Intervistë me Mike Turner (Intervistoi Irma Kurti)
MIKE TURNER është një kompozitor dhe poet që jeton në Gulf Coast, SHBA. I cilësuar si Këngëtari i Vitit 2017 nga Shoqatat Ndërkombëtare të Muzikës Country në Amerikën e Veriut, këngët e tij janë transmetuar në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Evropë, Australi, Zelandën e Re si dhe në Rrjetin e Radios së Forcave të Armatosura në SHBA. Ai është bashkëthemelues i Music For World Peace Records, (Regjistrime muzikore për Paqen Botërore) të specializuara në këngë që promovojnë paqen botërore dhe kundërshtojnë luftën. Vargjet e tij janë botuar në revista dhe antologji të shumta të shtypura dhe on-line; poezia e tij e parë u botua në revistën Spillwords në 2019. Përmbledhja e tij me poezi, "Visions and Memories" (Vizione dhe kujtime), u botua në 2021 nga Sweetycat Press.
-Kantautor dhe poet. Ku e gjeni më shumë veten?
-Përsa i përket aspektit krijues, e kam të vështirë të bëj dallimin midis krijimit të një kënge dhe një poezie. Secila ka format dhe rregullat e veta; secila ka mjete të ndryshme për t'u vënë në dispozicion të lexuesve/dëgjuesve. Zakonisht, kur shkruaj për një temë të caktuar, rrjedha e proçesit të të shkruarit më sugjeron nëse rezultati mund të jetë një këngë apo një poezi. Kënga, në veçanti, tenton t’i përsërisë frazat, rreshtat ose strofat shumë më tepër sesa poezia; kështu që, nëse në një pikë të caktuar ka nevojë më tepër për përsëritje të stofave të shkruara, atëherë jam i prirur drejt këngës më shumë sesa drejt poezisë. Në përgjithësi, shkruaj më shumë poezi sesa këngë, pjesërisht sepse procesi poetik është më i shpejtë. Një poezi, mund ta shkruaj pa vetëdije, të bëj një redaktim të vogël dhe të kem një produkt të gatshëm për ta dërguar në revista apo në antologji për ta transmetuar pastaj tek lexuesit. Kënga, në të kundërt, kërkon më shumë punë (për të gjetur frazat dhe vargjet), më shumë strukturë dhe redaktim (për ta formësuar veprën në vargje dhe këngëtarë), dhe sigurisht për të kompozuar muzikë - që më pas duhet ta regjistroj përpara se të arrijë tek dëgjuesit. Kam disa projekte këngësh në çdo kohë, të cilat mund të kërkojnë ditë, javë dhe muaj për t'u përfunduar. Poezitë, nga ana tjetër, kanë tendencën të vijnë tek unë dhe të përfundojnë shumë më shpejt.
-Kur dhe si keni filluar të shkruani?
-Kam pasur një karrierë 27-vjeçare si hetues i forcace të rendit – një punë që sillej rreth fakteve, me pak mundësi për angazhim krijues. Ajo që shkruaja ishte e natyrës teknike: njoftime për shtyp, artikuj mbi teknikën hetimore, manuale procedurash, direktiva, rregullore.
Pasi përfundoi karriera ime në forcat e rendit, planifikova daljen në pension për t’iu dedikuar vetes dhe udhëtimeve. Për t’u argëtuar, ndoqa një kurs për fillestarë për një instrument muzikor të ngjashëm me kitaren, ukulele dhe kështu m’u hapën dyert për të shkruar: më ka pëlqyer gjithmonë muzika, veçanërisht muzika pop e viteve '60, si Beatles dhe Motown. Në javën e dytë të mësimeve kompozova këngën e parë. Kolegët e mi e pëlqyen dhe kjo më inkurajoi pa masë; prej atëherë nuk reshta së shkruari dhe kompozuari: tanimë shkruaj prej një duzinë vitesh.
-Ju keni pasur bashkëpunime këngësh me disa poetë. Mund të na thoni diçka më shumë për këtë përvojë?
-Bashkëpunimi është një proces shumë shpërblyes sepse ndërthur përvojën dhe këndvështrimet e krijuesve, për të ofruar një produkt më të pasur, më të plotë dhe më të gjerë se përvoja dhe këndvështrimi personal.
Kam patur disa projekte me poetë, ku poezitë e tyre origjinale i kemi përshtatur në këngë. Shumica e poezive ishin në vargje të lira, disa bashkëkohore, dhe si rrjedhim u mungonin disa nga konvencionet e këngës si përsëritja, metrika dhe rima. Këto janë elementet që janë të nevojshme për të kompozuar dhe për të çuar përpara një tekst. Prandaj në këto raste një nga sfidat më të mëdha është ruajtja sa më shumë e vizionit dhe e vargjeve të poetit origjinal, duke shtuar apo shtresuar elementë të të kënduarit për të kaluar me sukses nga poezia në këngë. Për këtë arsye unë i referohem produkteve përfundimtare si "përshtatje": nuk bëhet fjalë për një riprodhim të poezisë origjinale kundrejt një sfondi muzikor, por më tepër për një përdorim të gjuhës dhe imazheve të poezisë origjinale si pikënisje për të përcjellë ndjenjat dhe ndjesitë në një format muzikor. Më pëlqejnë këto projekte sepse prodhojnë muzikë dhe imazhe lirike që nuk do t'i përdorja domosdoshmërisht nëse do t’i shkruaja unë tekstet. Këngët e mia zakonisht i përkasin zhanreve blues, folk dhe country, por kam zbuluar se përshtatjet poetike lëvizin drejt zhanreve të tjera si rock progresiv dhe muzikë botërore. Këto bashkëpunime më çojnë në drejtime të reja krijuese që shërbejnë për të rritur përvojën time si krijues.
