rinj përmes veprave tuaja artistike dhe letrare?
Së pari, uroj dhe bëj thirrje që rinia e sotme të lexojnë sa më shumë libra, jo të vështrojnë vetëm rrjetet sociale, sepse shumica e tyre bëhen për shikime e për interesa të pronarëve, kurse veprat letrare e artistike, nga çdo krijues, kanë të paktën mesazhin dhe thirrjen për të mirën e jo për të keqen, edhe pse në disa raste e shfaqin edhe të keqen, por duke e kritikuar atë në forma të ndryshme. Përsa i përket veprave të mia artistike e letrare, u them: lexoni se aty i keni mesazhet e kuptueshme dhe vetëm atëherë do të më njihni!

 Si e balanconi ndjeshmërinë artistike me nevojën për të qenë i drejtpërdrejtë kur trajtoni tema të dhimbshme historike?
Ndjeshmëria artistike është nevojë e çdo artisti, kuptimi i veprës apo trajtimi i temave të dhimbshme historike, them së është vetë historia, prandaj çdo skenë filmi, apo akt drame, duhet ta ketë ndjeshmërinë artistike, ashtu sikurse edhe çdo krijim letrar.
Cili ka qenë momenti më sfidues në rrugëtimin tuaj krijues dhe si ka ndikuar ai në formësimin tuaj si artist?
Së pari dua të theksoj se unë e kam kryer Akademinë e Arteve në gjuhë jo amtare dhe kjo ishte sfida më e madhe e imja... më pas jam ballafaquar me sfida thuajse të njëpasnjëshme, frikëra dhe sfida bashkë, kur në mes të luftës realizoja shfaqje, duke krijuar edhe teatrin ushtarak e shumë tjera, por këto ndikuan pozitivisht dhe më forcuan besimin që ta formësoj karakterin tim si artist e si krijues i rebeluar që, asnjëherë nuk punova për dëshirën e dikujt, duke shkelur parimet e mia dhe betimin tim për artin e mirëfilltë.
Nëse do ta përshkruanit misionin tuaj artistik me një fjali të vetme, si do ta formulonit atë?
Identiteti im artistik është ky që është!

Ju falenderoj për kohën dhe intervistën. Ju uroj suksese në vazhdimësi.