Koo Myong-Sook - Përmbledhja poetike e Angela Kostës “PERLA E DASHURISË”

Koo Myong-Sook - Përmbledhja poetike e Angela Kostës “PERLA E DASHURISË”
TRANSHENDENCA E NATYRËS DHE E JETËS NË VARGJET E POETES ANGELA KOSTA
 
Nga Dr. KOO MYONG-SOOK  
Poete, Doktoreshë në Filozofi (Universiteti i Bielefeld-it, Gjermani), Profesore e ftuar në Universitetin Soka (Japoni), Profesore vizituese në Universitetin Waseda (Japoni). 
Aktualisht: Profesore Emerite në Universitetin për Gratë Sookmyung, Anëtare e Këshillit të Muzeut Kombëtar të Letërsisë së Koresë, Drejtoreshë e Qendrës Kulturore në Seocho.
 
Përmbledhja poetike e Angela Kostës “PERLA E DASHURISË”, ka rilindur në Kore si një Perlë e Vërtetë Dashurie, falë përkthimit në gjuhën koreane nga Dr. Kang Byeong-Cheol. Me gëzim të thellë dhe të sinqertë, e përgëzoj për këtë arritje të madhe. Falë mjeshtërisë së përkthimit të Dr. Kang, edhe unë pata mundësinë të lexoj me lehtësi veprat e poetes me famë botërore Angela Kosta.
Është e qartë se shumica e poezive të Angela Kostës e kanë origjinën në natyrë.  
Imazhet e pyjeve, lumenjve, flladit dhe yjeve, nuk mbeten thjesht peizazhe, por lëkunden si simbole ekzistenciale. Ylli, për shembull, shfaqet si një llambë që ndriçon shpresën transcendente. Përmes natyrës, poezia e saj eksploron vetminë themelore të qenies njerëzore, ashtu si edhe solidaritetin dhe arsyet e ekzistencës.
Veprat e saj shprehin gjithashtu gjallërinë e ciklit të jetës, lindjen dhe shuarjen, jetën dhe vdekjen. Në veçanti, gjuha e saj është e përshkuar nga një zë femëror që transmeton një forcë të madhe jetësore, të ëmbël, por të qëndrueshme. Ajo ligjëron vullnetin e thellë për të mbrojtur jetën deri në fund, edhe duke përqafuar vuajtjen njerëzore. Nuk bëhet fjalë për një feminitet thjesht sentimental, por për një forcë që afirmon ekzistencën deri në skajet më të largëta.
Së fundmi, poezia e saj shkon përtej përshkrimit tejet të ndjeshëm, e përqafon misterin dhe shpirtëzimin, duke i nxitur lexuesit të reflektojnë mbi kuptimin themelor të jetës. Poezitë e Angela Kostës, nuk ndalen tek një lirikë e ndjeshme, por përshtrihen në një dimension të thellë shpirtëror. Në dritën e yjeve, ato ngushëllojnë dhimbjen njerëzore; në rrjedhën e lumit, zbulojnë ciklin e jetës; në frymëmarrjen e pyllit, evokojnë kohën dhe kujtesën. Për lexuesin, veprat e saj nuk përfaqësojnë thjesht një “përjetim letrar”, por ofrojnë një ftesë për kontemplim meditativ. 
Për këtë arsye, poezia e Kostës shpesh tingëllon si një lutje, një himn apo një meditim.
Në poezinë “Një copë kothere”, ajo shkruan për mbijetesën dhe "bollëkun". Buka simbolizon njësinë minimale të mbijetesës dhe të jetës së përditshme. Kosta e konsideron bukën jo si një ushqim të zakonshëm, por si minimumin e domosdoshëm të dashurisë dhe shpresës, përmes së cilës mbështetet ekzistenca. Nëpërmjet kuptimit të “një cope kothere”, ajo kremton dinjitetin, shenjtërinë dhe transhendencën e jetës së zbuluar në gjërat më të vogla.
Duke lexuar poezinë “Jeta”, ajo nuk shfaqet si një vijë e drejtë, por si “rrjedhë” dhe “cikël”. 
Jeta rrjedh si lumë, duke gërshetuar dritën me errësirën, shpresën me dëshpërimin. 
Kosta nuk e sheh jetën thjesht si vuajtje, por thekson ciklet e saj, mësimet dhe zbulimet që ajo sjell.  
Në poezinë “Apoteozi i Beelzebubit”, ajo trajton kritikën ndaj dëshirës dhe së keqes. Në fund, zëri i saj përqafon vuajtjen dhe dashurinë njerëzore, kritikën sociale dhe reflektimin shpirtëror, duke e shpërfaqur si një poete të vërtetë universale.
“Njeriu gjunjëzohet përpara hijes që ka krijuar vetë dhe thërret emrin e Beelzebubit sikur të ishte Zot.”
Me imazhe kaq të fuqishme, ajo denoncon kultin e pushtetit dhe korrupsionin e dëshirës në shoqërinë moderne. Por nuk bëhet fjalë për një satirë të thjeshtë fetare: më tepër lexohet si një përrallë moderne që na fton për një zgjim shpirtëror dhe rezistencë etike.  
Gjuha e autores Kosta është e përmbledhur, por e pasur me imazhe dhe simbole, me një thellësi dhe gjerësi të pakufishme, duke ofruar njëkohësisht për lexuesin një risi të freskët në çdo varg.
 
Dr. KOO MYONG-SOOK