Intervistë me krijuesen Regina Resta (Intervistoi Angela Kosta)

Sot sjellim për lexuesit e Orfeut, Presidenten e Shoqatës Ndërkombëtare VERBUMLANDIART.APS, kritiken letrare, shkrimtaren, poeten, eseisten, promovuesen dhe editoren Regina Resta.
- INTERVISTA -
A. Kosta: Përshëndetje Regina... Mirësevini në Shqipëri dhe në gazetën NACIONAL. Lexuesit do të donin t'ju njihnin: kush është Regina Resta?
Regina. R: Faleminderit për ftesën dhe mikpritjen! Unë kam lindur në Castellammare di Stabia në provincën e Napolit, nga nënë napolitane dhe baba pugliese nga Galatone (Lecce). Në moshën 23-vjeçare u martova dhe shkova të jetoja në qytetin e babait tim në Puglia. Gjithmonë kam pasur një pasion të madh për artin dhe kulturën. Kjo më nxiti të bëhem promotore kulturore, dhe më shtyu të themeloj Shoqatën Ndërkombëtare VerbumlandiArt Aps, e cila nxit dialogun ndërkulturor dhe u jep hapësirë artistëve dhe shkrimtarëve ndërkombëtarë. Jam gjithashtu mbështetëse e pasionuar për paqen dhe respektin reciprok midis kulturave.
A. Kosta: Cila është arsyeja juaj kryesore dhe themelore për të udhëhequr Shoqatën e rëndësishme ndërkombëtare Verbumlandi Art?
Regina. R: Misioni im është të përhap kulturën e paqes dhe dialogut midis popujve. Besoj se arti dhe letërsia janë mjete të fuqishme për ndërtimin e urave mes njerëzve. Për mua, të udhëheq VerbumlandiArt-in, do të thotë të jem në gjendje t'u jap një zë artistëve dhe shkrimtarëve nga të gjitha prejardhjet, duke u ofruar një vend për t'u takuar dhe shkëmbyer opinionet e tyre në lidhje me letërsinë, artin dhe kulturën. Ëndrra ime është të bashkoj botën nëpërmjet bukurisë dhe forcës së kulturave të ndryshme.
A. Kosta: Kur u themelua Shoqata juaj? Na tregoni më gjerë për çmimet, eventet, etj...
Regina: R: Shoqata Kulturore Ndërkombëtare Verbumlandiart-APS u themelua në vitin 2013 dhe që atëherë, ka krijuar një rrjet nismash kulturore dhe me interes kolektiv nëpërmjet takimeve, konferencave, shqyrtimeve, leximeve, shfaqjeve, prezantimeve të autorëve, interpretimeve nga artistë botërorë, kineastë, ekspozita, konkurse dhe evente studimi, eksperimentime, promovime dhe përhapje kulturore. Investimi në ndarjen e kulturës, artit dhe informacionit të lirë dhe të përgjegjshëm, ka qenë zgjedhja e sigurt dhe strategjike e së ardhmes për një Itali, që është gjithnjë e më e vetëdijshme për historinë, identitetin dhe aftësinë e saj, për të promovuar kreativitetin dhe inovacionin, duke përfshirë aktivisht shkollat, universitetet dhe agjencitë e trajnimit, që luajnë një rol themelor në pjekurinë pjesëmarrëse të gjuhëve dhe mjeteve të dobishme për promovimin kulturor. Për këtë arsye, Shoqata gjithmonë ka vlerësuar dhe promovuar artin në të gjitha format e saj, duke u dhënë hapësirë artistëve dhe autorëve të njohur, duke evidentuar njëkohësisht talentet e reja, në shprehje dhe kërkime, duke u dhënë atyre mundësinë për t'u rritur në nivel, duke krahasuar dhe duke ofruar krijimet e tyre me vlerësimin e sinqertë të ekspertëve të çdo sektori, të cilët janë përzgjedhur për kompetencën e tyre në dhënien e një gjykimi të arsyetuar, dhe mbi të gjitha, si dëshmi e privilegjuar e përvojës, për të përmirësuar cilësinë e krijimit të tyre artistik.
A. Kosta: Si ju lindi ideja të vini në dispozicion të kulturës revistën VERBUMPRESS? Lexuesit vlerësojnë tej mase jo vetëm përmbajtjen, lekturën, përgatitjen, por edhe kontaktin e vazhdueshëm me ta...
Regina. R: Sigurisht! Ashtu sikurse në çdo rrugëtim ambicioz, vështirësitë nuk kanë munguar. Në fillim ishte e çmuar ndihma, besimi dhe mbështetja e Kryetarit të Bashkisë, (në atë kohë, Livio Nisi), pastaj na u desh të zgjidhnim një ndryshim kursi dhe t'i transferonim të gjitha nismat në qytetin e Romës, sepse në Galatone ishte bërë e vështirë të gjenim burime dhe mbështetje dhe njerëzit nuk e kuptonin plotësisht misionin tonë. Megjithatë, pasioni dhe vendosmëria na kanë udhëhequr gjithmonë, dhe hap pas hapi kemi arritur të ndërtojmë diçka konkrete. Në Romë dyert na janë hapur gjerësisht, ashtu sikurse edhe në qytete të tjera të Italisë apo jashtë saj. Tani aktivitetet tona mbulojnë të gjithë kombin e Italisë dhe pothuajse të gjitha vendet e botës me bashkëpunëtorë dhe anëtarë. Çdo pengesë, na ka bërë më të fortë dhe na ka shtyrë të përmirësohemi.
