Rexhep Mehmedi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99’

Rexhep Mehmedi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99’
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99’ 
Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
Natën po binte shi ku përveç baltës edhe moti ishte ftohur mjaft
 
KOLONAT ME REFUGJATË ISHIN NË NUMËR TË MADH
 
Rexhep Mehmedi
 
Njëzet e pesë vjet më parë, gjatë muajit mars të vitit 1999, si gazetar i Radio Vatit, isha i akredituar për të informuar për zhvillimet në brezin kufitar Maqedoni-Kosovë, Malësinë e Karadakut të Shkupit dhe vendkalimin kufitar Bllacë. Nga fundi i marsit ‘99, në këmbë dhe mot të keq përcjellë me shi e me borë, mijëra refugjatë kosovarë kalonin maleve të Karadakut të Shkupit ilegalisht dhe transferoheshin te shkolla e fshatit Bllacë, nga u përcjellnin pastaj te vendkalimi kufitar, për t’u evidentuar si refugjatë. Bllacjanët dhe shkupjanët vullnetarisht u ofronin ndihmën e parë refugjatëve duke i bartur me kuaj dhe ushqyer me bukë nga udhëtimi i gjatë dhe i mundimshëm. Kolonat me refugjatë ishin në numër të madh, kishte shumë gra të shtyra në moshë, pleq dhe fëmijë të mitur, por vullneti i të rinjve bllacjanë e shkupjanë për t’u dalë në ndihmë vëllezërve të tyre nga Kosova, ishte aq i madh sa që ata nuk ndjenin lodhje edhe pse disa ditë ishin pa gjumë dhe pa ngrënë. Kishim rastin të shihnim ballafaqimin e tyre me ushtrinë dhe policinë kufitare, të cilët pengonin kalimin ilegal, i detyronin refugjatët të presin me ditë për të kaluar kufirin, në kushte tejet të vështira, në malet dhjetëra kilometra larg fshatit
Bllacë. Bllacjanët, duke u kacafytur me ushtarët dhe policinë maqedonase, nga duart e tyre i merrnin gratë shtatzëna, pleqtë, fëmijët e vegjël dhe i dërgonin nëpër shtëpi për t’u dhënë ndihmë dhe për t’i ushqyer. Aty kam parë burra, trima të vërtetë, se si ndihmon vëllai-vëllain, pa pikë frike nga automatikët e ushtrisë dhe policisë maqedonase, të cilët ndodheshin në vendin e tmerrit.
Sulmet e NATO-s sa kishin filluar. Kosova me të madhe po zbrazej. Organizata Humanitare "El Hilal", “Kryqi i Kuq” dhe Ekipi mjekësor “Mjekët pa kufij” ndihmonin refugjatët që vinin nga Kosova. Sa keq kur i shihje njerëzit që vinin duarthatë, vetëm me rrobat e trupit, nga ana tjetër shqiptarët këndej kufirit vraponin pas tyre të mos mbeten në rrugë. Një solidaritet dhe entuziazëm i madh që kurrë nuk e kisha parë ndonjëherë të bënte të lumtur. Shumë i vështirë ishte vendkalimi kufitar Bllacë, vendi i quajtur “Fusha e Seçishtës” ose siç e emëruan ndryshe “Fusha e trishtimit”. Aty me tren nga Fushë Kosova dhe vende tjera të Kosovës sjellnin refugjatë
në numër të madh. Refugjatët kishin nevojë për mbulojë, ushqim, ujë të pijes dhe ndihmë mjekësore. Pronari i restorantit “Europa’93”, i cili gjendet në vendkalimin kufitar, kontribuoi shumë, duke e lënë tërë objektin në shërbim për nevojat e shoqatave humanitare "El Hilal", “Kryqi i Kuq” dhe Ekipi mjekësor “Mjekët pa kufij” nga Shkupi dhe shumë shoqata të tjera që ndihmonin refugjatët kosovarë të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre.
Aty pashë dhe u binda se kufiri Maqedoni-Kosovë ishte sa për sy e faqe se me kilometra të tëra, në të dy anët e kufirit banonin shqiptarë autoktonë, të lidhur farefisnisht, thjesht thënë, ishin nip e dajë dhe ndihmonin plot 24 orë pandërprerë. Nga frika prej fluksit të madh të refugjatëve, në fund të marsit Maqedonia e mbylli kufirin.
Kosovarët në numër të madh mbetën të robëruar në luginën e Lepencit te “Fusha e trishtimit” ose “Livadhi i vdekjes” në afërsi të pikës kufitare Bllacë, sepse siç thuhej nga zyrtarët qeveritarë, Maqedonia nuk mundet të përballet me fluks aq të madh të refugjatëve dhe një javë, deri më 6 prill të vitit 1999, refugjatët mbetën në qiell të hapur. Ky ishte një vendim johuman i shtetit maqedonas. Për momentin, shpresa për të kaluar kufirin disi u zbeh. Natën po binte shi dhe përveç baltës edhe moti ishte ftohur mjaft. Para pikës kufitare të Maqedonisë, ishin vendosur tendat e organizatave humanitare dhe tendat ku evakuoheshin të sëmurët e të vdekurit, ndërsa
poshtë në anën e majtë ishin të gjithë kosovarët që prisnin ndihmë. Më poshtë kishte gra që sapo kishin lindur ose që foshnjat e tyre i kishin vetëm disa ditë dhe vaji i tyre të prekte. Aktivistët tregonin se disa foshnja gjatë ditëve kishin vdekur dhe përpiqeshin që së paku ato gra t'i nxjerrin nga fluksi. Për gjendjen shumë të vështirë të dhjetëra - mijëra refugjatëve alarmonin edhe mediat e huaja të cilat ndihmuan në hapjen e kufirit për të gjithë refugjatët dhe strehimin e tyre në disa lokacione të Maqedonisë dhe nëpër familje shqiptare, dyert e të cilëve ishin të hapura dhe mezi pritnin të pranojnë familje shqiptare të dëbuara me dhunë nga Kosova.