Siyoung Doung - Vështrim për librin "Perla d’Amore"

Siyoung Doung - Vështrim për librin "Perla d’Amore"
FLAKA E NDRIÇUESE E POETES ANGELA KOSTA  
 
Nga: Dr SIYOUNG DOUNG (KOREA E JUGUT)
Ish-Pedagoge në Korea Tourism University dhe Jilin University of Finance and Economics në Kinë, si dhe Presidente e 5-të e Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore
 
Së fundmi, çdo mëngjes kam lexuar përmbledhjen poetike të poetes Angela Kosta, "Perla d’Amore", e përkthyer nga i respektuari Dr. Kang Byeong-Cheol, President dhe themelues i Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore.  
Poezitë e saj janë të mbushura me dhimbje, vuajtje dhe mëshirë për ekzistencën njerëzore. Ato depërtojnë në errësirën e jetës, duke klithur, lotuar dhe dëshpëruar.
Ky zë, nuk i përket vetëm një individi: ndoshta është një fjalë që vjen nga bota hyjnore, është zëri i atyre që, gjatë historisë së njerëzimit, kanë jetuar nën përndjekje. Njeriu ka ekzistuar dhe do të ekzistojë edhe më tej, por në këtë ekzistencë nuk ka vetëm lumturi: së bashku me të, ka një realitet "ferri". Leximi i poezive së Angela Kostës, na shtyn të mendojmë se duhet të bëjmë diçka, çdo gjë që mund t'i heqë këto vuajtje.  
Poezitë e saj janë shkruar me dhimbje, dhe duhet të lexohen me dhimbje. Ato na bëjnë të reflektojmë mbi atë çka do të thotë vërtet të jesh njeri, e mbi atë që duhet të bëjmë. Letërsia e saj është ngado një thirrje, një ulërimë që jehon në gjithë botën. Duke i lexuar dhe dëgjuar vargjet e saj, përballemi me pafytyrësinë mizore që njeriu i shkakton njeriut.  
Në fund, këto fjalë bashkohen në një dritë që do të ndriçojë të tashmen dhe të ardhmen e ekzistencës njerëzore.
Dhe nuk na braktis uria mizore 
rrotullohet dhe tejngopet 
rreth duarve tona bosh...  
(nga poezia: URIA)  
 
Por djalli akoma etje ndjen
Me epsh sfidues furtunash nën shtrëngata
Asnjëherë nuk vdes.
Tentakula kudo në hapësirë shpërndan
Fatkeqësinë e fatit në to vjell
Mbi kafkat e gjymtuara shkel
Dhe ringjallet aty ky Pafajësia vdes.
(nga poezia: TRIUMFI I BEELZEBUBIT)
 
Në historinë njerëzore kanë ekzistuar shumë filozofi dhe mendime. Leximi i poezive të poetes Kosta, na kujton filozofinë e Michel Foucaultit, reflektimin e tij mbi burgjet, shkollat, ushtritë dhe vuajtjet e pashprehshme që i shkaktohen një qenieje njerëzore. Gjithashtu na kujton Fjalimin mbi origjinën e pabarazisë së Rousseaut dhe madje edhe mendimin e Nietzsches. Për më tepër, na sjell ndër mendje “Emigrantët” e W.G. Sebald, duke na bërë të mendojmë për jetën e saj në diasporë midis Shqipërisë dhe Italisë, mes dy kohërave, dy hapësirave, dy kulturave.
Në këtë distancë mes dy botëve, ajo bën të jetojnë vende dhe kultura të gjera. Kultivon ushqimin shpirtëror për njerëzimin, mbjell farat e paqes dhe i kuron me punën dhe veprën e saj. 
Aty ku ndodhet Angela Kosta, dielli rilind e buzëqesh, dhe aty, hijet e mëdha të hedhura mbi historinë njerëzore fillojnë dalngadalë të zhduken.  
Në veprat e saj, një dritë e madhe diellore rrezaton ëmbēlsisht në botë, duke përgatitur kēshtu një strehë për ata që vuajnë.  
I shpreh respektin tim më të thellë për rrugëtimin e saj të vështirë dhe madhështor, si dhe e uroj për veprat e saj letrare.  
Angela Kosta ka botuar 29 libra, duke përfshirë poezi, romane dhe përralla, në: italisht, anglisht, turqisht, arabisht dhe frëngjisht. Ka përkthyer veprat e mbi 170 autorëve përmes përkthimeve shqip-italisht, dhe ka promovuar mbi 850 poetë dhe 125 artistë në revista letrare, si në Itali ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu ka përkthyer në shumë gjuhë veprat e poetëve të njohur italianë dhe autorëve të famshëm. Është Zv. Presidente e shoqatave humaniste dhe është emëruar ambasadore kulturore dhe e paqes nga shumë organizata jo fitimprurëse, në: Poloni, Bangladesh, Marok, Kanada, Algjeri, Egjipt, Meksikë, Jemen, Rumani, Indi, dhe vende të tjera. Kushdo që njeh gjerësinë e veprimtarive të saj nuk mundet të mos mbetet i mahnitur.
Në këtë udhëtim të mrekullueshëm të jetës së saj, i jap një duartrokitje të ngrohtë, përmbledhjes së saj të re poetike, tashmë në koreanisht, italisht dhe anglisht. 
E përshëndes me dashamirësi këtë flakë të re që ajo mban lart, rrezatuese në ndriçimin e saj.