~TUNGJATJETA, MALI IM!~
Sot kam ardhur pranë teje
të mbledh luleblete e gjethe të njoma
që aromën dhe qetësinë e tyre
ta shpije në qytet
Oh, sa zhurmë ka atje,
sa fjalë të pakuptimta
dhe njerëz të trishtuar!
Tungjatjeta, mali im,
sot jam pranë teje
që në horizont, mbi detin blu
ta preh shikimin
dhe mendjen që ka nisur të mpaket
Të zgjoj shqisat e fjetura,
që të mund të lexoj verbërinë
a thua vallë,
verbëria është epidemi moderne?!
Tungjatjeta, mali im,
strehë e burrave të mençur,
odë e kreshnikëve dhe zanave
...si nuk u gjend një dhomëz brenda teje
ku të ruheshin fatet,
ato fate që s’dihet
ku e kur janë shkruar
Pasi ta mbush zemrën
me forcën tënde,
do të zbres përsëri
e, ndër qytete
qenia do të më lodhet
nga mistika e zbrazët,
që nuk di çfarë kërkon, as ku shkon
ajo thjesht, fshihet
Ka diçka më të lashtë se frika,
më të pastër se lavdia
më të thellë se vetmia
heshtja jote...
Mirë u pjekshim, mali im
aty ku heshtja lexon fatet tona...
© b. xhindoli