NJË MESAZH DASHURIE DHE SHPRESE PËR BOTËN
Nga: LEE HEE KUK
Nënkryetar i Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore
Është nder i madh për mua të shkruaj një mesazh urimi për botimin dhe përkthimin në gjuhën koreane të përmbledhjes poetike “Perla e Dashurisë”, e poetes së nderuar Angela Kosta.
E lindur në Elbasan, poetja jeton në Itali që nga viti 1995. Gjatë tridhjetë viteve ka botuar njëzetë e nëntë vëllime me poezi, romane dhe përralla, shumë prej të cilave janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Veprat e saj janë prezantuar në mbarë botën, përmes përkthimeve në mbi dyzet e pesë gjuhë dhe janë shfaqur në revista letrare dhe gazeta në Evropë, SHBA, Azi dhe Afrikë. Në vitin 2023, ajo u nderua me titullin “Përkthyesja më e Mirë” nga revista letrare OBELISK në Tiranë, për përkthimin e saj të shkëlqyer të nobelistit të Letërsisë Giosuè Alessandro Giuseppe Carducci.
Duke u përballur me dhimbjen e trazirave si në atdheun e saj, po ashtu edhe në mbarë botën, së bashku me krizat urgjente të ndryshimeve klimatike dhe shkatërrimit të mjedisit që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit, ajo ka kërkuar vazhdimisht, përmes shkrimeve të saj, një ndryshim thelbësor. Veprat e saj jehojnë si mesazhe shprese drejtuar botës. Me një shpirt të përkushtuar për të mirën e njerëzimit, ajo është angazhuar me pasion në përkthimin dhe përhapjen e veprave të poetëve të mirënjohur nga e gjithë bota. Për më tepër, ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me media ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Bangladesh, Turqi, Taxhikistan, Indi e më gjerë, duke kontribuar ndjeshëm në shkëmbimet letrare globale. Angazhimi i saj i palodhur, që përfshin përkthimin dhe prezantimin e veprave të mbi 170 shkrimtarëve të shquar, përfshirë edhe veprat e mia, si dhe prezantimin aktiv të më shumë se 850 poetëve dhe 125 artistëve në platforma letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, përbën një rrugëtim ndriçues. Përmes këtyre nismave fisnike, ajo ka nxitur zhvillimin e letërsisë botërore, ka promovuar mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë dhe ka thelluar shpirtin e ndarjes dhe bashkëpunimit. Për të gjitha këto, i shpreh mirënjohjen time të thellë, admirimin dhe respektin tim të sinqertë.
Së fundi, lutem me përkushtim që Kosova, (aq e dashur për poeten), vend i cili ka vuajtur gjatë nën peshën e konflikteve, të mund të çlirohet së shpejti nga errësira dhe të rilindë si një diell që sapolind, në një tokë begatie dhe bekimi nën një qiell të shndritshëm dhe madhështor.
Përgatiti për botim Angela Kosta