A. Kosta: Si arrini ta gërshetoni aktivitetin tuaj profesional me atë të jetës së përditshme dhe angazhimeve tuaja familjare?
Regina. R: Padyshim, kjo është një sfidë e vazhdueshme, por fatmirësisht, unë gjej mbështetje të madhe në familjen time, të cilët më inkurajojnë dhe e kuptojnë rëndësinë e asaj që po bëj. I planifikoj me kujdes ditët e mia për të qenë në gjendje të plotësoj gjithçka, duke i kushtuar kohë, si jetës sime personale, ashtu edhe aktiviteteve kulturore. Besoj shumë se, me organizimin e duhur dhe mbështetjen e të dashurve, është e mundur të vazhdosh ëndrrat dhe projektet e tua, pa u ndalur.
A. Kosta: Ju drejtoni konkursin e rëndësishëm CITTA' DEL GALATEO. Keni pasur autorë arbëreshë në konkurset tuaja? Njihni krijues apo ndonjë artist shqiptar?
Regina. R: Konkursi CITTA' DEL GALATEO, për nder të figurës së shquar të Antonio De Ferrariis, edhe këtë vit, mirëpriti pjesëmarrës nga kultura dhe komunitete të ndryshme, duke përfshirë autorë me origjinë arbëreshe dhe artistë shqiptarë. Jam gjithmonë e lumtur që shoh pjesëmarrës me tradita dhe gjuhë të ndryshme, sepse kjo pasuron jashtëzakonisht cilësinë e konkurrencës. Kam takuar edhe autorë shqiptarë shumë të talentuar, dhe jam gjithmonë e interesuar të zbuloj artistë të rinj, të cilët sjellin me vete historitë dhe perspektivat e tyre unike. Këtë vit, pata nderin t'ju kem gjithashtu edhe Juve Angela, një figurë tashmë e njohur ndërkombëtare, në edicionin e XI-të, si anëtare jurie për autorët e huaj.
A. Kosta: Dëshironi ta vizitoni Shqipërinë dhe Kosovën, në një të ardhme?
Regina. R: Absolutisht që po! Jam shumë e magjepsur nga Shqipëria dhe Kosova, nga traditat tuaja dhe nga ndjenja e fortë e identitetit kulturor që i karakterizon këto troje. Të jesh në gjendje të takosh artistë vendas, të njohësh historitë dhe veprat e tyre personalisht, do të ishte një mundësi e shkëlqyer për mua dhe për Shoqatën. Shpresoj të më jepet mundësia t'i vizitoj këto vende të bukura dhe të ndërtoj lidhje edhe më të forta. Së shpejti, do të jem në Tiranë për një simpozium, ndaj kjo do të realizohet.
A. Kosta: Çfarë këshille do t'u jepnit të rinjve që dëshirojnë të marrin rrugëtimin e artit dhe shkrimit?
Regina. R: Këshilla ime është të ndjekin gjithmonë zemrën e tyre dhe të mos shkurajohen përballë vështirësive. Rruga e artit dhe e shkrimit mund të jetë e gjatë dhe komplekse, por është gjithashtu plot kënaqësi. I rekomandoj të lexojnë shumë, të eksperimentojnë pa frikë dhe të mos heqin kurrë dorë nga ëndrrat dhe vetvetja e tyre. Arti është një dhuratë e çmuar dhe ia vlen ta kultivosh me angazhim dhe pasion.
A. Kosta: Ju jeni një grua shumëplanëshe dhe plot burime... Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
Regina. R: Faleminderit për komplimentin! Kam shumë projekte në zhvillim e sipër, përfshirë atë të zgjerimit të mëtejshëm të Shoqatës, krijimin e bashkëpunimeve me institucione dhe artistë nga vende të reja. Dua gjithashtu ta pasuroj revistën VerbumPress, me përmbajtje dhe përfshirje edhe ndërkombëtare. Së fundi, dua të zhvilloj një projekt edukativ për të rinjtë, një program i cili, i prezanton ata në botën e artit dhe të shkrimit, duke i mësuar se si të përdorin krijimin për të ndërtuar ura kulturore dhe për të nxitur paqen.
A. Kosta: Ju falenderoj përzemërsisht për intervistën dhe ju uroj shumë suksese në rrugëtimin tuaj si promovuese e po ashtu edhe si krijuese plot vlera.
Regina. R: Unë ju falenderoj Juve, ashtu sikurse dëshiroj t'i shpreh mirënjohjen time të thellë Drejtorit të kësaj gazete prestigjoze NACIONAL, Dr Mujo Buçpapaj. Faleminderit dhe respekt!
Intervistoi Angela Kosta