Unë përfshihem edhe si poet/kantautor në këto projekte: zgjedh poezi origjinale që ngjallin emocion brenda meje dhe një lidhje që dua ta çoj përpara në këngën finale. Në kombinimin e poezive origjinale me konvencionet e këngës, shtoj fraza, rreshta, strofa që i qëndrojnë besnike origjinalit, por që pasqyrojnë përvojat, besimet dhe aspiratat e mia. Këngët kështu janë një bashkëpunim dhe partneritet i vërtetë midis meje e poetit, si dhe pjesërisht një degëzim i origjinalit si dhe një vepër unike.
-A ka ndonjë këngë apo poezi që ju përfaqëson më mirë?
-E kam të vështirë të zgjedh një poezi apo këngë që më përfaqëson: çdo këngë është shkruar për të shprehur bindjet dhe ndjesitë e mia për një temë të caktuar në një kohë të caktuar. Pra, pjesët e përfunduara janë një lloj "copëze jete" për temën që trajtojnë në kohën kur janë shkruar.
Shkruaj gjithnjë e më shumë për tema të tilla si: dashuria, humbja, shpresa, shpengimi. Përpiqem të rrok aspekte të gjendjeve të përbashkëta njerëzore, pjesërisht për të qenë i aftë t'i kuptoj ato më mirë brenda vetes si dhe për të qenë në kontakt me lexuesit që përjetojnë të njëjtat gjëra.
Ndonjëherë këngët dhe poezitë e mia kanë nuanca paksa të trishtuara, sepse jeta nuk është e lehtë dhe ne përballemi me shumë dhimbje dhe vuajtje – por sidoqoftë unë përpiqem të përcjell elemente shprese, bukurie dhe ringjalljeje edhe në veprat më të trishta, sepse besoj vërtet që ne të gjithë përpiqemi për një nivel më të lartë mirëkuptimi dhe komuniteti, një lidhje me diçka më të madhe dhe më jetike që shkon përtej egos individuale.
-Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur në rrugëtimin tuaj letrar?
-Një sfidë e vazhdueshme është gjetja e lexuesve dhe dëgjuesve të këngëve si dhe ndërtimi dhe mbajtja e një auditori të përkushtuar ndaj asaj që shkruaj. Përpiqem të gjej një ekuilibër midis ruajtjes së bashkëpunimit me një grup botuesish me të cilët kam punuar nëpër vite, duke qenë i pranishëm në mënyrë aktive, si dhe kërkimit të revistave dhe antologjive të reja për të rritur audiencën e lexuesve. Gjithashtu, rrekem të mbaj kontakte të drejtpërdrejta me një bërthamë lexuesish dhe bashkëmoshatarësh, me synimin që veprat e mia të lexohen dhe të njihen. Dua që krijimet e mia të sjellin ndryshimin në botë: për t’na bashkuar në bukuri dhe humanizëm, në paqe dhe dashuri. Dhe për të pasur këtë ndikim, përpiqem që t’i bëj të lexohen shkrimet e mia.
-Çfarë është Paqja e shprehur me fjalët tuaja?
-Unë besoj se të gjithë jemi të lidhur shpirtërisht, me njëri-tjetrin dhe me universin që na rrethon. Jemi pjesë të së "tërës"; vetëm për një periudhë të kufizuar kohore jemi ndarë përkohësisht, fizikisht, ashtu si një pikë e hedhur nga një dallgë që përplaset dhe ndahet nga oqeani, nga i cili ka ardhur dhe atje ku do të kthehet përsëri.
Negativiteti që përjetojmë në jetë: frika, privimi, vetmia, janë pjesë e kësaj ndarjeje, siç janë manifestimet e tyre në zemërim dhe dhunë, shtypje dhe lakmi. Kur çlirohemi nga këto aspekte negative, na mbetet veçse një gjë: dashuria, e cila besoj se është thelbi absolut i qenies sonë shpirtërore.
Për mua, pra, “paqja” është mungesa, refuzimi i këtyre elementeve negative, për të përqafuar atë që është qenia jonë themelore: dashuria. Në të vërtetë, nëse mundemi të lëmë mënjanë frikën dhe zemërimin, lakminë dhe shtypjen, urrejtjen dhe dhunën, çfarë na mbetet nëse jo dashuria dhe paqja?
Pjesa më e madhe e kësaj që po shpjegoj mund të gjendet në dy koncepte të thjeshta që përsëriten vazhdimisht në besimet fetare dhe filozofike: trajtojini të tjerët ashtu siç dëshironi t'ju trajtojnë dhe ta doni njëri-tjetrin. Nëse do të jetonim vetëm sipas këtyre dy parimeve, a nuk do ta njihnim "paqen"?
-A mendoni se poezia apo muzika mund të provomojnë paqen?
-Poezia, ashtu si dhe kënga na flasin përmes emocioneve, duke na lidhur me përvojën e përbashkët njerëzore. Të gjithë kemi frikëra që do të donim t'i largonim; të gjithë kemi shpresa dhe ëndrra për veten dhe për të dashurit tanë. Është intelekti ynë njerëzor që na lejon jo vetëm të reagojmë ndaj nevojave tona, por të veprojmë pozitivisht drejt një të mire më të madhe. Poezia dhe muzika shërbejnë jo vetëm për të na bashkuar me njerëzimin, por edhe për t’na frymëzuar të veprojmë për të mirën e të gjithëve në një komunitet mirëkuptimi, uniteti dhe dashurie.
Intervistoi Irma Kurti