Maxhun Osmanaj - Mbresa Leximi

Maxhun Osmanaj - Mbresa Leximi
Mbresa Leximi
RRESHTA DHE VARGJE QË LEXOHEN ME ËNDJE DHE KËRSHËRI
 
Shkruan Maxhun Osmanaj
 
(Have Lipa Osmanaj, “Hana fluturon në ëndrra”, SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2024)
Letërsisë për fëmijë, nga viti në vit po i shtohen  zëra të rinj, libra mbresëlënës, ndonëse kanë ikur mjeshtër të shumtë të fjalës magjike që e kanë lëvruar këtë letërsi.
  Autorja Have Lipa Osmanaj, në vitin 2024 doli para publikut lexues me librin e tretë të radhës, përkatësisht me librin e dytë për fëmijë “Hana fluturon në  ëndrra”.Duke lexuar këtë libër me kujdes, që i paraprin një fjali pedagogjke”Ky libër u kushtohet të gjithë fëmijëve të mirë, si dhe atyre më pak të dëgjueshëm, por që në të ardhmen kanë plan të përmiësohen!”, mësojmë se poetja me këtë mesazh u përcjellë këshillën e parë të gjithë fëmijëve  me gjithë mirësi, mirëkuptim dhe bujari, pra u lë vend  edhe atyre më pak të dëgjueshëm që të përmirësohen. Ky reflektim shpirtëror flet shumë.Ky libër është një prurje me vlera të padiskutueshme, ku pjesa e parë është në prozë, ndërsa pjesa tjetër në poezi.Me këtë gërshetim zhanror:prozë-poezi, Osmanaj dëshmon një talent në këto dy zhanre, ngase proza e saj ka dimensionin e shtruarjes së brumit narrativ me një imagjinatë të theksuar që  zgjon dhe “ngacmon” bukur lexuesit e vegjël.Autorja troket guximshëm dhe me magjinë e fjalës së bukur në fëmijëri, pra, në fëmijërinë e Hanës si kryepersonazh i prozës.Portreti i Hanës na pikturohet me ngjyrat e jetës plot ëndrra, me sytë e ardhmërisë, një vajzë e kompletuar, e cila fluturon në qiellin e pakufishëm të  dëshirave si çdo e re apo i ri. Ajo na shpaloset  një vajzë e shkathët e klasës së tretë, e mbarë, shpikëse e lojërave gjithfarëshe, lexuese  pasionuese, talente e re në shkrime...Aventura e rrëfimit , Hanën e dërgon në një pyll me shoqe, ku përjeton çaste të lumtura në mes korit gazmor të zërave të llojllojshëm që dëgjojnë dhe shtazëve që takojnë, pra momente mbresëlënëse.Ta kapësh botën e fëmijëve me bukurinë dhe kompleksivitetin që ofron  jeta, me ëndrrat, me dëshirat dhe me  çapkënlleqet e tyre, si dhe ta transmetosh mrekullueshëm në rreshta dhe vargje, kërkohet një njohje psikologjike e botës dhe moshës së fëmijëve, kërkesave të tyre, kërkohet një talent i theksuar,  çka për këtë dhunti, dëshmon autorja Osmanaj.
  Pjesa tjetër e librit në vargje, na vjen si një dhuratë ku gërshetimi i temave të ndryshme nga bota që na rrethon, nga përditshmëria, nga shkolla, nga familja, pasuron  imagjinatën e fëmijëve.Poezitë janë të kapshme për moshën, jo të një stili të rëndë figurativisht, që mund t’imërzitë fëmijët, por të lezetshme, shquhen me përfundime të befasishme, herë- herë me një dozë të lehtë humori.Libri është i pasuruar me ndonjë ilustrim-vizatim i thjeshtë që bë një ndërlidhje të bukur mes tekstit dhe vizatimit.Autorja butësisht përcjell mesazhin edukativ, se si duhet të shtegtojnë fëmijët rrugës së edukatës, formimit të shëndoshë në jetë, sado që ata përcillen nga  ndonjë çapkënlleqe  apo veshja e ndonjë vesi jo të mirë, që me besim në të ardhmen do t’i flakin ato dukuri të këqija negative. “Jam fëmijë, prandaj gaboj/por një gjë shumë mirë e di/-gabimet s’duhen bërë shprehi”.(Më fal, fq.66).

Një tjetër poezi plot frymë krijimi ku koha, ditët e javës e ngacmojnë lezetshëm poeten është “Java ime poetike” ku ajo  shpalos kohën brenda shtatë ditëve të javës,e cila  vjershën e shkruan me zemër që nga e hëna,”të martën lindi një vjersh tjetër/ as çupë e vogël/as plakë e vjetër/të mërkurën vargjet u derdhën vetë/të enjten strofat u vargëzuan/së premtes borxh që të mos i mbes/shkrova ca vargje me plot kujdes/dy ditë tjera në pushim shkoj”.Pra kemi të bëjmë me një frymëzim të mrekullueshëm si dielli kur agon në mëngjes dhe deri në mbremje përqafon tokën, natyrën, njerëzit.Ashtu poetja ka një javë të “ngjeshur” poetike.
 Ndërsa poezia tjetër,shpërfaq një tjetër bukuri, sikur vajzat të kapur dorë për dore, luajnë me gëzim, ashtu “Vargjet e mia”,që vallëzojnë në fletore dhe i ruan në zemër.”I dua, i ruaj/dhe të tjera do të shkruaj/për qiellin/për detin/për mbretin.../veçmas për fëmijë/që më gëzojnë pa masë/kur mësojnë me zell/në të tyrën klasë”.Ndërsa fabula  poetike”Ujku i uritur” me gjithë bukurinë e rrëfimit dhe përshkrimit të ujkut dhe synimeve të tij, tinëzare, mesazhi na kujton se “Por fëmijë, bëni kujdes/ujku ka gjithmonënjë ves/është një kafshë e pabesë”(Ujku i uritur, fq.69.70).Autoren e ndjek dhe e thërret vazhdimisht fëmijëria ku kujtimet e saj i bart një tren sa përmallshëm,sa të llojllojshme.Poezia “Treni i kujtimeve “ është ndër poezitë më të këndshme dhe të realizuara mjeshtrisht në ide dhe mesazh.”Kujtimet i nisa / me një tren të gjatë/udhëto e udhëto në imagjinatë”(fq,62) Atë e presin:gjyshja plakë, kësulkuqja, borëbardha, ujku me shtatë kecat, mami, sorkadhja, mali, fushat e fshatit, lodrat, “Brenda kokës sime/shpesh udhëton ai tren/që në fëmijëri/me dëshirë më kthen”.
Pjesa e dytë e librit ka gjashtëmbëdhjetë poezi, si dhe dy vështrime të shkurtra duke shpalosur disa veçori të librit.Libri shoqërohet me ilustrime-vizatime të lehta që ndërlidh bukur me tekstin dhe bëhet edhe më këndshëm për lexim.Autorja përdor një gjuhë të kapshme për moshën, një fjalor të pasur, jo me një gjuhë të rëndë.Osmanaj ndërton poezi që nga dy vargu deri në gjashtë vargje, me rimë të njëpasnjëshme ku rima te disa poezi krijon një muzikalitet të bukur poetik. Autores i dëshirojmë suksese të radhës dhe prurje të reja!               
                                              
qershor, 2025