Agim Bajrami - Rreth romanit “GRUAJA ME SHAMI TË GJELBËR”
Rreth romanit “GRUAJA ME SHAMI TË GJELBËR”
Një rrëfim i pazakontë për një përditshmëri të tejngarkuar..
Rreth romanit “Gruaja me shami të gjelbër” të shkrimtarit Hyqmet Hasko
Vlera e një vepre letrare nuk matet vetëm nga struktura dhe mënyra e veçantë e rrëfimit, e paraqitjes së fakteve jetësore, sado të jetë e dukshme estetika e kësaj paraqitje, por edhe me praninë dhe peshën e madhe të materialit jetësor, që lëviz nëpër të. Në këtë rast, një rëndësi të tejdukshme ka dhe meriton intuita e shkrimtarit, prirja dhe aftësia e tij për t’u orientuar zgjuarsisht drejt atyre problematikave që ngjajnë se e tërheqin vazhdimisht prej mënge atë, aq më shumë për një shkrimtar i cili frymon dhe jeton në një mjedis që e ka humbur keq toruan, nga një proces i egër, kaotik dhe kompleksiv i tranzicionit shqiptar, ku krimi dhe mashtrimi vazhdojnë të bëjnë akoma kërdinë. Romani i Hyqmet Haskos “Gruaja me shami të gjelbër”, ndonëse në nëtitull mban shënimin “rrëfimet e inspektori policie”, s’është gjë tjetër veçse një fletë tmerri, të cilën autori e ka shkëputur nga përditshmëria e arealit shqiptar, aq i përmendur për egërsinë dhe ngarkesën e tij çmendurake. Është një roman, të cilin një inspektor policie, i veshur me petkun e shkrimtarit, e ka shkruar në gojën e ujqërve të mafies, përpara syve të kriminelëve dhe pseudopolitikanëve të këtij vendi. Ky është një nga shkaqet që shfletimi i faqeve të këtij libri është i barazvlefshëm me shfletimin e një dosje krimi, që ka gjetur terrenin më të mirë këtu në vendin tonë, me autopsinë e kufomave të fajshme e të pafajshme, të zhgënjyera aq keq nga e ashtuquajtura demokraci shqiptare. Rrëfimi i autorit gjithmonë në vetën e parë, më shumë se zbulim enigmash e të panjohurash, që kanë të bëjnë me xhunglën shqiptare, është në vetvete fillimi i një përpjekje për të zbuluar ekuilibrat e ndjeshëm dhe delikatë të një shoqërie të mbytur keqas nga krimi dhe mungesa e kulturës së qëndrueshme politike. Kam përshtypjen se autori, që kur filloi të hidhte rreshtat e parë të këtij romani, ka pasur dy qëllime të caktuara: të krijonte prototipin e një heroi idealist dhe skrupuloz ndaj detyrës së tij, por dhe të zbulonte njëkohësisht para lexuesit idenë, se idealet e një shoqërie në postdiktaturë janë të destinuara të thyhen keqas ose të shuhen fare, kur shoqëritë orientohen gabimisht nga mashtrimi dhe rrufjanët politikë. Në një ambient ku koka e prerë e një vajze të re prek një përbindësh me fytyrë njeriu, fillon e të sillet vazhdimisht si një simbolikë kobi dhe askujt s’i bën përshtypje kjo gjë, a thua se jemi në shekujt e rëndë të Mesjetës, kur gjithçka vërtitet në një bosht të hirtë klithës e gati asfiksues, të krijohet përshtypja se atdheu yt s’është gjë tjetër veçse një strehë dashurishë të përndjekura, dashurishë të harruara, vdekjesh të befta e të paralajmëruara, që bota e krimit na ofron përditë. Përse nuk është i lumtur atdheu ynë? Është një pyetje e tërthortë, po që autori e nënkupton në çdo faqe të romanit. Përse kaq shumë vrasje, gjak, dhunë, mungesë të zbatimit të ligjit? Këto janë pyetje të cilat sado të turbullojnë ndjesitë tona me oshëtimën e tyre kobzezë, ngjajnë se ndodhin në shkretëtirë dhe kanë një përgjigje shkretëtirë. Romani i Hyqmet Haskos i ngjan një fuçie baroti, në rast të një shfletimi të pakujdesshëm. Kjo sepse në faqet e tij janë pasqyruar një mori e madhe ngjarjesh ardhur nga bota e krimit dhe e ligatinës shqiptare. Kryetarë të sofistikuar bandash, mafioz aq të ngjashëm me personazhet e Kamorrës e të Koza Nostrës siçiliane, drogmenë, maniakë seksi dhe gjaku, killera të veshur me pushtet dhe kriminelë që shëtisnin të armatosur në rrugët tona, në një peizazh të trembur e të hutuar nga paniku, janë të gatshëm që vetëm për një trill të çastit, të të çojnë dhe ty në portat e ferrit. Ngarkesa e madhe e skenave të tmerrit, ankthi, era e vdekjes, që shoqëron fletët e këtij libri, s’janë gjë tjetër veçse maja e ajsbergut e realiteteve tona të përditshme. Kjo shpjegon më së miri edhe intensitetin e rrëfimit dhe qëndrimin sfidues që mban autori përballë këtij realiteti të tejngarkuar. Logjika e kaosit është një proces që pasqyron më së miri degradimin e një pjese të mirë të shoqërisë shqiptare, të cilët për hir të pasurimit sa më të shpejtë dhe të pandershëm i kanë vendosur fatet e atdheut në krye të zinxhirit ushqimor… Gjatë gjithë kohës së leximit ndihesh si i zënë në kurth, i pushtuar nga ngjyrat e territ, nga drama e ferrit, por me një dritëz në shpirt, për arsye të luftës që bëjnë protagonistët e romanit për të mos iu dorëzuar pushtetit të ligësisë dhe krimit. Të vetmen thyerje këtij peizazhi të përzishëm ngjyrash të trishta arrin t’ia bëjë gruaja me shami të gjelbër, që mishëron heroinën e romanit dhe idealizmin e një bote që vjen nga dashuria për jetën dhe vlerat e vërteta njerëzore. Ajo, siç thotë dhe autori, ishte i vetmi imazh farfuritës që lëviz në kujtesën e romanit, si një shkundje pjalmi. Gruaja me shami të gjelbër, së bashku me rrëfimtarin e kësaj historie, përbëjnë prototipin e atyre.