NUNZIO BUONO
Nunzio Buono është një poet, shkrimtar dhe recensent italian. Ka lindur në Milano në 24 Qershor 1960 dhe banon në Casorate Primo (Pavia). Ai është president dhe anëtar i jurisë në konkurse të ndryshme të poezisë dhe është shpesh i ftuar në manifestime letrare në programe radiofonike direkte me Australinë, Nju Jorkun dhe Amerikën Latine. Ka marrë pjesë në shumë veprimtari duke lexuar vargje me vajzat e Alda Merinit (Barbara dhe Emanuela Carniti) dhe Alessandro Quasimodon (djali i fituesit të çmimit Nobel Salvatore Quasimodo).
Që nga janari 2014 është anëtar i IWA (Shkrimtarët dhe Artistët Ndërkombëtarë) Toledo, Ohio - SHBA.
Në vitin 2015 një nga poezitë e tij u bë këngë nga shtëpia diskografike “Sugar” e Caterina Casellit dhe u prezantua në festivale të ndryshme të këngës italiane.
Nunzio Buono është fitues i shumë çmimeve të para në konkurse letrare. Vlen të përmendet akordimi i Medaljes së Senatit në Romë (2018).
ORË TË ERRËTA
Do të vish të më kërkosh
në orët e errëta, atje ku ëndërroje.
Dhe më mbaje
brenda erës së kujtimeve
në hapësirat e gjërave
në sekretin e zbuluar të trupit tënd,
i zhveshur nga fjalët tashmë.
Është pikërisht në këtë qetësi
që çdo çast timin mbi lëkurën tënde e gjej përsëri.
ISHTE NJË SHTËPI
Ndodhem
atje ku pemët janë gjithmonë.
Në një shtëpi që nuk ekzistonte.
Dhe ishte një shtëpi
ku pemët përherë
mbulonin
jeshilllëkun nga kaltërsia, qiellin nga lëndinat.
Dhe ishe ti,
një shtëpi, pemët dhe një dritë,
që darkave na mbante të ndezur të dy.
DY KRAHË PËR DY
Më ke dhënë sytë.
Një natë pas gardhit përtej mjegullës
rigjeta hapat që do të më sillnin te ti.
Retë
kishin qarë ditën: gjithë ditën
dhe natën, u braktisën premtimet
që njëri - tjetrit i dhamë.
Koha
në ajrin e mëngjesit në fytyrën tënde
duart e mia një përkëdheljeje
ia ka lënë.
Përktheu nga italishtja: IRMA KURTI